Lajmet

SafeJournalists: Dënojmë arrestimin arbitrar të kameramanit Jetmir Muji në Kosovë


3884-title

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për shkeljet e përsëritura të lirisë së medias dhe veprimet arbitrare ndaj kameramanit të Paparacit, Jetmir Muji, nga njësia e sigurimit të afërt të Presidentes Vjosa Osmani dhe Policia e Kosovës.

Më 10 shtator, Muji u ndalua fizikisht nga njësia e sigurimit të Presidentes teksa po incizonte përgatitje për një reportazh pranë një shkolle private ku ndjekin mësimet vajzat e Presidentes Osmani. Ai u mbajt në mënyrë të paligjshme, iu konfiskua kamera dhe u ushtrua presion për të fshirë materialin filmik.

Më vonë, Muji u arrestua arbitrarisht dhe u mbajt në Stacionin Qendror të Policisë në Prishtinë, pavarësisht se po kryente punë profesionale gazetarie në hapësirë publike. Gjatë incizimeve nuk u filmuan asnjë minor, vetëm automjetet e Policisë së Kosovës që ndodheshin pranë shkollës. Portali informativ po punonte një reportazh për arsye se pse Osmani kishte vendosur të ndryshonte shkollën e vajzave të saj nga publike në private dhe rreth kushteve financiare të shkollës së re. Materiali filmik ishte i përgjithshëm dhe me pamje të afërta, pa zbuluar vendndodhjen e saktë të shkollës së re.

Masat disproporcionale të ndërmarra nga Policia e Kosovës janë të papranueshme dhe të paligjshme, dhe përbëjnë ndërhyrje direkte në punën gazetareske si dhe shkelje të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Raportimi mbi vendin ku ndjekin shkollën fëmijët e udhëheqësve shtetërorë, duke respektuar rregullat etike për minorët, mbetet një çështje legjitime me interes publik. Çdo pengesë ndaj kësaj të drejte është censurë dhe sulm ndaj lirisë së medias. Pas disa orësh mbajtje të paligjshme, prokurori urdhëroi lirimin e Mujit, duke konfirmuar se nuk ishte kryer asnjë vepër penale, pasi incizimet u bënë në hapësirë publike. Në vend që të distancohej nga këto veprime, Presidentja Osmani lëshoi një deklaratë publike duke sulmuar gazetarët, duke i akuzuar për “ndjekje të rrezikshme dhe të paligjshme” dhe duke sugjeruar se disa janë të përfshirë në “aktivitetet e paligjshme”. Kjo retorikë përbën intimidim publik ndaj gazetarëve nga kreu i shtetit, duke ngritur shqetësime serioze për keqpërdorim të pushtetit dhe akses në informacionet e sigurisë.

“Jemi të indinjuar për arrestimin e Jetmirit dhe mbajtjen e tij të paligjshme në stacion policor, ku u mbajt për disa orë pa urdhër nga Prokuroria. Kjo është një shkelje flagrante e lirisë së medias dhe e së drejtës së qytetarëve për të marrë informacione mbi çështje me interes publik. Sulmet e mëtejshme dhe komentet e Presidentes Osmani dhe bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, ndaj medias janë të dëshpëruara dhe tregojnë për presionin e madh që ushtrohet ndaj gazetarëve nga ata që janë në pushtet”, thotë Xhemajl Rexha, Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Rrjeti SafeJournalists thekson se këto zhvillime përbëjnë një kërcënim serioz për lirinë e medias në Kosovë dhe krijojnë një precedent të rrezikshëm ku gazetarët rrezikojnë kriminalizim vetëm për kryerjen e profesionit të tyre. Ne kërkojmë llogaridhënie nga Policia e Kosovës dhe njësia e sigurimit të Presidentes për mbajtjen dhe trajtimin e paligjshëm të Mujit, një hetim të pavarur nga Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK), si dhe që Presidentja Osmani të ndalojë menjëherë praktikat jodemokratike të sulmeve ndaj medias dhe të garantojë respektimin e plotë të lirisë së shtypit, siç e garanton Kushtetuta e Kosovës.

Rrjeti SafeJournalists qëndron në solidaritet të plotë me kolegun tonë, Jetmir Muji.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 11 shtator 2025

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikatat e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: