Lajmet

Shqipëri: Kërkohen urgjentisht përgjigje për bllokadën ndaj Focus Media Group dhe të drejtën e gazetarëve për të punuar


3853-title

Ne, Rrjeti SafeJournalists, partnerë të Media Freedom Rapid Response (MFRR), Reporters Without Borders (RSF) dhe organizatave shqiptare për lirinë e medias, shprehim shqetësimin e përbashkët për bllokadën policore dhe zhvillimet e mëvonshme që kanë prekur Focus Media Group, përkatësisht News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura me to.

Në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit, Policia e Shtetit rrethoi godinën në Tiranë ku këto media ushtrojnë aktivitetin, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe bllokoi hyrjen e gazetarëve dhe stafit. Si pasojë, transmetimi në valë të News24 u ndërpre. Sipas Focus Media Group, nuk ishte dhënë asnjë njoftim paraprak për ndërprerjen efektive të sinjalit të transmetimit.

Ky veprim policor buron nga një mosmarrëveshje më e gjerë pronësie ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group, që lidhet me kontratat e qirasë dhe procedurat përkatëse. Megjithatë, ndërhyrja e ushtruar ka ndodhur deri më tani mbi baza të paqarta ligjore dhe pa respektuar procedurën e rregullt. Në mungesë të një baze ligjore të publikuar, urdhrave gjyqësorë dhe ekzekutivë, ose një afati e hapat të qartë të mëtejshëm, ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtij veprimi mbeten seriozisht të dyshimta.

Si pasojë, që prej 9 gushtit një nga transmetuesit kombëtarë kryesorë të lajmeve në Shqipëri, News24, ka qenë jashtë transmetimit. Më 12 gusht 2025 ende nuk ka asnjë qartësi se kur do të rifillojë transmetimi, as për të ardhmen e gazetarëve, punonjësve të medias dhe stafit mbështetës të Focus Media Group. Kjo pasiguri dëmton besimin publik, dobëson pluralizmin dhe rrezikon të krijojë efekt frikësues për lirinë e medias.

Ndikimi mbi punonjësit e medias është i menjëhershëm dhe serioz. Rreth 230 punonjës – gazetarë, teknikë dhe staf mbështetës – përballen tani me rrezikun e humbjes së punës, ndërkohë që shumë prej tyre kanë përjetuar vonesa në paga dhe mosshlyerje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me godinën e bllokuar dhe aktivitetin e ndërprerë, jetesa dhe e ardhmja profesionale e tyre janë në rrezik.

Ne, organizatat nënshkruese, i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar dhe sigurinë e tyre, duke:

  • dhënë një shpjegim të plotë publik mbi bazën ligjore, domosdoshmërinë dhe urgjencën e operacionit të kryer në mëngjesin e hershëm të së shtunës, 9 gusht 2025, përfshirë kohën, metodat, proporcionalitetin dhe nëse janë shqyrtuar alternativa më pak kufizuese;
  • hequr menjëherë kordonin policor, rikthyer furnizimin me energji elektrike dhe lejuar akses të lirë e të pakufizuar në redaksi dhe vendet e raportimit, pa intimidim apo ndërhyrje;
  • mbrojtur materialet dhe infrastrukturën gazetareske, duke mos kryer sekuestrime apo dëmtime, dhe duke siguruar akses të sigurt në pajisje, arkiva dhe linja transmetimi;
  • garantuar të drejtat e punës gjatë ndërprerjes së aktivitetit, në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës, që të sigurohet pagesa e rrogave dhe kontributeve shoqërore, si dhe mundësimi i ambienteve të përkohshme dhe vijueshmërisë së punës;
  • ofruar garanci efektive ligjore duke publikuar bazën ligjore dhe urdhrat, duke përcaktuar afatet dhe kushtet për heqjen e masave, duke siguruar mundësi ankimimi me efekt pezullues aty ku aplikohet, dhe duke bashkëpunuar me AMA për të përdorur mjetet më pak kufizuese për vijimësinë e shërbimit të lajmeve;
  • hetuar çdo pengesë ndaj gazetarëve dhe garantuar llogaridhënien; si dhe komunikuar rregullisht me publikun.

U bëjmë thirrje pronarëve dhe drejtuesve të Focus Media Group që:

  • të veprojnë me urgjencë për të mbrojtur jetesën dhe të drejtat e punonjësve, të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore e kontraktuale, dhe të sigurojnë ambiente të përkohshme e plane vijueshmërie për të mbrojtur stafin dhe për të garantuar aksesin e publikut në informacion;
  • të angazhohen në mënyrë konstruktive me autoritetet për zgjidhjen e ligjshme dhe transparente të mosmarrëveshjes, me sa më pak pengesa për punën gazetareske dhe të drejtën e publikut për t’u informuar;
  • të garantojnë pagesën e rrogave dhe kontributeve shoqërore, aksesin e sigurt në pajisje dhe të dhëna, dhe të mos marrin masa ndëshkuese ndaj stafit gjatë kësaj periudhe;
  • të ofrojnë transparencë të plotë mbi situatën ligjore dhe kontraktuale, në mënyrë që punonjësit dhe publiku të kuptojnë bazën e mosmarrëveshjes.

Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Ajo ngre çështje thelbësore të procedurës ligjore, proporcionalitetit, lirisë së medias dhe mbrojtjes së gazetarëve e punonjësve të medias. Të gjitha palët duhet të veprojnë me shpejtësi, transparencë dhe në interes publik për të garantuar respektimin e këtyre të drejtave.

Nënshkruar:

Rrjeti SafeJournalists

  • Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
  • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
  • Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
  • Shoqata Kroate e Gazetarëve
  • Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
  • Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Reporters Without Borders (RSF)

Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR)

  • Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
  • Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF)
  • ARTICLE 19 Europe
  • Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
  • Free Press Unlimited (FPU)

Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri:

  • Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  • Këshilli Shqiptar i Medias (KMSH)
  • Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
  • Albanian Women in Audiovisual (AWA)
  • Amfora
  • Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)
  • Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)
  • Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH)
  • Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
  • Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative – Shqipëri (BIRN Albania)
  • Faktoje
  • Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH)
  • Asociacioni i Gazetarëve Evropianë, Seksioni Shqiptar (AEJ)
  • Qendra Citizens Channel
  • Qendra ResPublica
Share this Post: