Rrëfimi i trishtë i një gruaje të motivuar për të ikur nga jeta e dhunshme bashkëshortore
Autor: Agron Canolli
Rrëfimi i një gruaje për t’i ikur dhunës dhe nga një jetë plotë shtypje dhe vuajte nga bashkëshorti i saj, sa është aq i trishtë, është po aq edhe inkurajues. Për më shumë se 23 vite kishte qenë viktimë e dhunës në familje, ndërsa këmbëngulja e saj për t’i ikur nga jeta e dhunshme e bëri që sot më në fund të ndjejë pak paqe.
Për më shumë se 23 vitesh martesë, Ganimete A. [ emri i ndryshuara për çështje sigurie] kishte jetuar me dhunë në familje nga bashkëshorti i saj. Njëjtë kishte vuajtur edhe djali i saj që sot është 21-vjeç.
Për Ganimeten gjithçka kishte filluar pak pas martesës, pak kohë pasi ajo kishte mbetur edhe shtatzënë. Ajo rrëfen se nga atëherë kishte filluar dhuna nga bashkëshorti i saj për t’u mos u ndalur asnjëherë.
“Pas një viti ja ka nis dhunës, po gjithë e kam duru. Po pastaj, mbeta shtatzënë, tani djalin s’mujsha me e lanë. Më qitke prej shtëpisë, më rrihte, më thoshte gjithçka, për fjalë nuk isha në zor se fjalët ecshin, po zullumi nuk u ndalte kurrë”, rrëfen ajo.
Jeta e 66-vjeçarës është e lidhur ngushtë me dhunën dhe strehimoret e Kosovës. Djali i saj gjashtë muajt e parë të jetës i kaloi në strehimore, derisa më pas kishte vendosur t’i kthehej përsëri bashkëshortit.
“Djalin e kam pas gjashtë muajsh mi ka ba në strehimore, kur e kam dërgu për herë të parë në shpi, gjashtë muaj i ka ba atje në strehimore”, rrëfën ajo teksa thotë se u strehua më shumë se 10 herë në strehimoret e Kosovës për shkak se s’kishte më nga t’ia mbante.
66-vjeçarja thotë se janë dy arsye kryesore përse ajo bashkëjetoi me dhunën për gjatë gjithë kësaj kohe; një nga frika se partneri i saj do t’ia merrte djalin dhe kushtet ekonomike.
“Arsyeja përse kam vazhdu me jetu aty është djali, se thosha ma merr. Unë pa djalë çka më duhet jeta se veç një djalë e kam”, thotë tutje ajo, që prindërit dhe tre vëllezërit i kanë ndërruar jetë, ndërsa ka mbetur nga familja e saj vetëm ajo dhe një vëlla i saj në Gjermani.
Kjo zonjë thotë se familja e vajzërisë i kishte ofruar mbështetje deri në një masë, megjithatë ajo thotë se ish-bashkëshorti i saj i kishte kërcënuar ata.
Vëllai e kishte ndihmuar një kohë që të jetonte me qira, mirëpo me të marrë vësh bashkëshorti, ai kishte kërcënuar Ganimeten dhe vëllain e saj, për çka i kishte bërë të zmbrapseshin.
“Patë ndodhë një përleshje mes tyre, tani edhe vëllai me tha se nuk donte të kishte punë me të dhe sipas tij ishte më mirë të gjendej një zgjidhje tjetër”.
Përveç që vuante nga dhuna e vazhdueshme, atë bashkëshorti i saj e dëbonte nga banesa ku po jetonin. Ajo thotë se në kohët më të ftohta nxirrej jashtë me gjithë djalin e saj në orët e para të mëngjesit.
“Po gjithë, gjithë natën më rrihte, zakonisht i ka pas do shprehi të këqija të qitke në dy apo në katër të sabahut të qitke. Se me të qitë ditën,disi je shku diku ditën, por ku do me shku ti në tre e në katër të mëngjesit. Kurrë nuk e kam lanë djalin. Se kam lanë se në ndikim të alkoolit ku e di unë çka i bon edhe kurrë djalin s’ja kam lanë”, rrëfen ajo më tutje.
Ajo është e bindur edhe sot se dhuna e bashkëshortit të saj po vinte për shkak të konsumimit të tepër te alkoolit. Thonë se dhunë ushtronte vetëm gjatë kohës sa ishte në ndikim të alkoolit, ndërsa menjëherë të nesërmen i kërkonte falje.
“Ka ardh më shumë se pesë herë në strehimore, më kërkonte falje dhe thoshte se s’do përsëriste më, mirëpo unë e dija që prapë ka me ndodhë. Disa herë jam fut në terapi për shkak të dhimbjeve në trup”, rrëfen ajo më tutje.
Megjithatë, për të dhe djalin e saj jeta me dhunë mori fund. Ajo së bashku me djalin e saj vendosën të largoheshin përfundimisht nga dhuna vetëm dy vite më parë, pas 23 viteve martesë.
“Para dy vite jam nda, më rrehi më qiti edhe vendosa, ma kurrë. Në mujsha me e rritë këtë djalë po e rriti edhe vendosa edhe u mora vesh edhe me djalë, apo e bëjmë qashtu se ma nuk e qet kështu. Vendosëm të dytë”, thotë ajo, përkundër sfidave të mëdha financiare që përballën vazhdimisht.
E tillë, nuk është vetëm kjo zonjë. Probleme të ngjashme kanë edhe shumë gra të tjera në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2023 mbi 2 mijë gra kanë lajmëruar rastet në Policinë e Kosovës se kanë përjetuar dhunë në familje. Viti 2022 ishte edhe më i rëndë, afër 2 mijë e 800 raste të dhunës në familje raportuan në Policinë e Kosovës.
Bazuar në të dhënat e raporteve të strehimoreve të Kosovës, një numër i konsiderueshëm i këtyre rasteve janë raste recidive të dhunës në familje. Ndërsa, shqetësimi kryesor mbeten rastet e izoluara të dhunës, të cilat përfundojnë edhe me fatalitet.
Nga viti 2010 deri në prill të këtij viti janë vrarë 57 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
***
Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit "Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore". Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian';