Lajmet

SafeJournalists dënon përjashtimin arbitrar të gjashtë gazetarëve të RTK-së


3868-title

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për përjashtimin arbitrar të gjashtë gazetarëve nga moderimi i programeve në RTK.

Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa, Jehona Zhitia dhe Valon Bajrami u informuan pa paralajmërim paraprak se janë përjashtuar nga moderimi i dy programeve kryesore informative: magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Ky vendim i menaxhmentit të RTK-së, që është tërësisht politik dhe i lidhur me pushtetin, erdhi menjëherë pasi gazetarët ngritën zërin për vonesën e pagesës së pagave të korrikut, të cilat u ekzekutuan vetëm më 22 gusht për shkak të mosmiratimit të buxhetit të RTK-së nga Kuvendi.

Ky akt i paprecedentë i censurës përbën një ndëshkim të drejtpërdrejtë ndaj punës profesionale dhe politikisht të pavarur të gazetarëve, si dhe ndaj qëndrimit të tyre publik për vonesën e pagave. Ai gjithashtu ilustron presionin e vazhdueshëm që ushtron qeveria në detyrë mbi RTK-në, duke minuar më tej lirinë e medias dhe pavarësinë e transmetuesit publik.

“Duke i larguar nga ekrani këta gjashtë gazetarë, për fat të keq menaxhmenti aktual i RTK-së po vazhdon politikën e favorshme ndaj Qeverisë aktuale dhe partisë në pushtet, Vetëvendosje,” tha Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së. “AGK i sheh këto veprime si një përpjekje të hapur për të heshtur gjashtë gazetarët për punën e tyre të përkushtuar e profesionale, të lirë nga presioni politik dhe nga intimidimi që vjen nga Qeveria përmes Menaxhmentit. Ne kërkojmë nga Ushtruesi i Detyrës i Drejtorit të Përgjithshëm të tërheqë këtë vendim dhe t’u mundësojë gazetarëve dhe të gjithë punonjësve të RTK-së të kryejnë punën e tyre në interesin më të mirë publik.”

Veprime të tilla janë të papranueshme. Ato synojnë të heshtin zërat kritikë, të përhapin frikë tek punëtorët e medias dhe të dobësojnë rolin e RTK-së si shërbim publik. Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet të plotë me kolegët tanë dhe i bën thirrje menaxhmentit të RTK-së të tërheqë menjëherë këtë vendim arbitrar dhe t’u mundësojë gazetarëve e redaktorëve të kryejnë detyrat e tyre pa ndërhyrje politike.

Çdo akt censurimi ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 27 gusht 2025

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: