Lajmet

Mbahet moduli i parë i trajnimit “Raportimi i përgjegjshëm mbi shëndetin mendor dhe vetëvrasjet”


3688-title

Sot u zhvillua moduli i parë i trajnimit “Raportimi i përgjegjshëm mbi shëndetin mendor dhe vetëvrasjet”, i organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Qendrën për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS). Trajnimi u mbajt nga Bind Skeja, psikolog dhe drejtor ekzekutiv i QIPS.

Ky modul u fokusua në rëndësinë e raportimit etik dhe të ndjeshëm kur trajtohen temat e shëndetit mendor në media. Pjesëmarrësit diskutuan mbi parimet bazike të shëndetit mendor dhe të drejtat e njeriut në këtë fushë, si dhe rolin që luan gazetaria në përfaqësimin e zërave shpesh të margjinalizuar.

Një pjesë e veçantë e trajnimit i'u kushtua ndikimit të kulturës dhe shoqërisë në perceptimin dhe trajtimin e çrregullimeve mendore. U theksua rëndësia e përdorimit të termave të saktë dhe profesional, mbrojtjes së të dhënave personale gjatë raportimit, si dhe përfshirjes së informacionit mbështetës për personat që mund të jenë në rrezik.

Duke analizuar raste konkrete nga Kosova dhe nga vende të tjera, pjesëmarrësit patën mundësinë të dallojnë praktikat e duhura të raportimit nga ato që janë të dëmshme ose stigmatizuese.

Në fund të trajnimit u zhvillua një diskutim mbi nevojën për hartimin e një udhëzuesi profesional për raportimin e përgjegjshëm, duke vënë bazat për temat që duhet të përfshihen në të. Trajnimi u përmbyll me pyetje dhe një diskutim të hapur mes pjesëmarrësve.

Ky aktivitet është financuar nga Ambasada Suedeze në kuadër të projektit Human Rightivism, i cili implementohet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF).

Share this Post: