Rrjeti SafeJournalists dënon ndalimin e fotoreporterit Gavrilo Andrić në Serbi
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër ndalimin e fotoreporterit Gavrilo Andrić në Loznicë, ndërsa ai po kryente detyrën e tij profesionale dhe po përpiqej të dokumentonte mbërritjen e aktivistit dhe fermerit Zlatko Kokanović në një seancë gjyqësore në procesin që po zhvillohet kundër tij.
Qytetarë u mblodhën sot para gjykatës në Loznicë për të shprehur mbështetje për Zlatko Kokanović, përpara seancës kryesore në procesin ndaj tij lidhur me bllokimin e hekurudhës në qershor të vitit 2024. Gavrilo Andrić ndodhej aty për të raportuar për një ngjarje me interes publik. Kokanović aktualisht ndodhet në paraburgim për një incident që ndodhi gjatë protestës së fermerëve më 1 mars të këtij viti.
Në përpjekje për të regjistruar sjelljen e një zyrtari policor, Andrić vrapoi pas automjetit policor që po transportonte Kokanovićin. Pas kësaj, policët e ndaluan, e shoqëruan dhe e dërguan në stacionin policor. Gjatë incidentit, Andrić nuk i ofendoi policët dhe nuk pati asnjë kontakt fizik me ta. Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë disa policë duke e rrethuar fotoreporterin, si dhe reagimet e qytetarëve të mbledhur që kundërshtonin veprimet e policisë.
Edhe pse Andrić u identifikua menjëherë si gazetar duke treguar dokumentin përkatës, policët vendosën ta ndalonin gjithsesi. Ai kërkoi disa herë të informohej për arsyet e ndalimit, por zyrtarët nuk ia dhanë këtë sqarim menjëherë dhe e informuan vetëm më vonë. Në stacionin policor, disa prej tyre u treguan të ashpër dhe të pakëndshëm, pa ndonjë arsye të dukshme, veçanërisht duke pasur parasysh se Andrić ishte bashkëpunues gjatë gjithë kohës. Nuk kishte asnjë bazë për një sjellje të tillë, as për ndalimin dhe as për mënyrën se si u trajtua. Madje në një moment i kërkuan të fshinte pamjet dhe fotografitë nga kamera e tij, edhe pse ai nuk e kishte kamerën me vete në atë moment. Pas dhënies së deklaratës, Andrić u lirua, por ndaj tij u ngrit një kallëzim për kundërvajtje me pretendimin se kishte prishur rendin dhe qetësinë publike.
Kujtojmë se pak para ndalimit, Andrić kishte regjistruar pamje që tërhoqën vëmendje të madhe publike. Në video shihet se si disa policë e trajtojnë në mënyrë të ashpër vajzën e Kokanovićit ndërsa ajo përpiqej t’i afrohej dhe ta shihte të atin. Edhe pse ajo vetëm donte të kishte kontakt me të, policët e penguan duke vepruar në mënyrë shumë agresive, gjë që nxiti reagime dhe kritika të shumta në publik.
Rrjeti SafeJournalists thekson se gazetarët dhe fotoreporterët kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të raportojnë për ngjarje me interes publik dhe të dokumentojnë veprimet e institucioneve në hapësira publike. Ndalimi i një punonjësi të medias gjatë kryerjes së detyrës, si dhe nisja e procedurave ndaj tij për raportimin profesional, përbën një formë serioze presioni dhe dërgon një mesazh shqetësues për të gjithë gazetarët që raportojnë nga protestat, proceset gjyqësore dhe ngjarje të tjera me interes publik.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve kompetente në Serbi që të sqarojnë urgjentisht të gjitha rrethanat e këtij incidenti, t’i japin publikut një shpjegim të qartë mbi bazën e ndalimit të Gavrilo Andrić dhe të ndalin çdo veprim që mund të përbëjë presion të pajustifikuar ndaj punonjësve të medias. Po ashtu, institucionet duhet të sigurojnë që policia të veprojë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për të drejtën e gazetarëve dhe fotoreporterëve për të kryer punën e tyre pa pengesa.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë që monitorojnë lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në rajon për këtë rast.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 10 mars 2026
-
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
-
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
-
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
-
Shoqata Kroate e Gazetarëve
-
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
-
Sindikata e Mediave e Malit të Zi











