Lajmet

Mentaliteti i fajësimit: Pse shoqëria ende justifikon dhunuesit?


3650-title

Shkruan: Albijona Hoxhaj

“Kot s’kom thane qe grune duhet me rreh sa her t jepet mundesija, edhe nëse nuk e din ti pse, e din ajooo”. Ky është një prej shumë komenteve në një lajm ku raportohet për dhunë ndaj gruas nga burri i saj.

Komentet në lajmet ku raportohet për dhunë në familje, ngacmime seksuale e dhunime, janë bërë burim i gjuhës se urrejtjes, fyerjeve, linçimeve, kërcënimeve e thirrjes për dhunë.

“Nashta e ka provoku veshja sjellja e saj”, “A koka kan kjo viktima lakuriq apo e veshun”, “Mos e ka marr me zor ne Motel ajo kur te shkon aty duhet me dit qa e pret”, “Po se zori e ka shti me shku”, “se paska dhunu po ju paska kru qa lypi ajo shtatzane ne hotel po ajo vec qaty e paske venin...". Raste të komenteve të tilla, shohim çdo ditë e ngado.

Në Kosovë, duket se çdo herë, sidomos kur viktima është grua, ka dikush që thotë “e ka lyp”. Në vend që të flasin për përgjegjësinë e dhunuesve, shumë janë të shpejtë të gjejnë fajin tek viktima.

Ky mentalitet është pjesë e një shoqërie që ende refuzon të pranojë se dhuna nuk ka asnjë justifikim, as fjalë për të shfajësuar dhunuesit.

Sociologu Albert Mecini, këtë thotë se e sheh si një problematikë shqetësuese, që kryesisht lidhet me faktorë psiko-socialë, dhe një ambienti që ekspozon në mënyrë të vazhdueshme forma të ndryshme të dhunës dhe komunikimit jo-korrekt social dhe publik.

"Gjithashtu ka një ndërlidhje edhe me nivelin edukativo-arsimor që kanë njerëzit, e të cilat gjendje, më pastaj shfaqen në formën e sjelljes dhe komunikimit tek individët”, thotë Mecini.

Muhamet Jahiri, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se ekzistojnë disa fenomene që i shtyjnë këta komentues që të jenë kaq brutal në komentet e tyre.

“E para ka të bëjë me aspektin kulturor të shoqërisë, ku tendenca për të fajësuar viktimën shpesh herë është ideja dominante e komentuesve që kryesisht janë komentues në esencë patriarkal, ku gjykimin dhe perceptimin e kanë më të zhvilluar se arsyen dhe kërkesën për të vendosur drejtësi për viktimën”, ka thënë profesori Jahiri.

Ai thotë se kjo reflekton mungesën e edukimit dhe ndërgjegjësimit të të rinjve mbi barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut, si të drejta fundamenteale të shoqërive demokratike.

Sipas tij, në shumë raste viktimat stigmatizohen sepse shoqëria ende ka vlerësime të gabuara mbi konceptin e familjes mbi mirëqenien e individit. Kështu, kjo ushtron presion mbi gratë dhe vajzat që të mos flasin për dhunën që përjetojnë, por, komentohen dhe stigmatizohen në rrjetet sociale.

“E dyta, ndërlidhet me fushatat e komentuesve anonim. Platformat sociale ofrojnë anonimitet ose një distancë emocionale që nxit njerëzit të shprehen pa menduar për pasojat. Kjo e bën më të lehtë për disa të shpërndajnë komente mizore ose të papërgjegjshme. E treta, ka të bëjë me një kategori të komentuesve që postojnë komente negative për të tërhequr vëmendjen ose për të provokuar reagime, pa e marrë seriozisht temën”, ka thënë tutje Jahiri.

Dhe e fundit, sipas profesorit, ka të bëjë me mungesën e komentuesve mbi edukimin medial dhe publik, gjë që reflekton edhe në sjelljen e tyre.

Sipas tij, një edukim i mirëfilltë mbi përdorimin e medieve dhe krijimin e përmbajtjeve do të ndihmonte që komentuesit të jenë më racional, të jenë më solidarizues dhe të ndihmojnë në luftimin e këtyre dukurive dhe fenomeneve. Thotë se Gjykatat duhet që t’i ndëshkojnë ata që përdorin gjuhën e urrejtjes në sferën publike.

Edhe Sociologu Mecini ka thënë se duhet investuar në një edukim dhe arsimim të mirëfilltë në shoqërinë kosovare.

“Kjo do të vendoste një bazë të mirë, për një tolerancë shoqërore të ngritur mbi aspekte emancipuese, si dhe njohje më të mirë të të drejtave, dhe respektimit të tjetrit, si dhe rendit institucional”, është shprehur Mecini.

Gjuha seksiste përdoret edhe në institucione

Gjuha seksiste dhe fajësuese ndaj viktimave, është bërë pjesë e një norme që shtrihet përtej komentuesve të thjeshtë në rrjetet sociale. Ajo gjen terren edhe në institucionet që duhet të mbrojnë drejtësinë.

Një shembull i qartë është një aktgjykim i Gjykatës Themelore në Gjilan, i cili kishte liruar të akuzuarit për dhunim, duke përdor gjuhë seksiste dhe përqendruar gjithë vëmendjen tek veprimet e viktimës, e duke lënë të nënkuptohet se ajo kishte njëfarë "përgjegjësie" për atë që kishte ndodhur.

“...Nuk është vërtetuar me asnjë provë të besueshme dhe të plotë se të akuzuarit kanë përdorur dhunë apo kërcënim serioz ndaj të dëmtuarës në fjalë, me rastin e kryerjes së aktit seksual, sepse e dëmtuara si femër e moshës 19 vjeçe në kohën kur ka ndodhur ngjarja me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore…", thuhet në aktgjykim.

Sipas Gjykatës, “Duke pasur parasysh këtë sjellje të të dëmtuarës që me lehtësi ka pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, jep me kuptu logjikisht se e njëjta vërtetë ka pasur konflikt me familjen e saj për shkak të bredhjes së saj dhe shoqërimit me meshkuj…”, thuhet tutje në një pjesë të aktgjykimit, i cili ishte analizuar në një hulumtim nga emisioni “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata konstatoi se “Të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se kjo e dëmtuar ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale, duke përfshirë edhe të akuzuarin e parë i cili ka qenë me moshë më i shtyrë se e dëmtuara vërtetë e dëmtuara me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral, ka shfrytëzuar rastin që të kalojë një kohë duke shuar edhe epshin seksual me të akuzuarit në fjalë”.

Trupi gjykues në këtë rast, i përbërë nga gjyqtarët Naser Maliqi, Aziz Shaqiri dhe Ramiz Azizi, vazhdoi me një gjuhë skandaloze dhe seksiste gjatë gjithë arsyetimit aktgjykimit. Aty thuhet se "qëndrimi në një dhomë i të akuzuarve të rinj me viktimën, e cila ishte nën 19 vjeç, dhe mosrefuzimi i saj për të qëndruar atje, tregon se ajo ka pranuar heshtazi marrëdhënien seksuale".

Më tej, sipas aktgjykimit, denoncimi në polici ishte vetëm një "arsyetim" i viktimës për të shpëtuar para familjes, duke thënë se asnjeri prej të akuzuarve nuk ka pasur kurrfarë interesi që ta mbajnë, pasi që i akuzuari i parë ka qenë i martuar, kurse të akuzuarit të tjerë nuk kanë qenë të interesuar që ta marrin të njëjtën për grua.

Hulumtuesja e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Arrita Rezniqi, ka thënë se kjo gjuhë e përdorur në këtë aktgjykim është gjuhë e papranueshme, e cila nuk do duhej assesi të përdorej nga dikush që është i prirur të sjellë drejtësi.

“Gjykatat janë institucion ku qytetarët drejtohen për të realizuar të drejtat e tyre, prandaj është e papranueshme të shohim reflektimin e një mendësie të tillë përmes kësaj gjuhe në vendime gjyqësore. Mos të harrojmë që një gjuhë e tillë krijon paragjykime që si të tilla minojnë parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë. Në veçanti në rastet e dhunës me bazë gjinore, stereotipizimi mund të dëmtojë paanshmërinë e vendimeve të gjyqtarëve, të ndikojë në kuptimin e tyre përnatyrën e veprës penale dhe të pengojë gjyqtarët që të mbajnë përgjegjës autorët e veprave penale”, thotë ajo.

Rezniqi ka shtuar se mendime të tilla seksiste të shprehura përmes gjuhës sikurse në vendimin e lartcekur, nuk duhet të kenë vend në sistemin e drejtësisë.

Ish- Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci kishte iniciuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj kryetarit të trupit gjykues (i cili e kishte përpiluar aktgjykimin) Aziz Shaqiri dhe dy anëtarëve të trupit gjykues, Ramiz Azizi dhe Naser Maliqi.

Mirëpo, KGJK-ja kishte hedhur poshtë këtë rast, me arsyetimin se shkelja e supozuar disiplinore ka arritur parashkrimin absolut.

“KGJK, kundërligjshëm kishte amnistuar gjyqtarët në këtë rast, duke u bazuar në dispozita të shfuqizuara dhe jo dispozita ligjore në fuqi, të cilat parashohin afat pesëvjeçar të parashkrimit. Pra, ligji është shumë i qartë, por vendimi i KGJK-së absolutisht i pabazë. Një qasje e tillë nuk mund të kuptohet ndryshe përveçse e kundërta e llogaridhënies dhe normalisht se ka qenë dëshpëruese të shohim një vendim të tillë, për çka edhe si IKD kishim vlerësuar se një veprim i tillë përbënte kthim mbrapa në progresin e arritur nga KGJK”, ka thënë në anën tjetër Rezniqi.

Lidhur me gjuhën seksiste dhe fajësuese që shtrihet edhe në institucione, sociologu Mecini ka thënë se shoqëria kosovare ende vuan nga elemente patriarkale dhe konservatore që fatkeqësisht vazhdojnë të kenë ndikim në konstruktin e përgjithshëm të vlerave.

“Kjo më pastaj reflektohet edhe në aspektet institucionale, duke krijuar tension ndërmjet rendit ligjor-institucional, dhe në anën tjetër, “frymës” ndëshkuese sociale, që vazhdon të prodhojë pasoja sociale. Në rastin konkret duke fajësuar viktimat që kanë pësuar nga po të njëjtat forma të dhunës dhe paragjykimeve”, thotë ai.

Roli i medias në raportimin e çështjeve të ndjeshme

Media luan një rol kyç në formimin e perceptimeve shoqërore dhe shpesh ndihmon në përhapjen e gjuhës seksiste. Media duhet të jetë e kujdesshme, të përqendrohet në realitetin e dhunës dhe të sigurohet që titujt të mos i japin asnjë mundësi faji viktimës, por të adresojnë përgjegjësinë e plotë të autorëve.

Në medie hasim në tituj si “Dhunohet e mitura në Motel”, ndonëse ky titull i përgjigjet një prej pyetjeve të gazetarisë se “ku ka ndodhur ngjarja, profesori Muhamet Jahiri thotë se në raste të tilla duhet të bëhet shumë kujdes, pasi titujt e tillë mund të keqinterpretohen dhe krijojnë një perceptim të gabuar dhe përhapin narrativën që shfajëson autorët, duke injoruar pasojat psikologjike dhe shoqërore të viktimave.

“Përdorimi i termit "motel" mund të kthehet në një element që shpërqendron vëmendjen nga krimi, duke e bërë më shumë fokus në vendin ku ka ndodhur dhe jo tek dhuna që është kryer, dhe kjo mund të ndikojë në perceptimin publik për përgjegjësinë dhe dënimin e abuzuesve”, ka thënë Jahiri.

Profesori universitar ka shtuar se mediet duhet të tregojnë kujdes të madh në zgjedhjen e titujve dhe saktësinë e tyre, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e temës.

Ai ka thënë se titujt duhet të përqendrohen tek thelbi i ngjarjes dhe pasojat që ka ajo, duke shmangur detaje që mund të shpërqendrojnë ose të shfajësojnë autorët, dhe pa përdorur elemente që mund të nxisin stigmën ndaj viktimës.

Në anën tjetër, sociologu Albert Mecini thotë se titujt kur raportohet për dhunë, nganjëherë nuk janë në përputhje me standardet më të mira të profesionalizmit gazetaresk.

“ ...Dhe si të tilla mund edhe të prodhojnë keqkuptime të lajmit, apo tek persona të ndryshëm, edhe të nxisin elemente të shprehjes së vulgaritetit dhe formave të ndryshme të dhunës", ka thënë ai.

Në anën tjetër, Jahiri thekson se gazetarët e rinj, duhet të kuptojnë rëndësinë e raportimit të ndjeshëm dhe të informuar në lidhje me çështjet e dhunës dhe abuzimit. Tha se mediet, duhet të ndjekin praktikat më të mira të etikës gazetareske, që përfshijnë ruajtjen e konfidencialitetit të viktimave, shmangien e përdorimit të gjuhës që mund të nxisë stigmatizimin e tyre, dhe të sigurohen që titujt të pasqyrojnë me saktësi dhe pa tendenca ngjarjen, pa krijuar ndjeshmëri të tepruar për audiencën.

Përgjegjësia e medieve ndaj komenteve

Media nuk ka përgjegjësi vetëm për përmbajtjen që poston, por edhe për komentet në atë përmbajtje.

Sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), mediet kanë përgjegjësinë të kontrollojnë komentet e paligjshme që publikohen në atë përmbajtje të ndarë nga mediet.

GJEDNJ ka theksuar se mediet duhet të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen që lejojnë të publikohet, përfshirë komente që përmbajnë gjuhë urrejtëse, fyerje apo nxitje dhune. Në rast se një koment i tillë është i paligjshëm, mediet dhe platformat online duhet të ndërmarrin masa të shpejta për ta hequr atë dhe për të parandaluar përhapjen e tij, duke respektuar gjithashtu balancën mes lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së të drejtave të individëve.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në tetor 2024, ka publikuar raportin “Përgjegjësia e mediave ndaj komenteve të paligjshme”. Sipas këtij raporti, praktikat e GjEDNj-së theksojnë se “komente të paligjshme” konsiderohen ato komente të cilat “haptazi” janë të paligjshme dhe që nuk kërkojnë një analizë ligjore apo gjuhësore.

Raporti tregon që aktualisht nuk ka mekanizma apo masa specifike që mediet duhet të ndjekin për të identifikuar dhe fshirë komentet e paligjshme dhe se nuk ka një afat të caktuar për periudhën midis publikimit dhe fshirjes së komenteve, por GjEDNj thekson se duhet të bëhet “pa vonesë.”

“Qeveria dhe Kuvendi i Republikës se Kosovës, duhet të miratojnë një ligj që adreson përgjegjësinë e medieve ndaj komenteve të paligjshme. Veçse, kjo duhet bërë me shumë kujdes dhe assesi mos të ketë kufizime që cenojnë lirinë e medieve në Kosovë, por të bëhet në përputhje të plotë me standardet e GjEDNj-së”, ka thënë hulumtuesja e lartë e IKD-së, Arrita Rezniqi.

Aktualisht, mediet në Kosovë nuk kanë krijuar mekanizma për kontrollimin e komenteve, duke e ditur se lajmet që publikohen në baza ditore marrin mijëra komente. Në mesin e tyre, komente të paligjshme. Por, duke qenë se jetojmë në botën e medieve sociale, mundësia e ndërveprimit të audiencës mbetet kyç, kurse kontrollimi i tyre, sfidë.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: