Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën: Gazetarëve u rrezikohet siguria nga sulmet fizike, dhe fushatat denigruese – nuk u adresuan rekomandimet e vitit të kaluar
Komisioni Evropian ka vërejtur “progres të limituar”, sa i përket rekomandimeve nga viti i kaluar sa i përket lirisë së medies në Kosovë dhe sigurisë së gazetarëve. Në raportin vjetor, të publikuar të mërkurën, thuhet se mbesin shqetësuese sulmet fizike dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, si edhe fushatat publike denigruese dhe gjuha e urrejtjes.
“Jo të gjitha sulmet ndaj gazetarëve dhe medieve u raportuan tek autoritetet, edhe pse viti 2022 pa një rritje të sulmeve të raportuara. Posaçërisht shqetësuese është liria e shprehjes në veriun e Kosovës, duke përfshirë vetë-cenzurën dhe sigurinë e gazetarëve dhe profesionistëve të medies. Nuk ka pasur përparim në amandamentimin e Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës dhe as në amandamentimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve, për ta përshtatur me Direktivën e BE-së për Mediat Audio-vizuele. Ky proces duhet të jetë transparent, dhe të përfshijë aktorë medial dhe shoqërinë civile”, thuhet në Raport.
Raporti denoncon sulmet fizike ndaj gazetarëve, sidomos rritjen e tyre në vitin 2023, në veri të vendit, dhe gjuhën intimiduese të zyrtarëve të lartë publikë kundër gazetarëve, duke iu referuar statistikave dhe reagimeve të AGK-së.
“Me vendosjen e barrikadave dhe rritjen e tensionit politik në veri të Kosovës, kanë ndodhur një seri e sulmeve që kanë pasur cak gazetarët dhe profesionistët e tjerë medialë të medieve në gjuhën shqipe. AGK-ja dhe shoqatat e gazetarëve kanë dënuar sulmet dhe kanë ftuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in, që të ofrojnë siguri për gazetarët dhe profesionistë të tjerë medialë. Ata kanë bërë thirrje gjithashtu për hetime të shpejta dhe të thella. Gjatë majit dhe qershorit 2023, një numër i paprecedent sulmesh kundër gazetarëve dhe profesionistëve medialë ka ndodhur. AGK-ja,ka regjistruar mbi 30 sulme, duke përfshirë sulme fizike, dëmtim të paisjeve dhe veturave”, thuhet në Raport.
Raporti citon shqetësimet e shoqërisë civile dhe opozitës për emërimin e Rilind Gërvallës në postin e Drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, për shkak të lidhjeve të tij me partinë politike në pushtet, “Bordi duhet të sigurohet që individë profesionalë dhe të pavarur, pa lidhje me partitë politike të emërohen në poste menaxheriale.”, thuhet në raport, ku shprehet shqetësimi për mos-amandentimin e Ligjit për RTK-në, dhe ulja e buxhetit përgjysmë nga ana e shtetit.
Raporti flet edhe për kushtet e gazetarëve brenda redaksive, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të punojën me kontrata afat-shkurtra, apo pa to fare. Komisioni Evropian thotë në raport se AGK-ja, ka kontribuar në programin “Gazetarët në Rezidencë – Kosova”, me të cilin Kosova u ka ofruar hapësirë të sigurte 20 gazetarëve nga Ukraina, shumica nga to gra, si edhe 6 gazetarëve nga Afganistani.
Rekomandimet që mbesin nga viti i kaluar janë:
- Të përmirësojë bashkëpunimin institucional dhe reagimin e institucioneve kyçe për sulmet kundër gazetarëve dhe format e tjera të presionit, duke forcuar kapacitetet e prokurorisë, gjykatave dhe organeve të rendit për t’u marrë me rastet e lirisë së shprehjes dhe informacionit;
- Të rishikojë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës për të gjetur financim të qëndrueshëm në mënyrë që të ruhet pavarësia e tij; të rishikojë Ligjin për KPM-në, që t’i përditësojë kompetencat e tij, duke përfshirë mbi mediet audio-vizuale, në linjë me Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale;
- Të rrisë qasjen në të dhënat për tregun audio vizual, posaçërisht mbi pronësinë e medieve.