Lajmet

SDG Talks me Atifete Jahjaga


3691-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës patën kënaqësinë që në edicionin e radhës të SDG Talks të mirëpresin gruan e parë Presidente të Kosovës, znj. Atifete Jahjaga.

Në një diskutim inspirues, znj. Jahjaga ndau përvojën e saj nga fillimet si police në Kosovë. Si një grua e re në sektorin e sigurisë, ajo u përball me paragjykime dhe sfida për shkak të gjinisë, por me vendosmëri dhe përkushtim vazhdoi përpara, duke e kthyer çdo pengesë në forcë për të ecur më tej.

Karriera e saj pati një zhvillim të jashtëzakonshëm kur, në periudhën 2011 – 2016, u emërua Presidente e Republikës së Kosovës. Mbajtja e kësaj pozite ishte një nder i madh për znj. Jahjaga, por gjithashtu shënoi fillimin e sfidave më të mëdha në jetën e saj. Në hapat e parë të Kosovës si shtet i pavarur, ajo kishte përgjegjësinë të përfaqësonte faktorin e unitetit dhe të krijonte partneritete dhe aleanca për të forcuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përkundër të gjitha sfidave dhe paragjykimeve si gruaja e parë presidente, znj. Jahjaga e përshkruan këtë përvojë si:

"Nderi më i madh i jetës time, t’i shërbej popullit dhe vendit tim."

Znj. Jahjaga u bëri thirrje vajzave dhe grave që të besojnë në vetvete dhe në aftësitë e tyre, duke theksuar se nuk ka asgjë që një grua nuk mund ta arrijë nëse ka besim dhe guxim për të ecur përpara. Kritikat dhe paragjykimet i ka përdorur si forcë për të mos u dorëzuar në rrugëtimin e saj. Ajo gjithashtu vuri theksin te rëndësia e mbështetjes dhe solidaritetit mes grave, duke kujtuar këshillën e nënës së saj për të mos i harruar gratë dhe për të punuar gjithmonë për fuqizimin e tyre.

Në vitin 2018, znj. Jahjaga themeloi Fondacionin Jahjaga, i cili fokusohet në katër shtylla kryesore: gratë, të rinjtë, sigurinë dhe pajtimin rajonal. Përmes Fondacionit, ajo vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e vendit dhe përparimin e të drejtave të njeriut.

Biseda u përmbyll me një diskutim të hapur dhe pyetje nga të pranishmit, duke krijuar një hapësirë frytdhënëse për shkëmbim idesh dhe përvojash.

Faleminderit të gjithëve që u bënë pjesë e këtij diskutimi frymëzues!

Ky aktivitet është pjesë e projektit të UN Women Kosovo “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, i mbështetur nga British Embassy Pristina.

Share this Post: