SafeJournalists: Kërcënimet ndaj redaksisë së N1 në Serbi janë rezultat i një fushate të rrezikshme të shënjestrimit të gazetarëve – Autoritetet duhet të veprojnë menjëherë
Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm kërcënimet brutale të drejtuara ndaj redaksisë së televizionit N1, si edhe akuzën publike të bërë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili e përshkroi raportimin e televizioneve N1 dhe Nova S si “terrorizëm i pastër”. Një gjuhë e tillë nga zyrtarët më të lartë shtetërorë përbën nxitje të drejtpërdrejtë për dhunë ndaj gazetarëve dhe përfaqëson një keqpërdorim të institucioneve – me pasoja të rënda për sigurinë e gazetarëve.
Pas shënjestrimit të gazetarëve të N1 dhe Nova nga Presidenti Vučić, dhe pas thirrjes publike të kryeredaktorit të tabloidit proqeveritar Informer, Dragan J. Vučićević, për arrestimin e tyre, redaksia e N1 mori një sërë mesazhesh që përmbanin kërcënime të qarta për vdekje, fyerje dhe thirrje për dhunë fizike. Disa nga këto mesazhe përfshijnë:
“...policia, rrihni këta maskarenj,” “do ta paguani këtë thirrje të tërthortë për luftë civile,” “do të varen në Terazije, herët a vonë,” “së shpejti do të digjeni,” “rreshtojini të gjithë dhe qëllojini,” “...ka ardhur koha për një përballje të madhe, askush nuk mund të na ndalë... ku të shohim dikë nga N1 ATA DO TË VDESIN – KJO NUK ËSHTË KËRCËNIM, KJO ËSHTË AJO QË DO TË NDODHË NËSE NUK BINDENI.”, këto janë vetëm disa nga shumë kërcënimet që u dërguan gazetarëve të N1.
N1 dhe Nova janë ndër të paktat media që raportojnë në mënyrë profesionale mbi protestat në Serbi, përfshirë aktet e mosbindjes civile të ndërmarra nga studentët. Gazetaria që ata bëjnë është thelbësore për informimin e publikut dhe ruajtjen e rendit demokratik. Sulmet ndaj tyre përfaqësojnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar. Veçanërisht shqetësuese janë thirrjet që kërkojnë ndërhyrje të prokurorisë mbi akuza të rreme të bëra nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Presidentit Vučić të ndalojë së shënjestruari median dhe gazetarët, të marrë përgjegjësi për deklaratat e tij dhe të përmbahet nga nxitja e dhunës në shoqëri, duke pasur parasysh pozitën e tij si një nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje Prokurorisë për Krime të Teknologjisë së Lartë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të identifikojnë dhe ndjekin penalisht urgjentisht personat përgjegjës për kërcënimet e dërguara në redaksinë e N1.
Mbrojtja e gazetarëve që ushtrojnë punën e tyre me profesionalizëm dhe guxim duhet të jetë prioritet në çdo shtet demokratik. U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve përkatës, vendorë dhe ndërkombëtarë, që të ndjekin nga afër këtë situatë dhe të shprehin solidaritet me kolegët e sulmuar.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 1 Korrik 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











