Lajmet

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim për ndalimin e gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca, në Shqipëri


4138-title

Foto: Canva

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim lidhur me ndalimin e Vjolanda Pecës, gazetare në Citizens.al, një media jofitimprurëse në Shqipëri e fokusuar në gazetarinë qytetare. Peca u ndalua teksa po raportonte nga protesta e zhvilluar para Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë, më 23 korrik 2026.

Incidenti ndodhi gjatë një proteste qytetare para Kuvendit, pjesë e lëvizjes së vazhdueshme të qytetarëve të njohur si “Revolucioni i Flamingove”. Kjo lëvizje nisi në mbrojtje të peizazhit të mbrojtur Vjosë–Nartë, ndërsa më pas u zgjerua me kërkesa të tjera politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit u mblodhën më 23 korrik, në ditën e seancës së fundit plenare të Kuvendit para pushimit veror.

Me përshkallëzimin e tensioneve, disa protestues hodhën vezë dhe shishe në drejtim të policisë, si dhe tentuan të lëviznin barrierat mbrojtëse rreth Kuvendit. Policia përdori ujëhedhës dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Gjatë kohës që po filmonte protestën në terren, Peca u urdhërua nga zyrtarët policorë të ndalonte regjistrimin dhe më pas u shoqërua me forcë në Komisariatin e Policisë Nr. 1, ku u mbajt për më shumë se dy orë, para se të lirohej pa u ngarkuar me asnjë akuzë.

Gazetarët që raportojnë nga protestat luajnë një rol thelbësor në interes publik, duke dokumentuar si zhvillimet në terren, ashtu edhe veprimet e autoriteteve. Prania e tyre në vendngjarje nuk duhet të çojë në trajtimin e tyre si pjesëmarrës në protestë. Çdo kufizim ndaj punës apo lirisë së tyre duhet të ketë bazë të qartë ligjore dhe të jetë i nevojshëm e proporcional.

Ky rast ngre gjithashtu pikëpyetje lidhur me zbatimin e Protokollit për Sigurinë e Gazetarëve të Policisë së Shtetit, të miratuar në maj të vitit 2025. Protokolli njeh të drejtën e gazetarëve për të raportuar, fotografuar dhe filmuar gjatë protestave, përfshirë edhe veprimet e policisë, si dhe obligon zyrtarët policorë të mbrojnë sigurinë e tyre dhe të mos pengojnë punën e tyre.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Policisë së Shtetit të Shqipërisë të sqarojë bazën ligjore dhe statusin procedural mbi të cilin është mbajtur Peca, nëse zyrtarët policorë ishin në dijeni se ajo ishte duke ushtruar detyrën e gazetares, nëse i janë bërë të ditura të drejtat e saj dhe nëse telefoni, regjistrimet apo materialet e tjera gazetareske të saj janë kontrolluar ose marrë në shqyrtim.

Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë për tubimet publike dhe veprimet e policisë në mënyrë të sigurt dhe pa ndërhyrje. Rrjeti SafeJournalists pret një sqarim të shpejtë dhe transparent nga autoritetet përgjegjëse dhe do të vazhdojë ta ndjekë këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 23 korrik 2026

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni BH Gazetarët

Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: