SafeJournalists: Dënojmë ashpër sulmin e dhunshëm dhe kërcënimin ndaj redaksisë së Infomax në Maqedoninë e Veriut
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin e ndodhur mbrëmë në zyrat e “Infomax” në Shkup, Maqedonia e Veriut, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, kur një person i panjohur depërtoi me forcë në ambientet e medias, ndërpreu transmetimin dhe rrezikoi seriozisht sigurinë e gazetarëve dhe të gjithë ekipit editorial.
Sipas informacioneve të disponueshme, agresori mbërriti me taksi para objektit dhe filloi të trokiste me agresivitet në derën e hyrjes, e cila ishte e mbyllur dhe e siguruar me kod. Menjëherë pas kësaj, duke përdorur forcë, ai hyri në oborrin e redaksisë, theu derën, depërtoi në ndërtesë dhe tentoi të arrinte studion. Ndërkohë, një nga gazetarët e punësuar doli nga studio dhe personi që depërtoi drejtoi ndaj tij një sërë fyerjesh dhe kërcënimesh verbale.
Ky depërtim i dhunshëm, përveç dyshimit të qartë për kryerjen e disa veprave penale, shkaktoi edhe ndërprerjen e detyruar të transmetimit të drejtpërdrejtë, duke penguar drejtpërdrejt gazetarët në kryerjen e detyrave profesionale dhe duke përbërë një sulm serioz ndaj lirisë së informimit, vepër e dënueshme sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, që mund të sjellë edhe dënim me burg. Sipas informacioneve të fundit, personi i dyshuar për thyerjen dhe depërtimin është arrestuar sot nga policia.
Mladen Çadikovski, Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë (AJM), theksoi se ky incident i rëndë shërben si një paralajmërim i radhës për cenueshmërinë e gazetarëve dhe punonjësve të mediave, si dhe për mjedisin sfidues në të cilin ata janë të detyruar të punojnë. “Gazetarët luajnë një rol kyç në informimin e publikut, dhe shteti është i detyruar të sigurojë kushte ku ata mund të punojnë të sigurt dhe pa ndërprerje,” deklaroi Çadikovski.
Rrjeti SafeJournalists shpreh mbështetje të fuqishme për kolegët në Maqedoninë e Veriut dhe për të gjithë ekipin editorial të “Infomax,” dhe u bën thirrje autoriteteve kompetente – Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike – që të ndërmarrin menjëherë, profesionalisht dhe pa vonesë, të gjitha hapat për zgjidhjen e plotë të rastit, identifikimin dhe sanksionimin e rreptë të autorit, si dhe garantimin e mbrojtjes për gazetarët.
Ne presim që autoritetet të reagojnë me tolerancë zero ndaj dhunës kundër gazetarëve dhe mediave dhe të sigurojnë garanci që raste të tilla të mos përsëriten. Sigurimi i kushteve të sigurta të punës për gazetarët është një element themelor i demokracisë dhe i së drejtës së publikut për t’u informuar.
Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë rast dhe do të reagojë sa herë që cenohet siguria e gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 11 dhjetor 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











