Storje suksesi: Si arriti QKRMT të nominohet për Çmimin Nobel për Paqe
Shkruan: Adea Hajrizi
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës pas punës së saj 25 vjeçare, më 16 janar të këtij viti është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe, nominim ky që është bërë nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit. Për punën që e çoi deri te nominimi dhe për vështirsitë që hasi foli edhe Drejtoresha Ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti.
"Për dhunën seksuale nuk ka pasur hapësirë dhe diskurs shoqëror. Neve na kujtohen që filluam të punojmë me parlamentarët, nuk kemi mundur të flasim qysh flasim sot. Ka qenë e dhimbshme:gjuha, diskursi. Verifikimet përmes gjinekologut, pastaj numrin e diskutonin...një moment e kemi ndalë televizorin", tha Rushiti gjatë një diskutimi publik të mbajtur.
Rushiti tregon takimin e saj të parë me gra dhe burra të tmerruar nga lufta, ku ajo e filloi karrierën e saj si mjeke.
"Për herë të parë u takova me vajza dhe gra e burra që kishin përjetuar tmerret e luftës. Në një moment isha mjeke, me logjistikë, i referoja rastet për ndihmë dhe gjithë këto histori të trishta që kam dëgjuar më forcuan qe kur të kthehëm ne Kosovë të filloja dhe të hapja një organizatë ku këto gra e burra ta kenë një ambient të sigurt ku mund të flasin lirshëm për përjetimet e tyre", ka rrëfyer ajo.
Sipas Rushitit, dhuna seksuale ka efekt jo vetëm te e mbijetuara, por edhe tek e gjithë familja.
“Dhuna seksuale si armë e luftës ka efekt zingjiror, nuk e atakon vetëm viktimën vertikalisht, por realisht e atakon gjithë familjen. Dhimbjet e pasluftës kanë pasur emër dhe s’kanë pasur emër. Deri sa është folur publikisht për të vrarët, për të zhdukurit, për dhunën seksuale nuk ka pasur diskurs shoqëror e nuk ka pasur hapësirë që të flitet”, ka thënë ajo.
Sipas psikologes, Blendina Krasniqi, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës mund të përjetojnë shume efekte psikologjike, duke përfshirë stresin post-traumatik, ankthin, depresionin, problemet me gjumin, izolimin social dhe ndjenjat e fajësisë dhe turpit.
Për trajtimin terapeutik, ajo rekomandon disa nga qasjet e zakonshme duke marrë parasysh gjendjen e atyre personave.
“Qasjet terapeutike që janë më efektive për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës mund të ndryshojnë nga personi në person. Disa qasje më të zakonshme në keto situata përfshijnë: terapinë kognitive- te sjelljes (CBT), terapia e fokusuar në traumën (TF-CBT), dhe terapia e grupeve të mbështetjes”, thotë Krasniqi.
Psikologja flet edhe për mënyrën se shoqëria dhe familja mund të ndihmojnë në reduktimin e stigmës shoqërore.
“Shoqëria dhe familja mund të ndihmojnë në reduktimin e stigmës shoqërore duke edukuar veten dhe të tjerët rreth dhunës seksuale gjatë luftës, duke mbështetur të mbijetuarit dhe duke i trajtuar ata me respekt dhe ndjeshmëri. Kjo përfshirë të kuptohet se dhuna seksuale nuk është faji i viktimës dhe se ajo ka ndikim të madh psikologjik dhe social.”
“Para syve t’mi e morën nanen. Dy motrat e mia i pash tu i ngre zhag shkallëve me i dërgu në katin e dytë. Unë jam kanë ma e vogla hala, si kam pas mbush 16 vjet. Tu u munu me pshtu njanën kur m’ka kap njani për flokë e m’ka përplas për muri, ja ka nis me brisk me mi pre tesha, unë u munojsha me mbrojt veten e ai ma mshojke sa mujke grushta ftyrës e kres. Më ka dhunu deri sa m’ka ra të fiktë. Më martun me burrë shumë ma të vjetër se unë, e qe u kanë i martum përpara. Prej që më ndodhi qajo gjatë luftës unë kurrë ma nuk kam pa dritë. Ma shumë ha rreh prej burrit se bukë, për çdo ditë të zotit më thotë veç unë t’kam majtë, ty ka t’kanë flliqë shkijet.”, thuhet në rrëfimin e njërës nga të dhunuarat gjatë luftës së fundit në Kosovë, rrëfim ky që është publikuar në librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit! Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë, të publikuar nga QKRMT, më 22 Korrik të vitit 2022.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.