SafeJournalists dhe EFJ: Të lirohet menjëherë dhe të pushohen akuzat ndaj gazetares Nataša Miljanović Zubac në Bosnjë dhe Hercegovinë
Rrjeti SafeJournalists (SJN) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) kërkojnë lirimin e menjëhershëm dhe pushimin e akuzave ndaj gazetares Nataša Miljanović Zubac.
Mbrëmë vonë, Miljanović Zubac u transferua nga Trebinja në Sarajevë, e shoqëruar nga oficerë policie dhe inspektorë të Policisë Kufitare. Para transferimit, shtëpia e saj familjare u kontrollua dhe u sekuestruan pajisjet dhe materialet e saj profesionale. Ajo dyshohet për “zbulim të sekreteve zyrtare”.
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës (BHJA) dhe komuniteti më i gjerë i gazetarëve kanë mbetur të tronditur. Zyrtarë të autorizuar të Policisë Kufitare, me miratimin e Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, kërkuan dhe morën verbalisht një urdhër nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës për kontroll ndaj gazetares. Kjo u bë pavarësisht punës së saj shumëvjeçare si gazetare dhe qytetare e përgjegjshme, e cila, në mënyrë vullnetare dhe pa detyrim, ka ndarë për vite me radhë informacion dhe dokumente mbi krime të mundshme brenda strukturave policore, përfshirë Policinë Kufitare të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Këto veprime përbëjnë një rast të qartë presioni dhe frikësimi institucional. Ato cenojnë të drejtën e Miljanović Zubac për liri të shprehjes dhe përfaqësojnë një përdorim joproporcional të forcës ndaj të drejtës së gazetares për të punuar lirshëm, në siguri dhe me dinjitet — pavarësisht faktit se ligji penal i Bosnjë dhe Hercegovinës lejon marrjen në pyetje mbi mënyrën se si gazetarët sigurojnë informacione për krimet e kryera nga të tjerët.
SJN dhe EFJ dënojnë fuqimisht përpjekjet për kriminalizimin e Miljanović Zubac, e cila raporton mbi krimin, ndërsa autorët e vërtetë mbeten të lirë. Ne u kujtojmë të gjitha institucioneve të përfshira se gazetarët kanë të drejtë të mbrojnë burimet e tyre, si dhe të refuzojnë bashkëpunimin me organet policore dhe gjyqësore kur veprimet e tyre shkelin të drejtat e gazetarëve.
Miljanović Zubac ka qenë e ekspozuar ndaj sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme që nga sulmi me zjarr ndaj makinës së saj në vitin 2022. Ndër incidentet e fundit, ajo është kërcënuar madje se “do t’i pritej koka”. Ndërkohë që ajo po hetohet për raportimin e saj, të gjitha krimet dhe kërcënimet ndaj saj kanë mbetur të pandëshkuara. EFJ dhe Rrjeti SafeJournalists, që nga fillimi i këtyre sulmeve, kanë kërkuar mbrojtje më të fortë për të, dhe e konsiderojnë alarmant faktin që po shohin në vend të kësaj abuzim të të drejtave të gazetarëve.
Aktualisht, në Prokurorinë e Bosnjë dhe Hercegovinës është duke u zhvilluar një seancë dëgjimore për Nataša Miljanović Zubac, në prani të një avokati nga Free Media Help Line. Ne kërkojmë që të gjitha akuzat hakmarrëse ndaj saj të pushohen menjëherë dhe të zhvillohet një hetim i pavarur mbi ngacmimin gjyqësor dhe kërcënimet që synojnë të heshtin punën e saj.
Rrjeti SafeJournalists
Asociacioni Kroat i Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikatë e Medias së Malit të Zi
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)











