Lajmet

SafeJournalists: Dënojmë dhunën policore dhe kërcënimet me vdekje ndaj gazetarëve të N1 në Serbi


3742-title

Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm përdorimin brutal të forcës nga ana e policisë dhe xhandarmërisë ndaj gazetarëve, studentëve dhe qytetarëve gjatë ngjarjeve të sotme përpara Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik në Novi Sad. Gjithashtu, dënojmë kërcënimet më të fundit me vdekje të dërguara redaksisë së televizionit N1 përmes një emaili, në të cilin kërcënohej me të shtëna ndaj gazetarëve të N1 dhe studentëve protestues.

Studentët dhe qytetarët u mblodhën që në mëngjes përpara Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik për të parandaluar dekanin Patrik Drid që të “përpiqej të çante bllokadën e atij fakulteti”. Me këtë rast, policia përdori forcë pa dallim.

Gazetari i portalit Razglas-news, Žarko Bogosavljević, i cili mbante jelek me mbishkrimin PRESS, ishte në mesin e qytetarëve dhe studentëve të cilët u dhunuan sot nga policia.

Ai i tha Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (IJAS) se nuk ishte e qartë arsyeja e ndërhyrjes së policisë, pasi deri në atë moment asnjë nga qytetarët e mbledhur nuk kishte tentuar të kundërpërgjigjej.

“Sipas mendimit tim, përdorimi i forcës ishte i papërshtatshëm. Kur filluan shtytjet, mora spraj piperi, ashtu si dhjetëra persona të tjerë. Mora gjithashtu dy goditje, një me shkop gome dhe një tjetër me mburojë, si dhe një shtytje. Dhe gjatë ndërhyrjes së dytë, një anëtar i ekipit të ndërhyrjes më goditi me mburojë tek hyrja anësore,” tha Bogosavljević.

Gazetarët e televizionit N1 kishin marrë më parë kërcënime me vdekje ditën e premte.

“Do të isha i lumtur t’ju qëlloja të gjithëve bashkë nga shtëpia N1 me Đilas dhe Šolak, që të zhduken të gjithë këta plehra tradhtarë. Do të qëlloja edhe këta studentë të helmuar = turmë, që nuk kanë asnjë shpresë të shërohen nga sëmundja juaj!!! Zhdukuni, fashistë të neveritshëm, të gjithë!”, ishte mesazhi që redaksia e N1 mori të premten përmes emailit.

Rrjeti SafeJournalists paralajmëron se mesazhe të tilla urrejtjeje dhe dhune përbëjnë vepër penale dhe duhet të trajtohen si kërcënime serioze ndaj sigurisë së gazetarëve dhe qytetarëve. U bëjmë thirrje autoriteteve kompetente, veçanërisht Prokurorisë për Krimin Kibernetik dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që të identifikojnë dhe ndjekin penalisht urgjentisht personin që dërgoi këto kërcënime.

Shprehim gjithashtu shqetësim për sulmin ndaj gazetarit Žarko Bogosavljević nga ana e policisë, ndërkohë që ai ishte duke kryer detyrën e tij gazetareske – për të informuar publikun për ngjarjet me interes publik. Praktika e muajve të fundit, kur policia nuk ka reaguar ndaj sulmeve dhe ndërhyrjeve ndaj gazetarëve gjatë raportimit, edhe pse kanë qenë në vendngjarje, është gjithashtu shqetësuese.

Rrjeti SafeJournalists kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë një hetim urgjent dhe të gjithanshëm të të gjitha rrethanave të këtij incidenti, identifikimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve policorë përgjegjës, si dhe sigurimin e mbrojtjes së gazetarëve që e kryejnë punën e tyre në përputhje me standardet më të larta profesionale.

Detyra e policisë nuk është të shtypë brutalisht protestat civile dhe lirinë e shprehjes, por të mbrojë të drejtat dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe gazetarët.

Këto incidente edhe një herë konfirmojnë nivelin shqetësues të kërcënimeve ndaj gazetarëve në Serbi dhe atmosferën e mosndëshkimit, në të cilën sulmet dhe kërcënimet ndaj punonjësve të medias po ndodhin gjithnjë e më shpesh, veçanërisht që nga fillimi i protestave studentore.

Rrjeti SafeJournalists do t’i informojë edhe aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këto zhvillime shqetësuese.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 28.04.2025

Association of Journalists of Kosovo

Association of Journalists of Macedonia

BH Journalists Association

Croatian Journalists’ Association

Independent Journalists’ Association of Serbia

Trade Union of Media of Montenegro

Share this Post: