Lajmet

Mbahet Konferenca “Fuqizimi i Bashkëpunimit Ndëretnik në Mediat në Kosovë”


3712-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi sot konferencën “Fuqizimi i Bashkëpunimit Ndëretnik në Mediat në Kosovë”, ku gazetarë dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave diskutuan mbi rëndësinë e raportimit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve etnike në media.

Konferenca përfshiu një panel diskutimi, të moderuar nga Getoarbë Mulliqi, drejtore ekzekutive e AGK-së, me pjesëmarrjen e Brikenda Rexhepit, Kryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës; Arta Pllana, Koordinatore për Komunikim nga Zyra e Komisionerit për Gjuhë dhe Arben Hajredinaj, Udhëheqës Detyre i Shefit ne Seksionin e Medias në OSBE.

Gjatë diskutimit u theksua se bashkëpunimi ndërmjet gazetarëve të komuniteteve të ndryshme duhet të bazohet në respekt, profesionalizëm dhe synimin për të ndërtuar një media gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për të gjithë. U përmend rëndësia e komunikimit ndërgjuhësor në gazetari dhe nevoja për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë gazetarët, pa dallim etnie.

Panelistët ndanë përvoja konkrete nga puna e tyre në institucione dhe organizata të ndryshme, duke theksuar se krijimi i hapësirave për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash në rajon ndihmon në ndërtimin e besimit dhe përmirësimin e raportimit për çështjet ndëretnike.

Konferenca shërbeu si platformë e rëndësishme për ndarjen e përvojave, shqetësimeve dhe ideve konkrete për ndërtimin e një mjedisi mediatik më të barabartë dhe bashkëpunues në Kosovë.

Ky projekt mbështetet nga UNMIK – United Nations Mission in Kosovo.

Share this Post: