Përmbyllet cikli i takimeve “Fuqizimi i të moshuarëve për integritetin e informacionit” – me Shoqatën e Pensionistëve në Prishtinë
Takimi i fundit në kuadër të projektit “Fuqizimi i të moshuarëve për integritetin e informacionit” u mbajt në Prishtinë, me anëtarët e Shoqatës së Pensionistëve. Ky takim shënoi përmbylljen e një cikli të rëndësishëm takimesh që synuan të rrisin vetëdijen e të moshuarve mbi sfidat e informimit në kohën e dezinformimit dhe shpërndarjes masive të lajmeve të rreme.
Gjatë këtij cikli kemi mbuluar rajone të ndryshme të Kosovës, duke nisur me Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, për të vazhduar në Gjakovë, Suharekë dhe Istog, e për ta përmbyllur sërish në kryeqytet me këtë takim me Shoqatën e Pensionistëve. Në këto aktivitete morën pjesë mbi 200 të moshuar, të cilët diskutuan lirshëm rreth mënyrave të identifikimit të burimeve të besueshme të informacionit dhe ndikimit që dezinformimi ka në jetën e përditshme.
Në diskutim me pjesëmarrësit, gazetari veteran Shaqir Foniqi, Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, dhe drejtorja ekzekutive Getoarbë Mulliqi, ndanë përvoja e këshilla konkrete mbi ruajtjen e integritetit të informacionit dhe rëndësinë e qasjes kritike ndaj përmbajtjes mediatike.
Ky cikël takimesh shënon vetëm fillimin e një angazhimi të gjatë për fuqizimin e qytetarëve të çdo moshe në përballje me sfidat e epokës digjitale. Misioni do të vazhdojë edhe më tej, me synimin për ta shtrirë ndikimin dhe përfshirjen edhe në komunitete të tjera.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet në Kosovë nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.











