Spikatja e simboleve në Kosovë dhe në Irlandën Veriore
Nga Jelena SIMIĆ dhe Tony BAILIE
Në shoqëri ku trashëgimia e konfliktit të dhunshëm ende rezonon, simbolet si flamujt, muralet, monumentet dhe grafitet luajnë një rol në përfaqësimin e identitetit kolektiv, memories dhe ndjenjave të komuniteteve.
Por, në Kosovë dhe në Irlandën Veriore përveç që personifikojnë identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë, simbolet bartin narrative politike dhe etnike që mund të provokojnë ndjenjën e pasigurisë tek komunitetet tjera dhe shërbejnë si barrierë për pajtim.
Mitrovica, një qytet në veriun e Kosovës, është i ndarë në pjesën veriore ku jetojnë serbët dhe atë jugore ku jetojnë shqiptarët, me lumin Ibër që shërben si ndarje fizike dhe kufi simbolik mes komuniteteve. Ura kryesore mbi Ibër, që duhetj të shërbente si lidhje, shumë shpesh përfaqëson një linjë ndarëse.
Në Mitrovicë, simbolet janë të dukshme në secilën kthesë. Flamujt serbë e shqiptarë, bashkë me disa të tjerë të Kosovës, i definojnë në mënyrë të qartë kufijtë mes komuniteteve. Këto simbole shpesh paraqesin rezistencë ndaj palës tjetër.
Pankarta nacionaliste serbe të shfaqura në veri të Mitrovicës. Mitrovicë, Kosovë. © Allan LEONARD @MrUlster
Flamuri serb, i parë shpesh në ndërtesa, hapësira publikë dhe sheshe në pjesën veriore të qytetit, përfaqëson rezistencën simbolike ndaj autoriteteve të Kosovës dhe shpreh lidhjen me Serbinë.
Ngjashëm në Irlandën Veriore, flamujt, muralet dhe monumentet përdorën nga Unionistët/Lojalistët pro-britanikë, sikurse edhe nga Republikanët/Nacionalistët pro-irlandezë si simbole të identiettit, markim të territorit dhe si mënyrë për të vendosur narrativën kolektive.
Milena Pilipović, profesoreshë e sociologjisë me përvojë mbi 10 vjeçare të punës me të rinjtë në Mitrovicë, vë në pah se simbolet shërbejnë si “rrëfime” që shoqëritë i përdorin për të arikuluar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
“Flamujt shpesh bartin simbolizëm kompleks që mund të interpretohet në forma të ndryshme. Është esenciale të kuptohet konteksti në të cilin përdoren”.
“Ka shumë raste kur flamujt përdorën si mënyrë identifikimi dhe ndjenjë e përkatësisë ndaj grupeve, por edhe si një shprehje për pretendime territoriale”.
Prof. Pilipović shton se në pjesën jugore ku jetojnë shqiptarët: “Flamujt e Kosovës janë prezentë, dhe reflektojnë edhe përkatësinë etnike e politike, por edhe qëndrimet ndaj statusit të Kosovës”. Looking
“Këta flamujt nuk e përfaqësojnë vetëm identitetin etnik, por edhe pozicionin politik ndaj statusit të Kosovës, që ne e interpretojmë ndryshe”.
Dejan Nedeljković, banor nga Mitrovica,shpjegon se flamujt e Serbisë, mbi të gjitha, kanë rëndësi simbolike.
“Në terma praktikë, nuk do të thotë asgjë. Në terma simbolikë, do të thotë shumë, sepse fatkeqësisht, kjo është e vetmja gjë që e tregon prezencën e Serbisë në veriun e Kosovës, nëpërmjet flamurit në kalanë e Zveçanit. Simbolikisht, do të thotë shumë, por në praktikë, kurdo që ka prani të madhe të flamujve serbë në Kosovë, një pjesë e shtetësisë së Serbisë është zhdukur”, ka thënë ai.
Flamuri i Shoqatës së Mbrojtjes së Ulsterit (UDA). © Gordon GILLESPIE
Në Irlandën Veriore – flamuri unionist – flamuri kombëtar i Mbretësisë së Bashkuar, bashkë me të tjerë flamujt pro-britanikë, duke përfshirë të tillë që përfshijnë emrat e organizatave të dhunshme paramilitarë sikurse UVF (Forca Vullnetare e Ulsterit) dhe UDA (Asociacioni i Mbrojtjes së Ulsterit), mund të shihen në shtëpitë e njerëzve, dhe shtyllat elektrike në zonat me shumicë unionist.
Flamujt trengjyrësh i Irlandës në zhvillimin e banesave të reja sociale, zona e tregjeve, Belfast, Irlanda e Veriut. © Gordon GILLESPIE
Ndërkohë, republikanët e përdorin trengjyrëshin irlandez – flamurin kombëtar të Irlandës – për të shënuar territorin e tyre.
Flamujt shpesh janë të vendosur në zona ku të dyja komunitetet jetojnë afër njëri-tjetrit, ndonjëherë të ndarë nga një rrugë, ose në vende tjera nga një barrikadë, portë, ose edhe “mur paqeje”.
Derisa republikanët irlandezë shpesh i përshkruajnë flamujt unionist si ofendues, unionistët insistojnë që ky është flamuri kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar, pjesë e së cilës është Irlanda Veriore – dhe pjesë e rëndësishme e identitetit britanik.
Protesta e flamurit. Bashkia e Belfast-it, Irlanda e Veriut. © Allan LEONARD @MrUlster
Një vendim nga Komuna e Belfastit në vitin 2012 që të kufizohet në 18 ditë shpalosja e flamurit unionist brenda vitit, rezultoi në protesta në gjithë Irlandën Veriore, disa prej tyre të dhunshme, pasi që shihej si një sulm kundër identietit unionist (britanik).
Në kohën e protestës, një 19 vjeçare i tha gazetës britanike, The Guardian: “Ne jemi Mbretëria e Bashkuar, dhe ky është flamuri ynë. Largimi i tij nënkupton heqjen e të drejave të britanikëve. Barazia për protestantë në këtë qytet nuk ekziston tash e një kohë të gjatë”.
Dominic BRYAN shpalos flamurin gjatë prezantimit të tij. Konferenca: Besnikëria e Ulsterit: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Instituti i Studimeve Irlandeze, Universiteti i Mbretëreshës në Belfast. Belfast, Irlanda e Veriut © Allan LEONARD @MrUlster
Profesori Dominic Bryan, nga Queen’s University Belfast, që udhëhoqi Komisionin për Flamuj, Identitet, Kulturë dhe Tradita në Parlamentin e Irlandës Veriore, tha:
“Shumica e unionistëve (britanikëve) nuk mund ta shohin se si flamuri i Mbretërisë së Bashkuar ëshëtë ofendues, aq sa është flamur kombëtar, edhe pse disa unionistë të moderuar e kuptojnë se ky mund të jetë një problem”
“Vendosja e flamujve nëpër shtëpi apo nëpër shtylla elektrike e ndryshon kuptimin, dhe nuk mund të thuash thjesht, se ky është flamuri kombëtar që simbolizon shtetin tonë, sikurse do të ishte për flamurin tregjyrësh të vendosur në Dublin, apo flamurin britanik të vendosur në Londër në ndërtesa publike”.
Në vitin 2022, Mary Lou McDonald, udhëheqëse e partisë, Sinn Fein që promovon bashkimin me Irlandën, tha se çdo lloj diskutimi në të ardhmen rreth bashkimit irlandez, do të mbulonte gjithçka, duke përfshirë simbolet për të vendosur se çfarë flamuri dhe cili himn do të përdorej.
Ajo tha se do të preferonte që flamuri trengjyrësh irlandez të mbetej bashkë me himnin, por shtoi: “Secila gjë që do të diskutohet. Natyrisht që kemi nevojë për të diskutuar për këto gjëra”.
Duke parë drejt Mitrovicës jugore përmes urës së Mitrovicës, nga veriu i Mitrovicës. Flamuri serb në plan të parë. Mitrovicë, Kosovë. © Allan LEONARD @MrUlster
Në Kosovë, ura e Ibrit – që ndanë pjesën veriore me atë jugore në Mitrovicë, bartë me vete simbolizëm. Edhe pse ura përfaqëson një mundësi për lidhje, shumë shpesh shihet si një ndarje ose një lloj i barrierës psikologjike.
Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu nënvizon që simbolet mund të shfaqin dominancë. Ai shpjegon:
“Ka pasur shumë simbole në të dyja anët – shqiptare dhe serbe të urës së Ibrit. Megjithatë, kur po përgatitej hapja e urës, Qeveria e Kosovës i largoi të gjitha ato simbole, në mënyrë që të mos paraqisnin barriera psikologjike për njerëzit”.
Flamuri i Kosovës. “Ngjyrat blu dhe të verdha të flamurit të BE-së u përdorën për sfondin e flamurit dhe siluetën e territorit kombëtar, përkatësisht, dhe rrethi i yjeve të bardhë të flamurit të BE-së u paralelizua në harkun e yjeve të bardhë në flamurin e Kosovës. Thuhej se yjet përfaqësonin gjashtë grupet etnike mbizotëruese të vendit (shqiptarët, boshnjakët, goranët, romët, serbët dhe turqit). https://www.britannica.com/topic/flag-of-Kosovo
“Simbolet mund të kontribuojnë në stabilizimin e shoqërisë, por ato edhe mund të thellojnë ndarjet. Kur flamuri shtetëror i Kosovës u dizajnua, ai u bë në formë të tillë që të mos ofendonte pjesëtarët e komunitetve të tjera që jetojnë këtu, që të ishte i pranueshëm për të gjithë”
Profesor Spahiu shpjegon tutje:
“Për shumë shqiptarë, flamuri serb është ofendim sepse ua kujton policinë serbe, që e kishte flamurin në uniformat e tyre. Në anën tjetër, simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë ofenduese për serbët.
“Simbolet mund të na bashkojnë dhe ndajnë,por varet se si konceptohen dhe cila është historia prapa tyre”.
Skulptura e lavdisë nga Yann RENARD-GOULET (1914-1999). Monument republikan irlandez. Mbishkrimi: "Të gjithë ju heronj të lavdëruar dhe të përulur që keni vuajtur me dëshirë për dashurinë tuaj altruiste dhe pasionante për lirinë irlandeze." North Street, Crossmaglen, Irlanda e Veriut. © Allan LEONARD @MrUlster
Derisa flamujt – më së shumti ai trengjyrësh – valvitet në zonat nacionaliste të Irlandës Veriore, ata nuk janë aq të pranishëm sa flamujt britanikë. Për më tepër, çështja kryesore që zgjon tensione sa i përket simboleve për komunitetin unionist, janë monumentet jozyrtare.
Këto monumente shumë rrallë kanë leje për t’u vendosur, dhe shpesh i nderojnë anëtarët e Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA), që vdiqën në aktivitetet e tyre paramilitare. Derisa shumë nacionalistë/republikanë – por jo të gjithë – i konsiderojnë si luftëtarë lirie, shumica e unionistëve i shohin si terroristë.
Profesori Bryan shpjegon:
“Nga perspektiva republikane ata e shohin se unionistët përfaqësohen në hapësira civile sa i përket memorialeve zyrtare të luftës, dhe organizata si UVF do të vendosin kurora aty.
Prandaj, është e rëndësishme edhe për republikanët që të kujtojnë të vdekurit e tyre dhe t’i shpallin jetët e tyre të shenjta. Por, unionistët i shohin këto si memoriale për terroristët. Deri në një mënyrë, republikanët e kuptojnë këtë dhe janë pragmatikë”.
Ky pragmatizëm u tregua në vitin 2002, pasi që një memorial për tre pjesëtarë të vrarë të IRA-s u ndërtua në County Fermanagh, në afërsi të vendit ku IRA kishte vrarë dy burra protestantë. Pas kundërshtimeve të familjarëve të të vrarëve republikanët e larguan monumentin.
Urall Boshnjaku, gazetar dhe redaktor në portalin Mitropol nga Mitrovica, beson se simbolet shërbejnë si “zjarr” për shoqëritë e pazhvilluara të ushqyera me propagandë, sidomos nga liderët e partive politike.
“Kjo ndodhë për shkak të mungesës së zhvillimit ekonomik, vendeve të punës dhe nivelit të ulët të edukimit. Në shtetet që kanë dalë së fundi nga konfliktet edhe programet shkollore janë të ndikuara nga narrativat nacionale nga anë të ndryshme”.
E njëjta gjë vlen edhe për Irlandën Veriore, kur shumica e flamujve, muraleve dhe monumenteve jozyrtare gjenden në zonat e klasës punëtore, ose në zonat e pazhvilluara ekonomikisht.
Boshnjaku vazhdoi:
“Dekorimi i shesheve me flamuj, pavarësisht në anën veriore apo jugore të Mitrovicës, përveç në ditë festash- tregon qartë se çfarë rëndësie kanë simbolet për të dy popujt.
“Në shtetet post-konflikt, muralet dhe grafitet shpesh bartin dozë të shtuar të nacionalizimit, duke penguar qëllimin afatgjatë për paqe mes popujve. Ka shumë shembuj kudo për këtë”.
Në Irlandën Veriore, muralet e luftës janë të rëndësishme për të dyja komunitetet, edhe pse ato të unionistëve mund të jenë maçiste dhe ushtarake, në dallim prej atyre që tregojnë pjesëtare gra të ushtrisë mbretërore britanike.
Murale të paraushtarakëve besnikë. Batalioni UVF East Belfast: “Ne nuk kërkojmë gjë tjetër veç të drejtës elementare të ngulitur tek çdo njeri: të drejtën nëse sulmohesh, të mbrohesh”. Newtownards Road, Belfast, Irlanda e Veriut. © Allan LEONARD @MrUlster
Prof. Bryan pajtohet që muralet republikane janë më diverse, duke përfshirë tema ndërkombëtare, dhe së fundi, duke reflektuar mbi rolin e grave në fushatën për pavarësinë dhe bashkim me Irlandën.
“Republikanët kanë ndryshuar duke paraqitur edhe gra në murale, por kjo nuk ndodhë shumë tek muralet e unionistëve – por në fund, janë burrat kryesisht që e bëjnë luftën”.
Edhe pse duket se ka shumë pak gjëra sa u përket simboleve që mund të bashkojnë të dyja komunitetet, në Irlandën Veriore, ka pak shpresë.
Faleminderit NHS. Mural i djalit që mban figurinë e infermieres me mbulesë të fytyrës dhe pelerinë, e përshkruar si një hero, me ylber në sfond. Ribble Street, Belfast, Irlanda e Veriut. © Allan LEONARD @MrUlster
Edhe pse flamuri ylber tashmë në shumë shtete njihet si flamuri që simbolizon komunitetin LGBTQ+ gjatë mbylljes së Covid, u përdor për të dhënë përkrahje për mjekët, informierët dhe të tjerë punëtorë shëndetësor të Shërbimit Shëndetësor Britanik (NHS).
Flamuri valvoi në gjithë Irlandën Veriore, duke përfshirë zona nacionaliste republikane dhe unioniste.
Imazhi i Dorës së Kuqe të Ulsterit përdoret në flamurin e Parlamentit të Irlandës së Veriut (1953–1972) dhe në flamurin e katër provincave të Irlandës. Burimi: Wikipedia.
Një tjetër simbol tradicional në Irlandën Veriore është “Red Hand of Ulster”, që përqafohet nga unionistët si një simbol i identitetit të veçantë të rajonit nga pjesë tjetër e Irlandës, por njihet edhe nga nacionliastët/republikanët si simbol i një prej 4 provincave të ishullit të Irlandës.
Tipike për irlandezët, simboli i njëjtë ka komplet tjetër kuptim për traditat e atyre që e shohin si të tyrin.
Në Kosovë e Irlandë Veriore, simbolet mund të paraqësin pengesa për pajtimin, por nëse ri-interpretohen në kontekstin gjithëpërfshirës, ato und të kontribuojnë në ndërtimin e memories kolektive dhe empatisë.
Ngjarjet në komunitet dhe programet arsimore që kanë në qendër vlerat e përbashkëta mund që të ndihmojnë të ndryshojnë nga simbolet që paraqesin ndarje në të tillë që janë gjithëpërfshirëse, duke hapur rrugën për pajtim.
* * *
Ky artikull është pjesë e një serie të bashkëshkruar nga pjesëmarrës nga Kosova dhe Irlanda e Veriut në kuadër të një projekti të gazetarisë paqësore, Raportimi mbi një të kaluar të trazuar, i nisur dhe organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në partneritet me Shared Future News, me financim nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Faktet e paraqitura dhe pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe editorialisht të pavarura nga çdo donator.