Paragjykimet dhe sfidat me të cilat përballen gazetaret që merren me shkrime hulumtuese në Kosovë
Gazetaria hulumtuese është një nga fushatë ku gratë në Kosovë paragjykohen shumë dhe përballen me sfida të mëdha. Ka raste kur gazetareve u janë ofruar vende pune, ryshfet apo dhurata vetëm që të mos publikojnë një artikull hulumtues.
Gazetarët hulumtues në Kosovë çdo herë e më shumë janë duke u kërcënuar dhe sulmuar fizikisht për artikujt hulumtues që ata shkruajnë. Që nga 1 janari i këtij viti gjithsej numri i gazetarëve që kanë raportuar se janë sulmuar ka qenë gjashtëmbëdhjetë (16), e në mesin e këtyre sulmeve katër raste kanë qenë të raportuara nga gazetaret.
Më sfida të mëdha përballen sidomos gazetare gra. Këtë e thonë edhe Saranda Ramaj, që punon në “Koha Ditore” dhe Leonida Mulliqi nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese 'Preportr'.
“Sfidë të vërtetë” e quan gazetarinë hulumtuese në Kosovë, Saranda Ramaj. Ajo tash e pesë vite merret me gazetari hulumtuese që ka në fokus sektorin farmaceutik dhe tenderët publik.
Ramaj tha se gjatë punës së saj shpesh i ka ndodhur që personat e përfshirë në storie e kanë kërcënuar, i kanë ofruar vend pune, ryshfet dhe dhurata.
“Si një sektor për të cilin pak është raportuar ka qenë sfiduese që të trajtosh tema që në një formë ose tjetrin ua prish komoditetin e të vepruarit në mënyrë të paligjshme”, shpjegon Ramaj.
“Një nga arsyet për këtë është impakti i tyre financiar por edhe lidhjet me njerëz të politikës. Më kujtohet që në fillim sjellja e tyre ka qenë korrekte. Shumica prej tyre me kanë ofruar vende pune, ka pas prej atyre që kanë ofruar dhurata e ryshfet për të ndaluar hulumtimet, por sigurisht që asnjë tekst asnjëherë nuk është ndalur”, thotë Ramaj.
Një rast tjetër i pengimit të punës së saj, me të cilën është përballur Ramaj ka qenë rasti kur zyrtarët publikë i kanë shkuar tek prindi i saj lidhur me artikujt që ajo i ka botuar në gazetë.
“Kjo është një nga format e cila më së shumti më ka irrituat gjatë punës time si gazetare”, thotë ajo.
Përdallim nga Ramaj, gazetarja Leonida Molliqaj thotë se nuk ka pasur asnjë rast të kërcënimit apo sulm për shkrimet që i ka bërë.
Në Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), thonë se kjo kategori e gazetarëve janë më së shumti të rrezikuar gjatë kryerjes së punës së tyre. AGK thotë se ata përballen kryesisht me sulme fizike dhe kërcënime me jetë.
Presionet, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve janë bërë më të shpeshta në vitet e fundit. Vetëm këtë vit që nga janari deri në më 2 dhjetor gjashtëmbëdhjetë gazetarë kanë raportuar për sulmet që ata i kanë pasur, e në mesin e tyre kanë qenë katër gazetare të cilat kanë raportuar rastet e tyre.
“Gazetaret nuk hezitojnë të raportojnë rastet kur ato kërcënohen apo sulmohen”, thuhet në përgjigjen e AGK-së.
Ndërsa gazetarja hulumtuese, Leonida Molliqaj nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese 'Preportr' e cila funksionon në kuadër të Organizatës Çohu, thotë nuk janë vetëm sulmet fizike që po pengojnë punën e gazetarëve.
“Në anën tjetër nuk janë vetëm sulmet fizike ato që po e pengojnë gazetarinë të zhvillohet lirshëm. Pagat e ulëta, orët e stërzgjatura të punës si dhe mungesa e kontratave të punës po bëjnë që gazetarët të detyrohen të heshtin dhe të mos përfshihen në hulumtime të caktuara”, thotë Molliqaj.
Ajo vlerëson se siguria e gazetarëve në Kosovë nuk është ende në nivelin e kënaqshëm.
“Rastet e sulmeve dhe kërcënimeve që kanë ndodhur viteve të fundit ndaj gazetarëve në vendin tonë tregojnë se ne ende ballafaqohemi me mungesë të lirisë së shprehjes”, thotë ajo.
Paragjykimi ndaj grave që merren me gazetari hulumtuese në Kosovë
Gazetarja Molliqi thotë se gratë ballafaqohen me më shumë vështirësi sesa burrat në ushtrimin e profesionit.
Ajo sugjeron gratë të shfrytëzojnë çdo hapësirë për të shkruar për parregullsitë dhe keqpërdorimet që ndodhin në Kosovë.
“Duke qenë pjesë e mediave vajzat dhe gratë mund të ngritin zërin më lirshëm për paragjykimet dhe diskriminim me të cilin ballafaqohen”, thotë Molliqaj.
Gazetarja Ramaj thotë gazetaria është njëra ndër fushat ku gratë paragjykohen më së shumti. Krejt kjo sipas saj pasi që profesioni i gazetarisë është një punë që nuk e ka orarin nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
“Kjo sigurisht lidhet me identifikimin që një shoqëri gjysmë patriarkale si Kosova i bënë gruas në raport me atë çka dikush e konsideron “obligime familjare të grave”. Përkundër se ka shumë paragjykime që një vajzë e re ta ketë profesion gazetarinë hulumtuese, besoj që Kosova ka shumë gazetare gra e vajza që dëshmojnë të kundërtën”, tregon Ramaj.
Ndërsa nga AGK thonë se mediat kanë arritur në një stad që duhen punuar më shumë për ngritje të besimit nga publiku. “Mediat dhe shoqëria në përgjithësi duhet të punojë për të edukuar publikun që të dallojnë lajmet e rreme dhe dezinformatat, në mënyrë që të jetë në gjendje të dallojë se cilat janë mediat profesionale dhe që respektojnë kodin e etikes”, thonë nga AGK.
Mos kapaciteti i sistemit të drejtësisë shtynë proceset për mbrojtjen e gazetarëve
Sipas gazetares Molliqaj institucionet e drejtësisë nuk kanë treguar vullnet dhe kapacitet për zbatimin e ligjeve për media dhe legjislacionit për mbrojtje të gazetarëve. “Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme sepse si rezultat gazetarët po hezitojnë të raportojnë rastet e sulmeve në mungesë të besimit në organet e rendit”, ka thënë ajo.
Ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se ata kanë rritur bashkëpunimin me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë sa i takon mbrojtjes së gazetarëve.
“Prokuroria e Shtetit, Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Policia e Kosovës kanë ngritur dhe përmirësuar mekanizmat e tyre për mbrojtjen e gazetarëve dhe profesionistëve tjerë medial. Por, ka ende punë për tu bërë dhe asociacioni do të insistojë në përmirësimin e punës së institucioneve që të jenë më efikas dhe të zëshëm”, ka thënë AGK.
Gazetare: Drenusha Canolli
Ky shkrim është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e themeluar në janar të vitit 2016 me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë si pasqyrim i qëndrimit të Bashkimit Evropian.











