Lajmet

SafeJournalists: Intimidimi i gazetarit Vincent van Gerven Oei në Shqipëri duhet të ndalet


3489-title

Rrjeti SafeJournalists është thellësisht i alarmuar nga frikësimi i fundit i gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei, i cili botoi në fillim të këtij viti, një artikull kritik të titulluar "Si të pastroni artin dhe paratë përmes koncesioneve për menaxhimin e mbeturinave". Ky shkrim shpjegonte pastrimin e dyshuar të parave që përfshinte Bashkinë e Tiranës dhe skenën e artit të Shqipërisë, të lidhura veçanërisht me projektet e inceneratorëve.

Pas publikimit të artikullit, artisti Driant Zeneli, bashkëthemelues i fondacionit Harabel – një organizatë jofitimprurëse që promovon artin bashkëkohor, bashkëthemeluar nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj – nisi një sërë mesazhesh kërcënuese për gazetarin van Gerven Oei përmes rrjeteve sociale. Përplasja u përshkallëzua më 4 shtator, kur Zeneli, i shoqëruar nga tre të tjerë, u përball me Van Gerven Oei, në hapjen e një galerie në Tiranë, duke përdorë gjuhë agresive dhe homofobike, dhe duke tentuar sulmin fizik. Ndërhyrja nga kalimtarët e rastit parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm.

Ky incident ngre shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri, veçanërisht kur raportohet për tema të ndjeshme që përfshijnë figura të fuqishme. Ngacmimi i gazetarëve minon lirinë e shtypit, duke dekurajuar raportimin kritik, dhe duke kufizuar aksesin e publikut në informacion.

Rrjeti SafeJournalists, u bën thirrje autoriteteve përkatëse që të hetojnë tërësisht këtë incident, dhe të sigurojnë që gazetarët të mund të kryejnë detyrat e tyre pa frikë nga hakmarrja ose dhuna. Ne qëndrojmë në solidaritet me Vincent van Gerven Oei, dhe riafirmojmë angazhimin tonë për të mbrojtur lirinë e medias në të gjithë rajonin.

Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë të monitorojë këtë rast dhe të avokojë për të drejtat e gazetarëve, duke u siguruar që ata të mbeten të lirë të raportojnë për çështje me interes publik.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 10 shtator 2024

Association of Journalists of Kosovo
Association of Journalists of Macedonia
BH Journalists Association
Croatian Journalists’ Association
Independent Journalists Association of Serbia
Trade Union of Media of Montenegro

Share this Post: