Mbahet takimi i dytë joformal i gazetarëve nga komunitete të ndryshme etnike në Kosovë
Ky takim, si vazhdim i atij të parë, ofroi mundësi për reflektim mbi përfundimet e mëparshme dhe për të zhvilluar ide më konkrete për forcimin e rrjetit të gazetarëve dhe përmirësimin e raportimit mbi çështjet e ndjeshme ndërmjet komuniteteve.
Përmes diskutimeve të hapura, pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre duke u fokusuar në mënyrat për të kapërcyer narrativat që thellojnë ndasitë etnike. Takimi vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet gazetarëve.
Një pjesë kyçe e takimit ishte puna në grupe, ku pjesëmarrësit ndanë propozimet e tyre për mënyrën me efikase të bashkëpunimit të disa prej hisedarëve kryesorë në sektorin medial, që përfshijnë AGK-në, KMSHK-në, KPM-në, Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Sektorin e Mediave të UNMIK-ut.
Takimi u pasurua edhe nga sesioni mbi podcast-in në dy gjuhë, shqip dhe serbisht me Leart Hoxhën dhe Zorcia Vorgucic, i cili u prit me shumë interes. Hoxha e Vorgucic folën për qasjen profesionale në realizimin e emisionit me tema e mysafirë nga të dyja komunitetet më të mëdha etnike në Kosovë.
Në përmbyllje, u përgatit një përmbledhje e pikave kyçe dhe u përcaktuan hapat e ardhshëm për të forcuar bashkëpunimin ndëretnik për të ndërtuar një shoqëri më të hapur dhe të informuar.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për diskutimet e frytshme dhe angazhimin. Ky projekt mbështetet nga UNMIK - United Nations Mission in Kosovo.