Lajmet

Organizatat për lirinë e shtypit kërkojnë veprim të menjëhershëm për zbatimin e vendimit gjyqësor dhe mbrojtjen e gazetarëve në Shqipëri


3863-title

Organizatat udhëheqëse ndërkombëtare dhe rajonale për lirinë e medias kanë lëshuar një apel urgjent ndaj autoriteteve shqiptare për të zbatuar menjëherë një vendim gjyqësor që mbron punën gazetareske të Focus Media Group, që përfshin News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura me to.

Apeli i drejtohet Ministrive të Brendshme, Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Drejtësisë, Policisë së Shtetit, Shërbimit Përmbarimor, Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Avokatit të Popullit, pas vendimit të dhënë më 12 gusht 2025 nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë Tiranë, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e kompanisë për masa të përkohshme. Vendimi urdhëronte rikthimin e aksesit të gazetarëve në pajisjet profesionale dhe materialet e punës, pas një përplasjeje për nxjerrjen nga godina.

Letra e plotë është si më poshtë:

Të nderuar ministra dhe zyrtarë shtetërorë,

Ne, organizatat e mëposhtme për lirinë e shtypit dhe asociacionet rajonale të gazetarëve, shprehim përmes kësaj letre të hapur shqetësimin tonë të thellë për moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe pengesat e vazhdueshme ndaj aktivitetit gazetaresk në ambientet e Focus Media Group në Tiranë, që përfshin News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura.

Jemi thellësisht të alarmuar që, pavarësisht vendimit të qartë të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë Tiranë, më datë 12 gusht 2025 – i cili pranoi pjesërisht kërkesën e Focus Media Group dhe Panorama Group për masa të përkohshme për rikthimin e aksesit në pajisjet gazetareske dhe materialet e punës – ky urdhër ende nuk është zbatuar. Gazetarët vijojnë të kenë akses të kufizuar në godinë për të marrë materialet e tyre të punës, ndërsa forcat e policisë ushtarake dhe subjekti shtetëror KAYO raportohen se po pengojnë në mënyrë aktive zbatimin e vendimit gjyqësor.

Gjykata konstatoi me të drejtë se kufizimet e vendosura ndaj punës së gazetarëve gjatë ekzekutimit të urdhrit të nxjerrjes – përfshirë ndalimin e aksesit në ambjente, ndërprerjen e energjisë elektrike dhe largimin e pajisjeve nga redaksia – ishin të tepruara. Ajo gjithashtu vendosi se mosmarrëveshje të tilla duhet të zgjidhen në një mënyrë që minimizon ndërhyrjen në lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të shtetit për mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Edhe pse gjykata nuk është shprehur për çështjen themelore të pronësisë – e cila është nën juridiksionin e gjykatave administrative – ne përshëndesim fokusin e saj në ndikimin që kjo ndërhyrje pati në aftësinë e gazetarëve për të punuar, si dhe konstatimin se mënyra e trajtimit të procesit të nxjerrjes ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Megjithatë, është jashtëzakonisht shqetësuese që urdhri detyrues i gjykatës për të inventarizuar dhe për të mbrojtur apo kthyer të gjitha materialet profesionale brenda 48 orëve, mbetet ende i pazbatuar. Kjo sfidë e hapur ndaj një vendimi gjyqësor minon sundimin e ligjit dhe krijon një precedent të rrezikshëm për lirinë e medias dhe shtetin ligjor në Shqipëri.

Për këtë arsye, u bëjmë thirrje urgjente autoriteteve përkatëse që:

  • Të zbatojnë menjëherë dhe plotësisht vendimin e datës 12 gusht të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë Tiranë, duke garantuar akses të pakufizuar të gazetarëve në pajisjet dhe materialet e tyre;

  • Të ndalojnë çdo veprim që cenon lirinë e medias, përfshirë kërkesat ndaj gazetarëve për të dorëzuar pajisjet elektronike për të hyrë në godinë, veprim i cili cenon konfidencialitetin e burimeve;

  • Të garantojnë llogaridhënie për çdo aktor shtetëror apo të tretë që pengon në mënyrë aktive zbatimin ligjor të vendimit gjyqësor;

  • Të respektojnë angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të gazetarëve, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE;

  • Të angazhohen në mënyrë transparente me kompanitë mediatike dhe përfaqësuesit e tyre për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe për të siguruar respektimin e detyrimeve ligjore.

Vërejmë se, edhe pse News24 ka rifilluar transmetimet nga ambiente të përkohshme (një restorant) gjatë kësaj periudhe, kjo nuk mund të zëvendësojë rikthimin e plotë të funksionimit normal gazetaresk me të gjitha pajisjet dhe materialet profesionale.

Pavarësisht mosmarrëveshjes për pronësinë, përdorimi i forcës shtetërore për të penguar vazhdimisht punën e mediave pa mandat gjyqësor dhe në kundërshtim me procesin e rregullt ligjor është i papajtueshëm me angazhimet demokratike të Shqipërisë dhe ambiciet për integrim në BE dhe përçon një sinjal shqetësues.

Shprehim gjithashtu solidaritetin tonë me Kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, dhe anëtarin e saj Osman Stafa, si dhe me mbrojtësit e tjerë të lirisë së medias dhe organizatat vëzhguese që janë sulmuar për mbështetjen që i kanë dhënë redaksive të Focus Media Group dhe Panorama Group.

Organizatat tona, të cilat më parë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për këtë çështje, mbeten të gatshme të mbështesin dialogun konstruktiv dhe do të vazhdojnë të mbrojnë ushtrimin e lirë të gazetarisë në Shqipëri. I bëjmë thirrje autoriteteve tuaja përkatëse që të veprojnë me shpejtësi dhe përgjegjësi për të zgjidhur këtë situatë në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër zhvillimet dhe presim përgjigjet tuaja individuale.

Nënshkruar:

  • International Press Institute (IPI)

  • European Federation of Journalists (EFJ)

  • Free Press Unlimited (FPU)

  • Reporters Without Borders (RSF)

  • Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)

  • European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)

  • SafeJournalists Network

  • Association of BH Journalists

  • Association of Journalists of Kosovo

  • Association of Macedonian Journalists

  • Croatian Journalists’ Association

  • Independent Journalists’ Association of Serbia

  • Trade Union of Media of Montenegro

Share this Post: