Pse heshtin gratë? Faktorët që ndikojnë në mosraportimin e dhunës
Shkruan: Viola Azemi
Dhuna me bazë gjinore është një fenomen i pranishëm në shoqërinë tonë. Megjithëse shumë gra përballen me këtë realitet, raportimi i dhunës ende mbetet një sfidë. Sipas statistikave të Policisë, gjatë vitit 2024 janë raportuar 2959 raste të dhunës në familje, ku shumica e viktimave kanë qenë gra.
"Në këto raste janë evidentuar 2368 viktima të gjinisë femërore dhe 617 të gjinisë mashkullore", shtoi policia.
Gjithashtu, në databazën për evidentimin e rasteve të dhunës në familje, të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, në komunën e Prishtinës janë shënuar gjithsej 1009 raste, ku 845 viktima kanë qenë gra dhe 164 burra. Këto statistika mund të ngrejnë një pyetje të rëndësishme:
Pse gratë shpesh nuk e raportojnë dhunën? Cilat janë faktorët që ndikojnë që shumë prej këtyre rasteve të mbeten të padeklaruara?
Sociologu Labinot Konushevci tha se në mesin e të gjithë faktorëve sociologjikë që ndikojnë në mosraportimin e dhunës nga gratë, më dominuesi mbetet mosbesimi në institucione.
“Brenda kompleksit të inferioritetit dhe mungesës së vetëdijes institucionale, ka shtruar terren mentaliteti dhe modeli patriarkal i autoritetit burrocentrik. Dhe kësaj i ndihmon reagimi morbid dhe banal i shoqërisë, sidomos turmave histerike irracionale, që nuk kanë aftësinë as empatinë minimale për të solidarizuar me një viktimë grua”, shtoi Konushevci.
Tutje ai tha se një pavarësi ekonomike e profesionale e gruas, një edukim dhe disiplinë e lartë, kombinuar me inteligjencë emocionale, do t’i ndihmonte asaj që të ketë më shumë mekanizma mbrojtës.
Sipas psikologes Adea Bajrami, dëshira për të mbajtur familjen së bashku, frika e humbjes së fëmijëve, stigma, pasiguria, mungesa e mbështetjes dhe varësia financiare janë disa nga arsyet kryesore pse gratë qëndrojnë në një marrëdhënie abuzive.
“Pasi kanë kaluar përmes një periudhe të gjatë dhune dhe kërcënimesh, gratë mund të ndihen të dobëta dhe pa mundësi për t’u mbrojtur. Ky cikël dhune mund të krijojë një lloj 'rreth vicioz', ku çdo tentativë për t’u shpëtuar duket e pamundur, duke çuar në një ndjenjë të përgjithshme të paaftësisë për të ndryshuar situatën”, tha psikologja.Tutje, Bajrami shton se disa gra mund të frikësohen nga reagimet negative të familjarëve, si për shembull ndëshkimet sociale ose stigmën që mund të pësojnë për shkak të zbulimit të dhunës. Ajo gjithashtu shpjegon edhe sindromën e lidhjes traumatike.
“Sindroma e lidhjes traumatike është një fenomen psikologjik që ndodh kur një viktimë krijon një lidhje emocionale me abuzuesin, shpesh pas periudhash të dhunshme të ndërthurura me momente të dashurisë ose kujdesit nga ana e abuzuesit. Në këto raste viktimat shpesh besojnë se abuzuesi do të ndryshojë ose se ato vetë janë përgjegjëse për dhunën që po përjetojnë, ose besojnë se dhuna është një formë dashurie ose përkujdesjeje”, shtoi Bajrami.
Sipas saj, krijimi i një mjedisi ku gratë ndihen të sigurta dhe të mbështetura, sigurimi i qasjes në shërbime psikologjike, ofrimi i ndihmës ligjore dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për dhunën ndaj grave mund të ndihmojë në krijimin e një shoqërie që është më e vetëdijshme dhe e gatshme për të mbështetur gratë që përjetojnë dhunë.
Përfaqësuesja e Pink Movement në Kosovë, Laureta Kelmendi, thotë se një faktor që ndikon te gratë që të mos denoncojnë dhunën është frika se dhunuesi mund të hakmerret.
“Fatkeqësisht, familjarët apo shoqëria në shumë raste ndikojnë për keq, sepse janë viktima të mentalitetit ‘mos e denonco, se duhet të ruash nderin e familjes’,” tha ajo. Ajo gjithashtu thekson mungesën e mbështetjes së institucioneve.
“Shpesh herë bëjmë presion dhe ndaj institucioneve shtetërore dhe këtë audiencë që e kemi e shfrytëzojmë në mënyrë që të edukojmë vajzat dhe gratë që dhuna nuk duhet duruar dhe duhet denoncuar”, shtoi Kelmendi.
Ajo theksoi edhe rolin e mediave, duke thënë se është shumë i madh dhe i rëndësishëm në shumë fusha të jetës, sepse ka media qëllim të informojë, ndërgjegjësojë dhe shpesh herë të ndikojë në mënyrën se si mendojmë. Në fund, ajo tregoi se organizojnë trajnime sensibilizuese dhe i inkurajojnë gratë të mos dorëzohen dhe të mos heshtin, por të flasin. Sepse vetëm duke folur luftojmë dhunën dhe gjithë dukuritë e tjera negative.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.