Lajmet

SafeJournalists më 8 Mars: Siguria e gazetareve dhe raportimi i përgjegjshëm gjinor janë parakusht për media të lira


4006-title

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, Rrjeti SafeJournalists thekson se gazetaret në vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me kërcënime të vazhdueshme, presione dhe ngacmime me bazë gjinore, veçanërisht në hapësirën digjitale, ndërsa institucionet shpesh nuk reagojnë mjaftueshëm shpejt dhe në mënyrë efektive.

Midis vitit 2021 dhe fundit të 2024, Rrjeti SafeJournalists ka regjistruar gjithsej 196 incidente të kryera ekskluzivisht kundër gazetareve, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 janë dokumentuar tashmë 121 raste. Këto shifra tregojnë një rritje alarmante dhe theksojnë nevojën urgjente për masa më të forta mbrojtëse, veçanërisht në rastet e ngacmimit online, kërcënimeve dhe fushatave të koordinuara të sulmeve ndaj gazetareve.

Gazetaret dhe kushtet e punës: kërcënime, presion dhe reagime të ngadalta institucionale

Dhuna digjitale është bërë forma më e përhapur e sulmit, duke përfshirë fushata të koordinuara shpifjeje, gjuhë urrejtjeje me bazë gjinore dhe kërcënime të seksualizuara, përfshirë kërcënime për përdhunim dhe vdekje, shpesh të drejtuara edhe ndaj anëtarëve të familjes. Megjithëse ekzistojnë gjurmë digjitale të këtyre sulmeve, reagimet institucionale shpesh janë të ngadalta ose mungojnë, gjë që i dekurajon viktimat të raportojnë dhe normalizon dhunën online.

Gratë përbëjnë shumicën e forcës së punës në gazetari në vendet e rrjetit SJN, megjithatë ato përballen me hendekun gjinor në paga, përparim më të ngadalshëm në karrierë dhe nënvlerësim brenda hierarkive redaksionale, si dhe me një nivel të lartë kontratash joformale dhe mungesë të mbrojtjes sociale. Një mjedis i tillë rrit cenueshmërinë, nxit vetëcensurën dhe ngushton hapësirën për integritet profesional.

Gratë në media: stereotipe dhe mungesë e dukshmërisë

Përtej sfidave që lidhen me sigurinë dhe kushtet e punës, vazhdon të ekzistojë një problem i qëndrueshëm edhe në mënyrën se si gratë përfaqësohen në media. Global Media Monitoring Project (GMMP), i cili prej tridhjetë vitesh mat të njëjtët tregues të përfaqësimit gjinor në lajme, tregon se digjitalizimi nuk ka sjellë një shkëputje domethënëse nga stereotipet: gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në lajmet “e forta” dhe shumë shpesh paraqiten përmes viktimizimit ose roleve tradicionale, ndërsa dhuna me bazë gjinore mbulohet në mënyrë të pamjaftueshme në raport me përmasat reale të problemit.

Deklarata për sigurinë e gazetareve: një përgjigje rajonale

Duke njohur përmasat e problemit, Rrjeti SafeJournalists nisi nënshkrimin e Deklaratës për Përmirësimin e Sigurisë së Gazetareve në Ballkanin Perëndimor gjatë një konference rajonale të mbajtur në Beograd në shtator 2025. Deri më tani, Deklarata është nënshkruar nga gati 400 palë të interesuara nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, duke treguar një gatishmëri të gjerë brenda komunitetit mediatik dhe partnerëve përkatës për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë sistematike.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje institucioneve, mediave dhe shoqatave profesionale të sigurojnë veprime efektive në rastet e dhunës digjitale dhe asaj me bazë gjinore; redaksive të vendosin mekanizma të qartë të brendshëm për mbrojtje dhe mbështetje; si dhe mediave të garantojnë raportim të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj çështjeve gjinore, pa stereotipe. Siguria e gazetareve dhe dukshmëria e barabartë e grave në lajme nuk janë një “agjendë e specializuar”, por një themel i gazetarisë profesionale dhe i lirisë së medias.

Share this Post: