Lajmet

SafeJournalists: Autoritetet kompetente në Serbi urgjentisht të ndalojnë linçimin e gazetarëve


3296-title

Një fushatë e orkestruar kundër gazetares së televizionit N1, Vanja Gjuriq dhe gazetarit të televizionit Nova S, Zeljko Veljkovic, ka nisur prej ditësh për shkak të komenteve të publikuara në rrjetin social X. Situata arriti kulmin kur numri i telefonit të Vanja Gjuriqit u shpërnda publikisht në rrjetin X, ndaj ngacmimi dhe përndjekja e gazetares vazhdoi me telefonata dhe mesazhe përmes telefonit.

Më 15 janar, një person i panjohur ka publikuar në rrjetin social X, videon e një vajze të mitur me veshje kombëtare duke kënduar këngë kushtuar Kosovës në një ngjarje publike. Vanja Gjuriq ka lënë një koment në atë postim: “Si është kaq e vogël dhe tingëllon si një plakë e rrethit të Kosovës”, ndërsa Zeljko Veljkovic ka shkruar: “Kthimi i përgjithshëm në mesjetë”, që u pasua me një fushatë kundër dy gazetarët e drejtuar nga politikanë të pushtetit dhe opozitës. Gazetarët morën shumë komente fyese në rrjetet sociale që përmbanin gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime, si dhe pati thirrje për dëbimin e gazetarëve nga Serbia. Fakti që vijnë nga media me orientim kritik ka shkaktuar fyerje, kërcënime dhe gjuhë të veçantë urrejtjeje.

Pas kësaj, Vanja Gjuriq ka fshirë llogaritë e saj në rrjetet sociale dhe ajo që është në qendër të ngjarjes është publikimi i paautorizuar i numrit të saj të telefonit në rrjetin social X me një ftesë për përdoruesit që të kontaktojnë gazetaren dhe të thonë se çfarë mendojnë për të, kështu që ngacmimet vazhduan përmes telefonit.

“Këtu është numri i telefonit të Vanja Gjuriqit, e cila pështyu mbi Pavlinën tonë, ndaj thuaji se çfarë mendon për të pasi ajo e ka fshirë Tweeter-in…”, thuhej në X.

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS) dënon ashpër këto kërcënime dhe publikimin e numrit të telefonit të Vanja Gjuriqit. Rasti është raportuar në Prokurorinë Speciale për Krime të Teknologjisë së Lartë dhe IJAS pret që organet kompetente të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të ndalet ndjekja e gazetarëve dhe në këtë mënyrë të tregohet se fushatat e tilla të përndjekjes janë të papranueshme.

“Është e papranueshme që në vitin 2024 duhet të merremi me leksionet e tolerancës për opinione të ndryshme dhe t'u kujtojmë qytetarëve dhe politikanëve se ata duhet të kuptojnë dhe pranojnë se njerëzit kanë mendime të ndryshme dhe nuk duhet të lejojmë që gazetarët të jenë në shënjestër dhe të persekutohen për shkak qëndrimetve të tyre. Përfaqësuesit e qeverisë dhe politikanët janë veçanërisht përgjegjës, të cilët në vend që të dënojnë gjuhën e urrejtjes dhe të dërgojnë mesazh tolerance, me deklaratat e tyre nxisin fyerje dhe kërcënime të mëtejshme. Ne i dënojmë ashpër sulmet ndaj gazetarëve të N1 dhe Nova S, dhe presim që autoritetet kompetente të mbajnë qëndrim të fortë dhe të parandalojnë sulmet e mëtejshme ndaj gazetarëve”, thotë Zheljko Bodroziq, kryetar i IJAS.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson profesionistët e medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij IJAS, në dënimin e kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes dhe kërkon nga autoritetet kompetente që të marrin të gjitha masat dhe veprimet brenda juridiksionit të tyre për t'i bërë të papranueshme shënjestrimet dhe kërcënimet e tilla. Rrjeti u bën thirrje edhe një herë përfaqësuesve të të gjitha partive politike që të ndalojnë sulmet ndaj gazetarëve me retorikën e tyre dhe të udhëhiqen nga parimet demokratike në fjalimet e tyre.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 18.01.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të BH

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: