Lajmet

SafeJournalists: Policia shqiptare të hetojë urgjentisht marrjen e raportuar të telefonit të gazetares dhe fshirjen e pamjeve filmike


4179-title

Rrjeti SafeJournalists dënon me forcë ndërhyrjen e raportuar të efektivëve të Policisë së Shtetit në punën e gazetares së Syri TV, Albana Aliaj, ndërsa ajo po raportonte në Durrës më 22 shtator 2026, dhe kërkon hetim të menjëhershëm e transparent të incidentit.

Sipas dëshmisë së Aliajt, ajo po raportonte nga vendi ku po zhvillohej një operacion policor, kur u rrethua nga disa efektivë policie të maskuar dhe të paidentifikuar. Gazetarja thotë se efektivët ia morën telefonin celular nën presion dhe fshinë pamjet filmike që ajo kishte regjistruar gjatë raportimit. Sipas saj, efektivët e dinin se ishte gazetare dhe se ndodhej aty për të ushtruar detyrën e saj profesionale.

Nëse konfirmohen, veprime të tilla do të përbënin një ndërhyrje të rëndë dhe të papranueshme në punën e gazetares. Marrja e telefonit të një gazetari dhe qasja në materialet gazetareske apo fshirja e tyre nuk mund të trajtohen si kufizime të zakonshme në vendin ku zhvillohet një operacion policor. Pajisjet e gazetarëve mund të përmbajnë materiale të papublikuara, komunikime dhe informacione që lidhen me burime konfidenciale. Çdo ndërhyrje në to kërkon bazë të qartë ligjore, domosdoshmëri, proporcionalitet dhe garanci të përshtatshme procedurale.

Policia ka përgjegjësi legjitime për të siguruar zonat ku zhvillon operacione dhe, kur është e nevojshme, mund të vendosë kufizime proporcionale për të garantuar sigurinë ose për të parandaluar pengimin e operacionit. Megjithatë, kjo nuk u jep efektivëve të policisë të drejtën të vendosin në mënyrë arbitrare se çfarë mund të dokumentojnë gazetarët apo të fshijnë materialet që ata kanë regjistruar.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që:

  • të zbardhin menjëherë rrethanat e incidentit dhe të japin sqarime publike;
  • të identifikojnë efektivët e përfshirë dhe të përcaktojnë bazën ligjore, nëse ka pasur të tillë, për marrjen e telefonit të gazetares dhe për qasjen në regjistrimet e saj apo fshirjen e tyre;
  • të verifikojnë nëse është pasur qasje në materiale gazetareske, komunikime apo të dhëna të tjera në pajisje dhe nëse ato janë ndryshuar apo fshirë;
  • të marrin masat e duhura disiplinore ose masa të tjera, nëse konstatohet shkelje;
  • të sigurojnë që efektivët e policisë të marrin udhëzime të qarta dhe t’i zbatojnë ato për respektimin e të drejtave të gazetarëve gjatë operacioneve policore.

Gazetarët duhet të jenë në gjendje të vëzhgojnë dhe të dokumentojnë veprimtarinë e policisë në vende ku raportimi lejohet me ligj, për sa kohë nuk pengojnë operacionet e ligjshme policore. Ky raportim është pjesë thelbësore e mbikëqyrjes publike, transparencës dhe së drejtës së publikut për t’u informuar.

Rrjeti SafeJournalists thekson se Policia e Shtetit ka detyrimin të lehtësojë dhe të mbrojë punën e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale, jo t’i frikësojë apo të ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në pajisjet dhe materialet e tyre gazetareske.

Rrjeti SafeJournalists do të vijojë ta ndjekë rastin dhe do të informojë aktorët përkatës vendas dhe ndërkombëtarë për zhvillimet e mëtejshme.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 22 shtator 2026

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Share this Post: