Ligji për sinjalizuesit pret zbatueshmërinë në praktikë
Ministria e Drejtësisë, ka bërë të ditur se ligji i ri për mbrojtjen e sinjalizuesve është i zbatueshëm vetëm në sektorin publik ndërsa sa i përket sektorit privat duhen më shumë konsultime me operatorët privatë, në mënyrë që të jetë e qartë se çka kërkon ligji nga këto subjekte. Ligji specifikon që kjo periudhë të mos jetë më e gjatë se një vit.
Në vitin 2017, fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës ishte përfshirë në një skandal kur Arben Hajrullahu, profesor në këtë fakultet që prej vitit 2006, kishte dalë publikisht me akuza të rënda ndaj disa anëtarëve të menaxhmentit të kësaj katedre. Hajrullahu, në atë kohë, thoshte që disa nga anëtarët e “një grupi të organizuar brenda UP-së” nuk po e lejonin që të rizgjidhej në postin e profesorit të rregullt, detyrë që ai e kishte ushtruar që nga viti 2006.
Në disa paraqitje të ndryshme publike, Hajrullahu rrëfente se si në vitin 2006, ishte pranuar në pozitën e profesorit të rregullt me dëshminë që kishte përfunduar studimet e doktoratës në Vjenë të Austrisë.
Për pozitën e tij, fakulteti i Shkencave Politike kishte shpallur konkurs rreth një dekadë më vonë, por konkursi ishte anuluar me arsyetimin që Hajrullahu nuk kishte arritur të dëshmonte para komisionit që i kishte përfunduar studimet e nivelit Bachelor. Këtë arsyetim, Hajrullahu e vlerësonte të palogjikshëm, pasi që me të njëjtat kredenciale kishte studiuar në nivelet master dhe doktoraturë në Vjenë, si dhe ishte pranuar fillimisht në të njëjtën pozitë në UP, një dekadë më herët.
Me rrëfimet e tij publike për parregullsitë dhe keqpërdorimet e thella brenda këtij fakulteti në UP, Hajrullahu ishte shndërruar në një prej zërave të parë kundërshtues nga brenda institucioneve publike, proces që njihet si sinjalizim. Sinjalizimi tashmë është i rregulluar me ligj dhe sinjalizuesit janë të mbrojtur me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, që u miratua në Kuvendin e Kosovës, më 23 nëntor 2018.
Në tërë këto vite, në mungesë të këtij ligji, sinjalizimi rregullohej vetëm me Ligjin për mbrojtjen e informatorëve, të cilin ekspertët e vlerësonin të mangët. Flutura Kusari, eksperte e së drejtës së medias, kishte argumentuar që ligji për mbrojtjen e informatorëve, përveç që ishte i emërtuar gabimisht, nuk e njihte sinjalizimin e jashtëm, nuk rregullonte procedurën e sinjalizimit dhe nuk parashihte sanksione. Madje, ligji ishte në kundërshtim me praktikat ligjore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Duke qenë që nuk kanë pasur mbrojtje ligjore, sinjalizuesit janë përballur me humbje të vendeve të punës dhe me dënime nga gjykatat për shkelje të kodeve të brendshme dhe ligjeve të tjera në fuqi që rregullojnë publikimin e informatave. Situatën e ka rënduar edhe fakti që sinjalizimi si koncept është ende në fazat fillestare të zhvillimit në Kosovë, duke bërë që institucionet dhe organizatat tjera të mos e kenë të qartë se çfarë roli duhet të kenë sinjalizuesit në punë dhe në përgjithësi në shoqëri.
Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, që tashmë ka hyrë në fuqi, fillimisht vetëm për pjesën që rregullon sektorin publik, adreson të gjitha zbrazëtirat ligjore dhe problemet në ligjin për mbrojtjen e informatorëve, ligj që do të shfuqizohet sapo të hyjë në fuqi ligji i ri për sinjalizuesit.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Drejtësisë, e kontaktuar të premten, ka konfirmuar që ligji ende nuk është plotësisht në fuqi, për shkak që për pjesën që rregullon sinjalizimin në sektorin privat duhen më shumë konsultime me operatorët privatë, në mënyrë që të jetë e qartë se çka kërkon ligji nga këto subjekte. Ligji specifikon që kjo periudhë të mos jetë më e gjatë se një vit.
Ndërkohë, Arben Hajrullahu, tashmë më shumë se një vit pasi kishte denoncuar publikisht keqpërdorimet në UP, vlerëson që megjithë rrëfimin e tij dhe zhurmën që ka përcjellë tërë atë proces, përmirësimet janë të pakta dhe në fakultete vazhdon të ketë mungesë të integritetit akademik dhe “keqbërësit” mbeten në pozita kyçe dhe metodat e keqpërdorimeve vetëm sofistikohen.
"Kur ndodhin keqpërdorime, edhe nëse ndokush rastësisht tenton t'i sfidojë ato, bëhet pak a shumë ndonjë debat anësor, disa e quajnë zhurmë, komunitetin akademik e mbulon heshtja publike, kurse personat përgjegjës në pozita vendimmarrëse ose shtiren kinse s'po dijnë se çka po ndodhë ose pretendojnë se po bëjnë diçka sa t'i hedhin hi syve publikut dhe e tëra fillon të lihet në harresë.", thotë Hajrullahu.
Ai shton që situatën në UP e ilustron me terapinë me antibiotikë, duke thënë që, kohë pas kohe, mund të ketë ndonjë përmirësim, por gjendja asnjëherë nuk përmirësohet deri në shërimin e plotë.
"Kështu keqbërësit, parazitët manipulues, që unë i quaj në një artikull si “elita manipulative”, vetëm sa arrijnë të bëhen edhe më të sofistikuar dhe rezistentë. Mbetet për t'u dëshiruar ndonjë “super terapi” e që për mendimin tim do të ishte një proces verifikimi “vettingu” i tërë stafit.", thotë ai.
Një prej rasteve të fundit që dëshmon që legjislacioni për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve nuk po zbatohet është skandali me djalin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili ishte kapur nga Policia e Kosovës në posedim të armëve dhe substancave narkotike.
Rasti fillimisht ishte raportuar nga gazeta “Koha Ditore”, në tetor të këtij viti. Në shkrim raportohej se policia kishte ndaluar një veturë në të cilën gjendej djali i drejtorit të AKI-së bashkë me dy persona të tjerë, ndërsa gjatë kontrollit u gjetën narkotikë e armë pa leje. “Koha Ditore” raportoi që policia nuk e kishte dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore dhe kjo ishte bërë vetëm pas interesimit të gazetës për rastin.
Një muaj më vonë, një pjesëtar i policisë së Kosovës u suspendua nga puna për shkak se drejtuesit e policisë besonin se ai bashkëpunoi me gazetarët dhe bëri që të rrjedhë skandali me djalin e drejtorit të AKI-së. Gazetarja Saranda Ramaj ka thënë për KTV-në që ky mund të jetë rasti i parë kur Policia reagon me masë disiplinore ndaj një polici për shkak të dyshimeve për rrjedhje të informatave në media.
Studiuesi Abit Hoxha thotë që sinjalizuesit ende nuk janë si duhet të pranuar kulturalisht në institucionet kosovare. Marrë parasysh që Kosova është vend i vogël, Hoxha vlerëson që sinjalizuesit nuk kanë shumë hapësirë veprimi nëpër institucione, por gjithashtu nuk kanë përkrahje të duhur nga publiku.
“Afërsisht sikurse me mbrojtjen e deshmitarëve, Kosova nuk ka krijuar ende nje kulturë që çmon punën e sinjalizuesve. Kemi parë rastet në institucionet si: ATK dhe ProCreditBank, ku edhe pse sinjalizuesit janë fitues moralisht, nuk kanë pasë mbrojtje të duhur institucionale dhe shoqërore.”, përfundon Hoxha.
Sinjalizimi vazhdon të mbetet në fazën fillestare të zhvillimit si fenomen i nevojshëm për të mos lejuar institucionet të dalin nga binarët e funksionimit sipas ligjit, ndërkohë që institucioneve u mbetet të mbrojnë sinjalizuesit sipas ligjit.
Gazetar: Arian Lumezi
Ky shkrim është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e themeluar në janar të vitit 2016 me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë si pasqyrim i qëndrimit të Bashkimit Evropian.











