SafeJournalists: Vendimi kundër gazetares Melita Vrsaljko nga Kroacia dërgon një mesazh të rrezikshëm për të gjithë gazetarët dhe gratë viktima të dhunës
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Gjykatës Komunale në Zadar, e cila shpalli gazetaren Melita Vrsaljko, bashkëpunëtore e Faktograf dhe Klimatski portal, fajtore për “prishje të rendit publik” pasi ajo u mbrojti nga një sulm fizik gjatë ushtrimit të detyrës së saj profesionale.
Sulmi ndodhi në korrik të vitit 2024, në fshatin Nadin pranë Zadarit, ndërsa Vrsaljko po raportonte për hedhjen e paligjshme të mbeturinave. Gjatë punës, ajo u përball me një burrë që u përpoq ta pengonte në filmim, e ofendoi verbalish dhe e sulmoi fizikisht. Sulmi u konfirmua nga dëshmitarë okularë dhe pamje video, ndërsa vetë autori pranoi se kishte dashur ta ndalonte atë nga raportimi. Megjithatë, gjykata vendosi se si gazetarja ashtu edhe sulmuesi i saj mbanin “përgjegjësi të barabartë për prishjen e rendit publik”.
Të nesërmen, Vrsaljko u sulmua sërish – këtë herë në shtëpinë e saj, nga vajza e të njëjtit burrë. Rrjeti SafeJournalists reagoi menjëherë ndaj incidentit. Megjithëse rasti iu raportua autoriteteve, Prokuroria Komunale e Shtetit në Zadar ende nuk ka marrë një vendim mbi kallëzimin penal të paraqitur më shumë se një vit më parë.
Ky vendim, që praktikisht barazon një viktimë të dhunës fizike me sulmuesin e saj, përbën një precedent të rrezikshëm për sigurinë e gazetarëve në Kroaci, veçanërisht atyre që punojnë në komunitete lokale dhe raportojnë për çështje me interes publik si mbrojtja e mjedisit dhe keqpërdorimi i hapësirave publike. Ai dërgon një mesazh frikësues se gazetarët që sulmohen nuk duhet të mbrojnë veten, pasi rrezikojnë të ndiqen penalisht së bashku me agresorët e tyre. Në të njëjtën kohë, ky vendim dekurajon gratë viktima të dhunës nga raportimi i sulmeve, duke sugjeruar se mund të ndëshkohen edhe ato vetë.
Avokatja e gazetares, Vanja Jurić, njoftoi se do të paraqitet një ankesë, duke theksuar se vendimi mungon si në bazë faktike ashtu edhe ligjore dhe cenon parimet themelore të mbrojtjes së gazetarëve dhe viktimave të dhunës.
Rrjeti SafeJournalists paralajmëron se ky rast përbën një goditje serioze ndaj lirisë së medias, së drejtës së publikut për t’u informuar, dhe sigurisë së gazetarëve në terren. Ne u bëjmë thirrje institucioneve gjyqësore kroate që të rishikojnë këtë vendim në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë që gazetarët të mbrohen kur veprojnë në interes publik – e jo të ndëshkohen për t’u mbrojtur nga sulmet.
Sulmet fizike, kërcënimet dhe përpjekjet për të frikësuar gazetarët janë të papranueshme dhe duhet të ndëshkohen. Shteti ka detyrimin të garantojë që sistemi ligjor të mbrojë gazetarët, e jo agresorët e tyre.
Rrjeti SafeJournalists do t’i informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 8 nëntor 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











