Lajmet

SafeJournalists: Policia e Shtetit në Shqipëri nuk duhet t’i pengojë gazetarët gjatë raportimit nga protestat para Kuvendit


4189-title

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të madh për raportimet se zyrtarë të Policisë së Shtetit kanë penguar ekipet e mediave gjatë mbulimit të protestës para Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë, më 8 tetor 2026.

Protesta u mbajt ndërsa Kuvendi po debatonte për reformën territoriale. Policia bllokoi rrugët që çojnë drejt Kuvendit me kordone dhe barriera metalike, ndërsa mediat raportuan për angazhimin e rreth 1.200 efektivëve të policisë. Tensionet u përshkallëzuan kur protestuesit shtynë kordonin policor dhe hoqën barrierat, ndërsa ndaj policëve u hodhën vezë dhe mjete piroteknike. Policia reagoi me sprej piperi dhe gaz lotsjellës, ndërsa disa persona patën nevojë për ndihmë mjekësore.

Gazetarët që po raportonin nga protesta dalloheshin qartë si pjesëtarë të mediave, pasi mbanin kredencialet e gazetarëve dhe kamera. Ata gjithashtu u identifikuan vazhdimisht para policisë si përfaqësues të mediave. Përveç pengimit gjatë raportimit, disa gazetarë u prekën edhe nga spreji i piperit dhe gazi lotsjellës.

Pikërisht në këto momente, publiku ka më së shumti nevojë për gazetarët në terren. Perimetri i sigurisë nuk duhet të shërbejë si mjet për t’i mbajtur kamerat larg ngjarjeve që publiku ka të drejtë t’i shohë, përfshirë mënyrën se si vepron policia.

Raportimet e sotme nuk janë raste të izoluara. Vetëm gjatë tri javëve të fundit, Rrjeti ka reaguar ndaj ndalimit për herë të dytë të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca, teksa raportonte nga protesta para Kuvendit, si dhe ndaj raportimeve se policia ia kishte marrë telefonin gazetares së Syri TV, Albana Aliaj, dhe ia kishte fshirë pamjet e filmuara në Durrës. Edhe në korrik, Rrjeti kishte bërë thirrje për krijimin e kushteve të sigurta për raportim nga protestat në Tiranë.

Në maj të vitit 2025, Policia e Shtetit miratoi Protokollin për Sigurinë e Gazetarëve. Megjithatë, raportimet e gazetarëve nga terreni tregojnë se ky protokoll nuk po zbatohet.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që t’u japë udhëzime të qarta dhe të menjëhershme efektivëve të angazhuar në tubimet publike, në mënyrë që gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët të mund të lëvizin dhe të punojnë lirshëm. Autoritetet duhet t’i shqyrtojnë pa vonesë raportimet e mbledhura, të bëjnë publike arsyet mbi të cilat u bazuan kufizimet ndaj ekipeve të mediave më 8 tetor dhe të kërkojnë llogari nga çdo zyrtar që i ka penguar gazetarët pa arsye të justifikuar.

Rrjeti u bën thirrje gjithashtu autoriteteve që ta zbatojnë Protokollin për Sigurinë e Gazetarëve në çdo tubim publik dhe të raportojnë publikisht për zbatimin e tij.

Rrjeti i bën thirrje edhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që të hetojë sjelljen e efektivëve ndaj ekipeve të mediave gjatë protestës.

Gazetarët nuk janë palë në protestë. Rrjeti u bën thirrje edhe të gjithë pjesëmarrësve në tubimet publike që t’i respektojnë ekipet e mediave dhe të përmbahen nga çdo pengim, frikësim apo sulm ndaj tyre.

Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë t’i dokumentojë rastet e raportuara, ta monitorojë situatën dhe t’i informojë palët përkatëse në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 8 tetor 2026

Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH-së
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: