Lajmet

“Transformimi i Mendësisë: Thyerja e ciklit dhunues ndaj grave në Kosovë!”


3409-title

Autore: Afërdita Lukaj

Dy gra vriten brenda pesë ditësh në Kosovë”, “Një grua vritet në Pejë, bashkëshorti arrestohet si i dyshuar”, “Kjo është gruaja që dyshohet se u vra nga burri i saj”, “Kjo është gruaja që u vra para QKUK-së”, “Burri planifikoi vrasjen e gruas” janë vetëm disa nga titujt që pushtojnë mediat në momentin e parë kur një grua vritet në Kosovë.

Në hijen e përshkallëzimit të dhunës ndaj grave, domosdoshmëria për t’i çmontuar rrënjët e saj, po bëhet gjithnjë e më urgjente. Nga kufijtë intimë të shtëpive e në rrugët e qyteteve tona, spektri i abuzimit duket i madh, duke kërkuar jo vetëm vëmendjen tonë, por edhe zgjidhje të prekshme.

Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj në emisionin Politiko në Kanal 10 thotë se rritja e dhunës ndaj grave rrjedh nga faktorë të shumanshëm, duke përfshirë pabarazinë ekonomike, normat sociale dhe rolet e ngulitura gjinore, me pabarazi që nisin herët në jetë dhe vazhdojnë për shkak të barrierave sistematike në proceset ligjore.

“Rritja e dhunës mund të jetë rezultat i shumë faktorëve që mund të jenë ekonomik, social ose edhe të vetë mundësisë dhe botëkuptimit që ka shoqëria jonë në raport me konceptimin e rolit gjinor në shoqëri. Pabarazia gjinore fillon qysh në lindje dhe qysh në ndarje të pasurisë familjare, sepse rregullat zakonore dhe mënyra qysh ka funksionuar shoqëria, gratë i ka përjashtuar nga prona e përbashkët familjare dhe asaj të bashkëshortit. Vështirësitë e skajshme janë t’i fitojnë dhe realizojnë këto të drejta në procedura gjyqësore për shkak të zvarritjeve të këtyre procedurave.”

Megjithatë përtej proceseve ligjore, psikologët e sociologët e orientojnë zgjidhjen e kësaj sfide kah ndryshimi i mendësisë së rrënjosur dhe normave shoqërore për të luftuar në mënyrë efektive këtë dukuri, si rruga e cila të çon në thyerjen e ciklit të dhunës dhe nxit një etikë kolektive të barazisë.

Sipas sociologes Flaka Ymeri, normat mbizotëruese shoqërore, veçanërisht brenda familjes, shpesh forcojnë pabarazinë. Ymeri thotë se mospërputhja me këto norma zakonisht rezulton në pasoja tragjike, duke përfshirë abuzimin fizik dhe vrasjen

“Historikisht, normat shoqërore të përcaktuara nga vendi ku jetojmë kanë qenë sfiduese për mbijetesën e grave, për shkak dominimi nga burrat, sepse zakonet e normat shoqërore janë përcaktuar nga ata, burrat. Kjo ka bërë që të krijohet pabarazi shoqërore, brenda familjes e duke u rritur edhe në shoqëri. Kjo na bën të kuptojmë që në mospërshtatjen me normat janë rritur edhe nxitur konflikte të cilat fatkeqësisht çojnë deri tek vrasja’

Ymeri thotë se familja shërben si inkubatori kryesor për të mësuar parimet themelore të barazisë, ku fillimisht formohen qëndrimet dhe sjelljet. Pas familjes, vjen shkolla e institucionet tjera.

“Përgjegjës për mirëqenien e shëndoshë të njeriut në aspektin edukativ,moral dhe shoqëror është së pari institucioni i familjes ku mësohen hapat e parë të barazisë, se vajza dhe djali duhet të trajtohen njëjtë. Pastaj është shkolla e cila duhet ta vazhdojë këtë proces, duke bërë trajtim të barabartë në shoqëri, sepse është institucion me ndikim, pastaj vijnë zinxhirët tjerë siç është drejtësia, shoqëria civile..”

Ndërkaq edukatorja Natyra Abdullahu e thekson rëndësinë që kanë edukatorët/mësuesit në formësimin e qëndrimeve ndaj barazisë. Siç pohon ajo, edukatorët shërbejnë si arkitektë të mentalitetit.

“Në klasë, sidomos në shoqërinë tonë, djemtë çdo herë ndjehen më superior se vajzat. Si edukatore, mendoj se kemi shumë ndikim në parandalimin dhe trajtimin e dhunës brenda shoqërisë përmes lojërave dhe aktiviteteve të ndryshme. Fëmijët mësohen dhe e kuptojnë rëndësinë e kësaj teme. Në shkolla, ne duhet të përpiqemi të bëjmë organizime të atilla që rrisin vetëdijesimin ndaj dhunës dhe se sa e dëmshme është ajo. Përmes lojërave dhe aktiviteteve grupore, mund ta kuptojmë më shumë dhe kësisoj të promovojmë ndjeshmërinë dhe një shoqëri paqësore”

Në anën tjetër, psikologu Yll Avdiaj thotë se konceptet kulturore ndikojnë në një mendësi ku gratë kanë role dytësore. Avdiaj shton se kur vlerat tradicionale bien ndesh me ato liberale, veçanërisht brenda familjeve, çojnë në akte të dhunës.

“Fatkeqësia e kësaj mendësie shpesh herë rrjedhë nga disa botëkuptime negative që vijnë nga koncepte kulturore të trashëguara nga gjenerata paraardhëse e që i përkasin një niveli të ulët të vetëdijes ku gruaja përceptohet si rob i një rangu dytësor të shoqërisë. Kur themi gruaja, nënkuptohet bashkëshortja në këtë rast sepse nëpër disa mjedise të caktuara bëhet dallimi në trajtesë në mes bashkëshortes, nënës, motres dhe vajzës në anën tjetër. Dhe në raste apo mjedise të tjera ndodh që trajtesa të jetë po e njejta për të gjitha rolet njësoj, ku cilësohen si individë me të drejta të kufizuara të varura dhe të nënshtruara ndaj burrit, babait, vëllaut etj. Vështirësitë apo konfliktet në këto raste dinë të krijohen sidomos kur brenda familjes fillon të ketë pëplasje konceptesh, e sidomos kur ndeshen ndërmjet vete fryma tradicionale përballë asaj demokrate dhe liberale. Në shoqëritë të cilat po kalojnë nëpër një tranzicion kulturor, nga mosdurimi dhe mospranimi i risive shfaqen rezistenca të cilat shumë lehtë mund të çojnë edhe deri te dhuna.”

Psikologu Avdiaj thekson natyrën ciklike të dhunës, duke theksuar rolin vendimtar të rritjes së vetëdijes për të thyer këtë model.

Ai nënvizon rëndësinë e adresimit të traumave dhe konflikteve personale për të nxitur modele pozitive për brezin e ardhshëm, duke sugjeruar se kultivimi i virtyteve brenda vetes është thelbësor për të ofruar një mjedis edukues për fëmijët.

“Për të bërë një kthesë të madhe në këtë drejtim, duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë modelesh jemi duke ofruar femijëve tanë fillimisht si prindër, si familjarë, si mësimdhënës dhe si shoqëri. Për të krijuar kushte të përshtatshme të një edukimi pozitiv të fëmijet tanë, fillimisht, një punë më të madhe duhet bërë me vetet tona si të rritur. Nese ne nuk kemi arritur qe t’i trajtojmë problemet psiko-emocionale dhe konfliktet që kemi me vetet tona, atëher duhet ditur se nuk kemi bërë mjaftueshëm për gjeneratat e reja, sepse fundja, ne nuk mund t’ju ofrojmë fëmijëve tanë diçka qe nuk e posedojmë vet. Nuk mund të ofrojmë dashuri nëse atë nuk e kemi kultivuar në vetëvetën tonë, nuk mund t’u ofrojmë siguri nëse vazhdimisht ndjehemi të pasigurtë, nuk mund të ofrojmë drejtësi nëse nuk e kemi kultivuar si virtyt, nuk mund të ofrojmë paqe dhe harmoni derisa ato nuk gjenden në karakterin tonë. Ky do të ishtë një mision individual që do të duhej ta merrnim gjithësecili prej nesh si obligim personal, dhe jo të presim që dikush tjeter ta bëjë këtë për ne!”

Sipas aktivistes për të Drejtat e Njeriut, Neri Ferizi, normat kulturore mund të pësojnë transformim pozitiv përmes përpjekjeve të edukimit kolektiv. Duke filluar nga prindërit, mësimdhënësit e deri tek nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme për shtypjen dhe pozitën e gruas, e duke vazhduar në trajnimin e zyrtarëve publikë për të mbështetur parimet e barazisë dhe drejtësisë.

Sipas Ferizit nisma të tilla janë jetike në nxitjen e ndryshimeve të qëndrueshme. Aktivistja sugjeron që burrat mund të angazhohen si aleatë në luftën për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.

“ Burrat do t’i kontibuonin kauzës duke e kuptuar barazinë si diçka njerëzore, e cila ju konvenon edhe atyre, por edhe kolektivit. Burrat duke ju bashkuar kauzës perçojnë mesazh tek të tjerët dhe e normalizojnë luftën per barazi, duke tentuar kështu zbehjen e dallimit gjinor. Lufta feministe nuk duhet të jetë vetëm e grave, por duhet të perçohet mesazh që kjo është një luftë e përbashkët për barazi!”

Pra, në përballjen me realitetin e tmerrshëm të dhunës ndaj grave, bëhet e domosdoshme që jo vetëm të kuptojmë natyrën e saj të përhapur, por edhe të angazhohemi aktivisht në çmontimin e mendësisë dhe sistemeve që e përjetësojnë atë.

Ndërsa Kosova ecën drejt rrugës për barazi gjinore, beteja kundër dhunës që synon gratë, mbetet sfida kryesore. Përparimi i vërtetë kërkon angazhim të qëndrueshëm dhe përkushtim të palëkundur nga të gjithë sektorët e shoqërisë.

Duke nisur nga familja, shkolla e institucionet tjera – dhuna e përjetuar nga gratë kosovare kërkon vëmendje urgjente ndaj sjelljeve shoqërore, kësisoj duke sfiduar mendësinë e rrënjosur dhe duke nxitur kulturën e barazisë!

***

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian’;

Share this Post: