Qeveria merr vendimin të strehojë më shumë gazetarë ukrainas në Kosovë
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim për të shtuar numrin e gazetarëve ukrainas që do të strehohen në Kosovë, strehim ky i përkohshëm, si pasojë e luftës në Ukrainë.
Qeveria, sot, ka miratuar ndryshimin e vendimit të vitit 2022, i cili parashihte që në Kosovë të strehoheshin 20 gazetarë ukrainas.
“Do të rritet numri i gazetarëve ukrainas, përfshirë anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre, të cilëve Republika e Kosovës do t’iu sigurojë mbrojtje të përkohshëm”, tha Kryeministri, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mirëpret ndryshimin e vendimit të Qeverisë për shtimin e numrit të kolegëve ukrainas që do të strehohen në Kosovë.
Në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo", aktualisht janë 13 gazetarë ukrainas dhe një afganë, teksa nga ky program kanë përfituar edhe pesë gazetarë ukrainas dhe katër afganë.
JiR – Kosovo, program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, implementohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe iniciativa Hannah Arendt.