SafeJournalists dënon ashpër gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarit Ivica Puljić nga këshilltari i një anëtari të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër retorikën agresive, fyese dhe shpifëse të përdorur nga Kemal S. Beganović, këshilltar i anëtarit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić, ndaj Ivica Puljić, korrespondent i Televizionit Federal (FTV) nga Uashingtoni.
Në një seri postimesh në platformën sociale X, Beganović përdori gjuhë degraduese dhe akuza të pabazuara, në një përpjekje të dukshme për të diskredituar punën profesionale dhe integritetin personal të Puljić. Veçanërisht shqetësuese janë referencat që e vendosin gazetarin në narrativa të lidhura me krimet e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, gjë që përbën një keqpërdorim të rrezikshëm të traumës historike për të shënjestruar dhe frikësuar profesionistët e mediave.
Rrjeti SafeJournalists thekson se përdorimi i këtyre narrativave nga një individ që mban një pozitë me përgjegjësi në kuadër të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës është jo vetëm thellësisht i papërgjegjshëm, por edhe nxit përçarje etnike dhe intolerancë në shoqëri. Lidhja e një gazetari me ideologji të ndërlidhura me krime të ndjekura nga Tribunali Penal Ndërkombëtar në Hagë tejkalon shpifjen dhe krijon një mjedis armiqësor që mund të rrezikojë seriozisht sigurinë dhe dinjitetin e personit të shënjestruar.
Sulme të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave dhe llogaridhënies në një shoqëri demokratike. Ato gjithashtu ngrenë shqetësime serioze për presion politik ndaj Televizionit Federal (FTV), duke minuar rolin e tij si transmetues publik dhe duke dëmtuar besimin e publikut në gazetarinë e pavarur.
Është veçanërisht shqetësuese që një sjellje e tillë vjen nga një individ i lidhur ngushtë me institucionet më të larta shtetërore. Këshilltarët e zyrtarëve publikë bartin jo vetëm ndikim, por edhe përgjegjësi. Komunikimi i tyre publik duhet të reflektojë përkushtim ndaj dialogut, respektit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, e jo të kontribuojë në krijimin e një klime armiqësie ndaj gazetarëve.
Prandaj, Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje z. Željko Komšić që të distancohet qartë dhe pa ekuivok nga këto deklarata dhe të ndërmarrë masa konkrete për të siguruar që sjellje të tilla të mos përsëriten. Heshtja në raste të tilla rrezikon të interpretohet si miratim i heshtur. Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjithë zyrtarëve publikë në Bosnje dhe Hercegovinë që të përmbahen nga shënjestrimi i gazetarëve dhe të kontribuojnë aktivisht në mbrojtjen e pavarësisë dhe sigurisë së tyre.
Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë rast. Ne shprehim solidaritet me kolegët tanë në Bosnje dhe Hercegovinë që përballen me presion, frikësim apo sulme për shkak të punës së tyre profesionale.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 2 prill 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave e Malit të Zi











