SafeJournalists: Shteti duhet të mbrojë gazetarët në Serbi dhe të hetojë urgjentisht sulmin ndaj Darko Simić
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin ndaj gazetarit të “Politički Globus”, Darko Simić, dhe kërkon që policia të sigurojë përfundimisht kushte të pakufizuara për punën e gazetarëve gjatë mbulimit të ngjarjeve me interes publik.
Gjatë një proteste qytetare në Novi Beograd, teksa kolona e protestuesve po kalonte pranë selisë së Partisë Përparimtare Serbe (SNS), përpara së cilës ishte mbledhur një grup tjetër qytetarësh, disa gazetarë ndodheshin aty duke xhiruar ngjarjen. Në një moment, një person nga grupi para selisë së SNS-së vrapoi drejt gazetarit Simić, i cili kishte kartën e shtypit të ekspozuar qartë, e goditi me grusht në fytyrë dhe e shtyu, duke bërtitur: “Çfarë po xhiron?”
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë (IJAS) kujton se sulmet fizike ndaj gazetarëve përbëjnë sjellje të paligjshme dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias. Frekuenca e sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë raportimit nga ngjarjet – shpesh pa pasoja për sulmuesit – është alarmante. I rikujtojmë autoriteteve se është detyrë e policisë të garantojë kushte të sigurta pune për gazetarët dhe punonjësit e medias gjatë mbulimit të ngjarjeve publike, si dhe të reagojë menjëherë në rast sulmi, në përputhje me detyrimet e saj ligjore. Dështimi për të vepruar në këtë drejtim rrezikon seriozisht lirinë e medias dhe të drejtën për informim.
Në këtë rast konkret, Simić iu drejtua menjëherë një oficeri policie, i cili fillimisht i tha të raportonte incidentin në stacionin më të afërt të policisë, por më pas mori të dhënat e tij dhe tha se do të niste procedura.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje institucioneve kompetente të kryejnë një hetim të shpejtë, të pavarur dhe efektiv mbi këtë incident dhe, në përputhje me ligjin, të ndëshkojnë autorin e sulmit. Një reagim i menjëhershëm, vendimtar dhe transparent nga autoritetet është i nevojshëm për të dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë se çdo akt dhune ndaj punonjësve të medias është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Mbrojtja e gazetarëve është një shtyllë themelore e një shoqërie të lirë dhe demokratike, dhe shteti është i detyruar të garantojë sigurinë e tyre gjatë kryerjes së punës në interes të publikut.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë incident dhe do të vazhdojë ta ndjekë nga afër situatën.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 06.08.2025
Nënshkruar nga:
Asociscioni Kroat i Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias së Malit të Zi











