Shpallet fajtor sulmuesi i gazetarit Burim Zariqi
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur fajtor Dalibor Spasiqin për sulmin ndaj gazetarit të RTV21, Burim Zariqi, gjatë trazirave në veri të Kosovës më 31 maj 2023. Ai është dënuar me 10 mijë euro gjobë për veprat penale “sulm” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm”.
Pas vendimit të marrur nga gjykata më 13.02.2025, Zariqi u bën thirrje gazetarëve që të raportojnë rastet e sulmeve në drejtim të tyre dhe u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë t’i trajtojnë ato me prioritet.
“Ky vendim le të jetë si shembull dhe inkurajim për të gjithë gazetarët që të iniciojnë procedura ligjore ndaj sulmuesve sepse vetëm kështu ata e marrin përgjigjen e merituar. I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të marrin parasysh dhe me urgjencë t’i trajtojnë të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave sepse vetëm kështu jepet mesazh se puna e gazetarëve nuk duhet të pengohet e aq më tepër të ketë sulme ndaj tyre,” deklaroi ai.
AGK ka mirëpritur këtë vendim, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së medias.