Lajmet

SafeJournalists: Policia sërish dështoi të mbrojë gazetarët gjatë protestave në disa qytete të Serbisë


3855-title

Rrjeti SafeJournalists deklaron se incidentet e mbrëmjes së djeshme në Vrbas, Baçki Petrovac, Novi Pazar dhe Beograd treguan se policia nuk është në gjendje të sigurojë punën e pandërprerë të gazetarëve që raportojnë nga protesta dhe ngjarje publike.

Gjatë një proteste qytetare më 12 gusht në Vrbas, përkrahës të Partisë Progresive Serbe kryen një sulm të organizuar, duke hedhur shishe, gurë dhe mjete piroteknike drejt qytetarëve të mbledhur, mes të cilëve kishte edhe ekipe gazetareske që po mbulonin ngjarjen. Redaktori i portalit “Mašina”, Marko Miletić, dhe asistenti i kameramanit të N1, Andrej Stamenković, u plagosën gjatë sulmit. Në asnjë moment, oficerët e policisë nuk ndërhynë për të ndalur dhunën.

Marko Miletić u godit disa herë me gurë, shishe të ngrira dhe fishekzjarre, ndërsa Andrej Stamenković u godit dy herë me gurë – një herë në shpatull dhe një herë në bark. Fatmirësisht, të dy pësuan vetëm lëndime të lehta.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale të Mašina-s, Miletić shihet duke iu drejtuar policëve pas sulmit, duke pyetur se kur do të ndërhynin për të ndaluar sulmuesit që hidhnin fishekzjarre. Oficerët u kthyen mbrapa pa reaguar, dhe kur gazetari u tha se ishte goditur, ata sërish nuk iu përgjigjën. Portali Mašina është vënë në shënjestër të drejtpërdrejtë për shkak të raportimeve të tij, përfshirë një kërcënim serioz të marrë në Instagram më 10 gusht.

Gjatë tentativës për të bllokuar hyrjen e gjykatës në Novi Pazar, më 12 gusht, pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Duke raportuar nga vendngjarja, gazetarja Nusreta Brunçević ishte dëshmitare e një episodi ku një polic – pa shenjë identifikimi – bëri komente të papërshtatshme ndaj studenteve në rreshtat e parë. Kur gazetarja i kërkoi të identifikohej, ai fillimisht refuzoi dhe më pas dha vetëm emrin e parë. Në një moment, oficeri iu drejtua drejtpërdrejt gazetares duke i thënë se ishte “e parëndësishme” dhe duke shtuar “do shihemi”, gjë që e konfirmoi me buzëqeshje ironike kur u pyet nëse e kishte thënë vërtet. Pas raportimit të incidentit te oficeri komandues, polici u largua nga vendngjarja.

Rrjeti SafeJournalists kërkon që policia të fillojë të bëjë punën e saj duke marrë masa në përputhje me ligjin dhe duke garantuar mbrojtjen e gazetarëve gjatë raportimit. Ne theksojmë me shqetësim trendin alarmant të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias nga vetë policia – një trend që u përsërit edhe një ditë më parë. Këto sjellje duhet të ndalen menjëherë dhe gazetarëve e profesionistëve të medias duhet t’u lejohet të kryejnë punën e tyre pa pengesa. Këto sulme dhe kërcënime jo vetëm që rrezikojnë sigurinë e tyre fizike, por minojnë drejtpërdrejt lirinë e medias.

Rrjeti u bën thirrje institucioneve kompetente të ndjekin penalisht çdo rast dhune ndaj gazetarëve. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të nisë procedura ndaj oficerëve të policisë që kërcënojnë dhe frikësojnë përfaqësuesit e medias. Gazetarët që punojnë në interes publik nuk duhet të jenë objekt dhune – ata duhet të marrin mbrojtje të plotë nga shteti dhe mbështetje nga të gjitha institucionet relevante.

Rrjeti SafeJournalists do t’i informojë palët kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë incident dhe do të vazhdojë ta monitorojë situatën.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 13 gusht 2025

  • Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
  • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
  • Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
  • Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
  • Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
  • Sindikata e Medias e Malit të Zi
Share this Post: