SafeJournalists: Kërcënime të rënda ndaj gazetarit Dino Durmić në Facebook në Bosnjë dhe Hercegovinë
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër kërcënimet me vdekje dhe fyerjet e shumta ndaj gazetarit të Televizionit Federal (FTV), Dino Durmić, të cilat u publikuan në rrjetin social Facebook. Mesazhet e para kërcënuese, që përfshijnë edhe paralajmërime për padi, janë postuar nga një llogari që identifikohet si Melisa Butković nga Živinice, pronare e një dyqani lulesh në këtë qytet të Bosnjë dhe Hercegovinës. Pas publikimeve fillestare, gazetari u bë shënjestër edhe e kërcënimeve të tjera me vdekje nga përdorues të tjerë të rrjetit.
Melisa Butković është një nga 11 personat e arrestuar më 3 qershor 2025, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe trafikim droge, gjatë një operacioni ndërkombëtar të policisë që u zhvillua në zonat e Živinicës dhe Banovićit. Pas lirimit nga paraburgimi më 4 qershor, dhe pasi raporti zyrtar i policisë u transmetua në edicionin qendror të lajmeve në FTV, Butković postoi një sërë mesazhesh fyese dhe kërcënuese drejtuar gazetarit Durmić.
Posaçërisht shqetësuese janë komentet që pasuan postimin, të cilat përmbajnë gjuhë të urrejtjes, shpifje dhe thirrje për dhunë fizike ndaj gazetarit dhe familjes së tij, përfshirë një kërcënim të drejtpërdrejtë që thotë se ai “ka kokë për snajper”.
Rrjeti SafeJournalists i konsideron këto sulme si një kërcënim serioz për sigurinë personale dhe profesionale të gazetarit Durmić dhe familjes së tij, si dhe një shkelje e rëndë e lirisë së shprehjes dhe e të drejtës së publikut për informim. Këto veprime janë një sulm brutal ndaj profesionit të gazetarisë dhe synimit të tij për të raportuar mbi çështje me interes të lartë publik, siç është lufta kundër krimit të organizuar.
Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Tuzlës dhe Prokurorisë Kantonal në Tuzlë që të nisin një hetim të menjëhershëm, të marrin në pyetje të dyshuarit dhe të ndërmarrin masa konkrete ndaj të gjithë personave përgjegjës për kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes. Gjithashtu, pikat e kontaktit për sigurinë e gazetarëve pranë këtyre institucioneve duhet të reagojnë me përkushtim për të parandaluar çdo formë të mëtejshme të frikësimit, dhunës apo sulmeve ndaj jetës profesionale dhe private të gazetarit.
Rrjeti SafeJournalists do ta informojë për këtë rast opinonin publik vendor dhe ndërkombëtar, si dhe organizatat partnere që ndjekin lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve.
Çdo sulm ndaj gazetarëve përbën një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 6 Qershor 2025
- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
- Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
- Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
- Shoqata e Gazetarëve Kroatë
- Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
- Sindikata e Mediave të Malit të Zi











