Lajmet

SafeJournalists: Institucionet duhet të reagojnë urgjentisht ndaj valës së kërcënimeve kundër gazetarëve në Serbi


3962-title

Rrjeti SafeJournalists dënon një sërë kërcënimesh ndaj gazetarëve në Serbi gjatë ditëve të fundit, si dhe një fushatë shpifëse të dukshëm të organizuar në rrjetin social X kundër gazetares së televizionit N1, Ana Novaković.

Pas fyerjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, ndaj gazetarit të televizionit N1, Mladen Savatović, në një konferencë për shtyp tre ditë më parë, pasoi një valë kërcënimesh ndaj tij përmes rrjeteve sociale dhe komenteve në portalet e lajmeve. Gazetari u kërcënua fillimisht nga një individ që deklaroi se do ta priste para redaksisë, ndërsa ditën pasuese u shfaqën kërcënime të tjera në rrjetet sociale.

“…as kamera nuk do të të shpëtojë, o ustash…”, “Do të mbetesh pa veshë, tradhtar i qelbur”, “…duhet të marrësh një mësim…”, janë disa nga mesazhet që gazetari ka marrë gjatë tre ditëve të fundit.

Kërcënime janë drejtuar edhe ndaj redaksisë së N1 në rrjetin social X. Një përdorues me pseudonimin “Patak” ka shpërndarë një video të një bastisjeje të policisë ruse në redaksinë e portalit “Ura.ru” në Jekaterinburg, të shoqëruar me mesazhin: “Sikur të mund të hyja kështu në N1.”

Në mesazhe të mëvonshme, të shoqëruara me ilustrime të reja, thuhet: “Gjithçka duhet të digjet. Së pari RTS…”, ndërsa një llogari tjetër shton: “Mos shko vetëm, ka nga ne që me kënaqësi do të të shoqëronim.”

Autorët e emisionit “Dobar, loš, zao”, Marko Vidojković dhe Nenad Kulačin, gjithashtu kanë marrë një sërë kërcënimesh ditët e fundit. I fundit u shfaq në një koment në llogarinë në Instagram të Shoqatës së Mediave Elektronike të Pavarura (ANEM), si reagim ndaj deklaratës së ANEM-it lidhur me kërcënimet e mëparshme ndaj Vidojković dhe Kulačin.

Këtë herë, në një koment nën postim thuhej: “Mjaft me kërcënime, le të kalojmë në veprime”, si dhe një tjetër koment kërcënues: “Hajde, hiqni qafe. Provokatorë, të bezdisshëm.”

Gazetarja Brankica Stanković e televizionit Insajder ka qenë sërish në shënjestër të grupeve të tifozëve. Konkretisht, të mërkurën, gjatë ndeshjes së EuroLeague Partizan–Virtus, u dëgjuan përsëri thirrje kërcënuese ndaj saj. Kujtojmë se, mbi bazën e vlerësimeve të sigurisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP) i kishte caktuar më herët Brankica Stanković mbrojtje 24-orëshe, të cilën ajo e ka pasur për vite me radhë. Siguria e saj ishte rrezikuar për shkak të serialit “(Pa)Fuqia e Shtetit”, i cili trajtonte huliganizmin. Kohët e fundit, thirrjet kundër Brankica Stanković në ndeshjet e Partizanit janë bërë të shpeshta.

Përveç kërcënimeve, Rrjeti SafeJournalists tërheq vëmendje të veçantë edhe ndaj një fushate të organizuar shpifëse në rrjetin social X, të drejtuar kundër gazetares së N1, Ana Novaković. Pas raportimit të saj mbi procedurat e nisura nga Prokuroria për Krimin e Organizuar kundër ministrit të Kulturës, Nikola Selaković, u shfaq një numër i madh komentesh fyese, seksiste dhe mizogjene, të cilat tregojnë qartë një shënjestërzim të koordinuar të gazetares për shkak të punës së saj profesionale.

Anëtarët e Rrjetit SafeJournalists janë thellësisht të shqetësuar për situatën në Serbi, e cila është përkeqësuar gjatë ditëve të fundit. Atmosfera e intolerancës, fyerjeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve të pavarur ushqehet më tej nga sjellja e zyrtarëve të lartë ndaj punonjësve të mediave, duke dërguar një mesazh të rrezikshëm dhe duke krijuar një mjedis ku dhuna normalizohet.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje institucioneve kompetente që të reagojnë urgjentisht ndaj kësaj vale kërcënimesh, të identifikojnë dhe ndjekin penalisht autorët, si dhe të dëshmojnë se po punojnë aktivisht për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve në Serbi.

Gjithashtu, Rrjeti kërkon që zyrtarët publikë dhe mbajtësit e funksioneve shtetërore të ndalojnë shënjestrimin, fyerjet dhe nxitjen e fushatave kundër gazetarëve, dhe që detyrat e tyre t’i ushtrojnë me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjet e Serbisë, në vend që të abuzojnë me pozitat e tyre për të larë hesapet me mediat që raportojnë në interes të publikut.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë,
19 dhjetor 2025

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje e Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: