Organizatat ndërkombëtare i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmirësojë lirinë e medias
Liria e medias në Kosovë ka përjetuar një periudhë rënie që nga viti 2023, si rrjedhojë e një sërë zhvillimesh negative, gjë që kërkon veprime të menjëhershme nga qeveria, konkludoi sot një mision ndërkombëtar për lirinë e medias.
Pas një vizite dyditore në Prishtinë nga një koalicion organizatash për lirinë e medias, partnerë të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, delegacioni konstatoi se niveli i qëndrueshëm i lirisë së medias në vendin aspirues për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është zëvendësuar me përkeqësim gjatë tri viteve të fundit.
Edhe pse Kosova ka një peisazh mediatik pluralist, nivele të ulëta të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një përafrim të gjerë legjislativ me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, një sërë standardesh të lirisë së medias janë cenuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje.
Miratimi nga Kuvendi i Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili më pas u rrëzua si antikushtetues, e që do të rriste kontrollin politik mbi KPM-në, financimi i pamjaftueshëm dhe presioni politik ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe rritja e vazhdueshme e sulmeve verbale dhe denigrimit të gazetarëve nga politikanët e partisë në pushtet, janë faktorët kryesorë të këtij vlerësimi nga delegacioni.
Këto zhvillime kanë minuar trajektoren pozitive të Kosovës në fushën e lirisë së shtypit dhe zhvillimin e mediave që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Kjo ka dëmtuar statusin e Kosovës si lidere e qartë rajonale në fushën e lirisë së medias.
Sa i përket klimës rreth sigurisë së gazetarëve në Kosovë, aktorët medial në përgjithësi shprehën besim në trajtimin e rasteve kohëve të fundit nga prokurorët, derisa delegacioni vuri re dhe e mirëpriti përmirësimin në trajtimin e rasteve edhe nga gjykatësit.
Në veçanti u mirëprit Strategjia e miratuar së fundmi e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2026–2028, e cila u jep prioritet rasteve të sigurisë së gazetarëve, rasteve të shpifjes dhe padive SLAPP kundër gazetarëve. Kjo duket se tashmë ka ndikim në praktikë, pasi që disa raste janë zgjidhur në kohë të shpejtë nga gjykatat. Strategjia e KGJK-së u mirëprit edhe nga Koalicioni Evropian kundër Padive SLAPP. Rritja e sulmeve fizike ndaj gazetarëve në vitin 2023 ka rënë në nivelet e mëparshme, ndërsa rastet e fundit të sulmeve ndaj punonjësve të mediave kanë rezultuar me disa aktgjykime dënuese.
Megjithatë, numri i përgjithshëm i rasteve të dokumentuara nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), që përfshijnë denigrimin, diskreditimin dhe ngacmimin online ndaj gazetarëve veçanërisht nga figura politike është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur kulmin në vitin 2025. Burim kryesor i këtyre sulmeve janë politikanët nga Vetëvendosje. Një trend veçanërisht shqetësues i identifikuar nga një sërë aktorësh mediatik ishte përdorimi i narrativave toksike nga zyrtarët e Vetëvendosjes, të cilat në mënyrë të rrejshme i paraqesin gazetarët që bëjnë pyetje legjitime si “mercenarë” të Serbisë dhe “agjentë” të paguar nga fuqi të huaja. Në rastin e mediave në gjuhën serbe dhe mediave të tjera jo-shumicë, këto presione rëndohen edhe nga kërcënimet nga qeveri të huaja dhe mungesa e qasjes në informata publike në gjuhët e tyre.
Gjatë një takimi me Kryeministrin, delegacioni i bëri thirrje drejtpërdrejt atij, ministrave dhe zyrtarëve të partisë në pushtet që të japin shembull për shoqërinë duke dënuar dhe duke u përmbajtur nga përdorimi i fushatave shpifëse të papranueshme, veçanërisht përdorimit të gjuhës përçarëse ndaj gazetarëve. Kryeministri nuk u zotua të dënojë publikisht sulme të tilla.
Ndërsa Kosova ka një sektor privat mediatik të larmishëm dhe dinamik në tregun e transmetimit televiziv dhe atë online, peisazhi mediatik përballet me sfida nga ndikimi i interesave politike dhe të biznesit, si dhe nga kufiri i dobët mbrojtës ndërmjet pronësisë së mediave dhe politikave editoriale. Probleme të rrënjosura sistemike, përfshirë mungesën e transparencës së autoriteteve publike, vazhdojnë të minojnë gazetarinë hulumtuese dhe gazetarinë që i mban përgjegjës autoritetet, duke e dobësuar kështu klimën për raportim të pavarur dhe duke ulur besimin publik në media.
Delegacioni theksoi rëndësinë e pavarësisë dhe financimit të mjaftueshëm për transmetuesin publik, RTK dhe i kërkoi Kryeministrit të sigurojë burime adekuate dhe të ndryshojë legjislacionin në përputhje me nenin 5 të Aktit Evropian për Lirinë e Mediave (EMFA). Ne mbetemi të shqetësuar që RTK-ja operon në kushte të vështira ekonomike pa zgjidhje për pronën e saj, ndërsa mungesa e financimit i pengon investimet e duhura. Delegacioni ka shprehur shqetësim për rastin e largimit të disa prezantuesve të lajmeve, ndërprerjen e magazinave informative dhe shqetësimeve të vazhdueshme për presion politik. Në një takim, menaxhmenti i RTK-së i hodhi poshtë fuqishëm raportimet për presion ndaj gazetarëve dhe kërcënime ndaj pavarësisë editoriale.
Kryeministri dhe zyrtarët deklaruan se kapja e mediave nga interesa të veçanta biznesore, korporative dhe oligarkike është sfida kryesore për lirinë e medias në Kosovë. Delegacioni i misionit theksoi se, ndonëse transparenca e pronësisë dhe mbrojtja e pavarësisë editoriale në redaksi janë jetike, kjo nuk duhet të shpërqendrojë nga përgjegjësia e qeverisë lidhur me rënien e lirisë së medias në vend.
Për të adresuar çështjet e transparencës së pronësisë së mediave në mënyrë demokratike dhe proporcionale, delegacioni i bëri thirrje Kryeministrit dhe qeverisë së tij që të prioritizojnë përafrimin e legjislacionit vendor me nenin 6 të EMFA-s. Delegacioni gjithashtu vuri në dukje zotimin e Kryeministrit për t’u riangazhuar me organizatat ndërkombëtare për hartimin e një ligji të ri për media (KPM-në) në përputhje me standardet evropiane.
Misioni kërkoi që qeveria të ndryshojë agjendën legjislative për të përfshirë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve, në përputhje me EMFA-n dhe objektivin e Kosovës anëtarësim në BE.
Korniza ligjore për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë mbetet në përgjithësi në përputhje me standardet e BE-së. Asnjë gazetar nuk është arrestuar në vitet e fundit. Gjatë takimit, Kryeministri Kurti ofroi garanci verbale se shpifja nuk do të rikriminalizohet, duke dalur kundër thirrjeve të fundit nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes.
Vitet e fundit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme dhe gjykatave të rregullta kanë dëshmuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe aftësinë e tij për të mbrojtur lirinë e medias. Megjithatë, fakti që gjykata më e lartë e vendit u detyrua të rrëzojë një ligj që kërcënonte pavarësinë e KPM-së ishte një zhvillim shqetësues që simbolizon rritjen e presionit mbi themelet e sistemit mediatik të Kosovës.
Duke qenë se liria e medias është një shtyllë kyçe e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE, nevojitet punë e konsiderueshme nga qeveria aktuale për të rindërtuar besimin në kredencialet e saj demokratike dhe për t’u kthyer në rrugën e mëparshme të përparimit në fushën e lirisë së medias që vendi ka përjetuar gjatë 15 viteve të fundit.
Për të mbështetur këtë proces, partnerët e misionit do të publikojnë një raport që përmbledh gjetjet dhe jep rekomandime për qeverinë, i cili do të ndahet edhe me Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Misioni në Prishtinë u zhvillua nga 24 deri më 26 mars. Delegacioni u takua me Kryeministrin Albin Kurti, si dhe me redaktorë dhe gazetarë, autoritete gjyqësore, organe rregullatore dhe përfaqësues të transmetuesit publik RTK.
Pjesë e misionit ishin Asociacioni i Gazetarëve Evropianë (AEJ), Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Index on Censorship, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT) dhe Reporterët pa Kufij (RSF). Misioni u mbështet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - (AGK). Një mision i ngjashëm faktmbledhës në Kosovë ishte organizuar nga partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës në vitin 2022.











