SafeJournalists: Burri që kërcënoi gazetarin e N1 në Beograd duhet të identifikohet dhe të ndiqet penalisht urgjentisht
Burimi: SafeJournalists
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër kërcënimet serioze ndaj gazetarit të televizionit N1, Mladen Savatović, gjatë kohës kur ai po kryente detyrën e tij si gazetar para objektit të Administratës së Qytetit të Beogradit dhe u bën thirrje autoriteteve kompetente serbe që, pa vonesë, ta identifikojnë dhe ta ndjekin penalisht personin që e kërcënoi me dhunë fizike.
Sipas N1, Savatović po raportonte dje për një incident ku ishin përfshirë kryetari i Beogradit, Aleksandar Šapić, dhe këshilltarja e Kreni-Promeni, Tanja Micić, e cila deklaroi se Šapić ia kishte thyer hundën.
Derisa Savatović po priste të dilte drejtpërdrejt në emisionin Studio Live, një person i panjohur iu afrua dhe e kërcënoi, duke i thënë: “Je me fat që jam me gruan time. Herën tjetër do ta bëj kokën copë.”
Personi më pas u largua, por u kthye shpejt dhe vazhdoi ta kërcënonte gazetarin: “Kam luftuar për këtë vend, ndërsa ju po e shkatërroni. Ki kujdes pas shpine.” Më pas, ai u drejtua për në Parkun Pionirski, ku prej një viti e gjysmë ndodhet një kamp i improvizuar i ngritur nga mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.
Rasti është raportuar tek autoritetet kompetente, ndërsa N1 ka publikuar fotografitë e personit që bëri kërcënimet. Prandaj, presim që policia ta identifikojë sa më shpejt personin në fjalë dhe që prokuroria të ndërmarrë të gjitha masat që janë në kompetencën e saj.
Televizioni N1 dhe gazetarët e tij prej vitesh janë ndër objektivat më të shpeshta të kërcënimeve, fyerjeve dhe fushatave të sulmeve në Serbi, ndërsa një numër i madh i rasteve të raportuara ende nuk kanë marrë epilogun e duhur gjyqësor. Mungesa e një reagimi të vendosur institucional krijon një klimë mosndëshkimi dhe rrit rrezikun që kërcënimet verbale të përshkallëzohen në dhunë fizike.
Rrjeti SafeJournalists është veçanërisht i shqetësuar për atmosferën e tensionuar gjatë fushatës zgjedhore, në të cilën gazetarët, aktivistët dhe aktorët e tjerë të shoqërisë civile po bëhen objektiv i sulmeve nga mediat proqeveritare dhe përmes kanaleve të tjera të komunikimit. Zyrtarët publikë dhe aktorët politikë duhet të përmbahen nga retorika që i paraqet gazetarët si armiq të shtetit dhe shoqërisë, pasi mesazhe të tilla mund të nxisin kërcënime dhe sulme të tjera.
Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë të monitorojë veprimet e autoriteteve kompetente në Serbi.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 3 tetor 2026
Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH-së
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











