Thirrje për aplikim: Çmimet Vjetore për Gazetari - 2022
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me mbështetjen e Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bashkimit Evropian në Kosovë, zyrës së UN Women në Kosovë dhe Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, shpall të hapur konkursin për Çmimet Vjetore për Gazetari.
Nëpërmjet këtyre çmimeve synojmë të nderojmë gazetarët profesionistë që publikuan storje profesionale në vitin 2022, qoftë në mënyrë të pavarur, qoftë si punonjës të mediumeve të ndryshme. Synimi ynë është të vlerësojmë raportimet profesionale mediatike për të inspiruar gazetarët që të vazhdojnë mbulimin e çështjeve të rëndësishme për audiencën.
Fitues të Çmimeve Vjetore të Gazetarisë do të jenë gazetarët dhe kameramanët/fotoreporterët, të cilët, pavarësisht rrethanave të vështira, prodhojnë lajme të cilat kanë ndikim të rëndësishëm në Kosovë.
Gazetarët nga e gjithë Kosova, pa marrë parasysh moshën, gjininë apo përkatësinë etnike ftohen të aplikojnë, storja e të cilëve është publikuar prej 1 janar 2022 deri më 16 nëntor 2022.
Fituesit, autorë të storjeve më të mira do të shpërblehen për gjashtë kategoritë si në vijim:
1. Gazetari i vitit / Gazetarja e vitit – Shpërblimi 1,000 euro
2. TV Storja më e mirë e vitit – Shpërblimi 700 euro
3. Web Storja më e mirë e vitit – Shpërblimi 700 euro
4. Kameramani më i mirë i vitit / Kameramanja më e mirë e vitit – Shpërblimi 700 euro
5. Çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas – Shpërblimi 700 euro
6. Storja më e mirë nga sporti – Shpërblimi 700 euro
Termet e referencës mund t’i shkarkoni në këtë vegëz, teksa formën për aplikim këtu. Formën për aplikim duhet ta dërgoni në adresën elektronike aplikimet@agk-ks.org deri më 30 nëntor 2022.
Gazetarët kanë të drejtë të konkurrojnë me vetëm një storje apo cikël storjesh që trajton të njëjtën temë dhe vetëm në një kategori. Në çdo kategori duhet të përfshihen në garë të paktën tre aplikues në të kundërtën anulohet çmimi në atë kategori.