Lajmet

TRAJTIMI I DHUNËS ME BAZË GJINORE NË GJILAN, NGA AKTIVIZMI VULLNETAR TE LIGJI


3607-title

Shkruan: Ardita Rashiti

Gruaja Hyjnore- Në kërkim të një hapësire për barazi

Kuvendi Komunal, Bibloteka e Qytetit e Qendra e Mjekësisë Familjare në Gjilan kthehen në hapësirat e tyre të punës. Nga këto ambiente, organizata joqeveritare “Gruaja Hyjnore” synon përmbushjen e misionit për të drejtat e grave. Por, kur aktivitetet përfundojnë, të angazhuarit në këtë OJQ nuk kanë një hapësirë pune. Sipas koordinatores së “Gruaja Hyjnore”, Arjeta Maka tash e tri vite nuk kanë zyrë, gjersa fondet mbesin sfidë e përhershme.

“Është sfiduese sepse ne nuk kemi as zyrë, ne të gjitha aktivitetet i kemi bërë në baza vullnetare. Është sfidë shumë e madhe, por duhet të kemi vullnet, bashkëpunim dhe energji pozitive, pastaj mund të realizohen planet…Ne nuk kemi projekte vazhdimisht, kemi qenë vullnetare, nuk kemi shikuar fondet. Një ndër problemet ka qenë zyra, mirëpo aktivitetet nuk i kemi ndalë”, thotë Maka gjersa përshkruan me entuziazëm realizimin e projekteve që në fokus kanë parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

“Gruaja Hyjnore” është pjesë e mekanizmit në Gjilan për parandalimin e dhunës, e për këtë Maka thotë se krejt angazhimi është vullnetar. Sipas saj, vendi meritor për ta realizuar angazhimin e tyre do të ishte brenda objektit të komunës.

“Kemi diskutuar mirëpo nuk ka hapësirë në komunë, qe tri vjet jemi pa këtë hapësirë. Më duket e padrejtë sepse mendoj që organizatat aktive duhet të jenë brenda komunës, ta kenë një zyrë, mirëpo po ka mungesë të hapësirave. Duhet të ketë më shumë fonde, OJQ-të duhet ta kenë një fond të veçantë më afatgjatë”, deklaron koordinatorja e organizatës që merret aktivisht me të drejtat e grave për rajonin e Gjilanit.

“Liria”- një strehë, shumë sfida

E gjersa sfidat e “Gruaja Hyjnore” vazhdojnë, në këtë komunë po vazhdon edhe përballja me dhunën në bazë gjinore. Zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Gjilanit, Linditë Salihu thotë se filluar nga mentaliteti e shkolla, për të vazhduar me zbatimin e ligjit e pamjaftueshmëria e mbështetjes për viktimat e dhunës, tregojnë se ka plot sfida për realizimin e barazisë gjinore.

Megjithatë, Salihu ndonëse e vetëdijshme se ka hapësirë për angazhim të mëtejmë, vlerëson se komuna ka ndërmarrë veprime për përmirësimin e gjendjes në Gjilan. Kjo sipas saj bëhet edhe duke e përkrahur strehimoren e komunës brenda kapaciteteve financiare që ka institucioni.

“Kemi bashkëpunim të mirë me të gjithë akterët e mekanizmit që trajtojnë rastet e dhunës, edhe me Strehimoren të cilën e mbështet komuna çdo vit përmes subvencioneve. Strehimorja është në objekt të komunës, gjithashtu të gjitha shërbimet komunale (rrymë, ujë) i mbulon komuna” shton Zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Gjilanit.

Edhe kur përfundon qëndrimi i grave në strehimore, nga komuna thonë se ndihmojnë në mbulimin e shpenzimeve të qirasë mujore.

“Çdo vit komuna në bazë të kapaciteteve që ka, mbulon shpenzimet e qirasë mujore për gratë që kanë nevojë të largohen nga ambientet e dhunshme, pas qëndrimit në strehimore. Kjo është një mundësi për të garantuar që ato kenë një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për veten dhe për fëmijët e tyre” shton Salihu.

Mirëpo, përkrahja që vjen nga komunat për strehimoren nuk është e qëndrueshme. Sipas Nazife Jonuzit nga Strehimorja “Liria” në të cilën strehohen viktimat e dhunës nga Gjilani, Vitia e Kamenica, mjetet që pranojnë nga komunat janë minimale dhe të pjesshme. Më shumë se nga institucionet lokale, qendra pranon buxhet nga Ministria e Drejtësisë. Jonuzi thotë se buxheti për vitin 2024 ka kapur shifrën prej 78 mijë euro.

“Burimet financiare për shërbime i kemi nga Ministria e Drejtësisë dhe nga komunat..financimi i komunave eshte mimimal dhe i pjesërishëm, nuk i marrim çdo vit”, ka deklaruar drejtoresha e strehimores “Liria”.

Në këtë qendër aktualisht janë duke u strehuar tri gra, gjersa gjatë tërë vitit në hapësirën e strehimores gjejnë mbështetje rreth 90 gra e fëmijë.

“Kapaciteti i shtretërve është 15, që i plotëson standardet për tri komuna: Gjilan, Viti e Kamenicë”, vlerëson Jonuzi.

Rriten raportimet, shtohen sfidat

Shumë më i lartë se dy shifror, është numri i raportimeve të dhunës në Policinë e Kosovës për Rajonin e Gjilanit. Sipas togerit Ismet Hashani, nga janari e deri më 18 dhjetor të vitit 2024, janë paraqitur gjithsej 191 raste të “Dhunës në Familje”, ku 134 prej viktimave kanë qenë gra. Raportimi i kësaj vepre penale në Policinë Rajonale të Gjilanit ka pasur ngritje nga viti paraprak, me gjithsej 36 raste të raportuara më shumë.

Hashani tregon se gjatë vitit 2024 janë ndalur nga Prokurori 68 persona, krahasuar me vitin 2023 ku ishin ndalur 51 persona. Mangësitë e trajtimit të veprës penale “Dhuna në Familje” është bërë shkas që Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë inspektime nëpër stacione policore të vendit. Në përgjigjen e tyre, nga IPK-ja njoftuan se gjatë vitit 2024 ka inicuar shtatë (7) raste në drejtim të kësaj vepre penale.

“Lidhur me këto raste IPK në Prokurorinë e Shtetit ka parashtruar 4 raste me Kallëzim Penal, 2 raste me Raport të Veçantë dhe 1 rast është në proces. Departamenti i Hetimeve për interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e 4 punonjësve policor për këto raste” njoftuan nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Në përgjigjen e tyre, IPK-ja tregon se në raportin e publikuar gjatë tetorit të këtij viti ka gjetur vërejtje për nevojën e funksionalizimit të ekipeve të hetimit të dhunës në familje e veç të tjerash edhe përmbushjen e ekipeve me burimet e nevojshme njerëzore në Policinë e Kosovës. Një ndër gjetjet e IPK-së ishte edhe mungesa e numrit të mbrojtësve të viktimave gjatë vitit 2023, ku sipas raportit për çdo 10 raste, numri më i ulët i prezencës së tyre ishte në Drejtorinë Rajonale Policore të Gjilanit. Veç mbrojtësit të viktimave, gjatë vitit që lamë pas, Gjilani ishte ndër komunat me prezencën më të ulët të Zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, ku për çdo 10 raste të “Dhunës në Familje” ishte 0.3 pjesëmarrja.

Nga raportimi te zgjidhja: Sa efikas është sistemi për trajtimin e dhunës?

Mungesa e mbrojtëve të viktimave arsyetohet me mungesën e të angazhuarve për këtë pozitë. Sipas Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, angazhimi i vetëm tre personave, e bën të vështirë prezencën e tyre nëpër gjykata e polici, meqenëse kanë për detyrë mbulimin e shtatë komunave.

“Zyra për mbrojtje dhe ndihmë viktimave në Gjilan ka hasur në vështirësi në trajtimin e rasteve nëpër seanca gjyqësore për shkak të numrit të vogël të mbrojtësve të viktimave ku në gjithë regjionin e Gjilanit janë vetëm 3 mbrojtës të viktimave dhe mbulojmë një teritor të gjërë prej 7 Komunash dhe prej tyre Gjykatën Themelore në Gjilan, dhe tre degë të gjykatave si në Kamenicë, Viti dhe Novobërdë. Kemi vështërsi në daljen e rasteve në stacion policor”, thuhet në përgjigje.

Krahas mungesës së burimeve njerëzore, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave ka shtuar numrin e rasteve të trajtuara të dhunës në familje, ku gjatë vitit 2023 ishin marrë me 283 raste, gjersa në vitin 2024 me gjithsej 344 të tilla. Për atë që pësuan, viktimat e dhunës u kompensuan këtë vit me shumën prej 30 mijë euro.

Bashkë me shtimin e rasteve të dhunës, janë shtuar edhe kërkesat për Urdhër Mbrojtje ku në vitin paraprak pati 93 të tilla, gjersa këtë vit 120 janë parashtruar dhe aprovuar nga Gjykata.

E për dallim nga Zyra, Gjykata Themelore në Gjilan nuk ka në dispozicion të dhëna për numrin e lëndëve të trajtuara për “Dhunë”. Në përgjigjen e tyre, ky institucion thotë se sistemi SMIL nuk gjeneron të dhëna për një vepër të caktuar.

“Sa i përket kësaj pyetje, nuk mund të ofrojmë të dhëna, pasi që Sistemi SMIL, nuk gjeneron të dhënat për një vepër të caktuar. Ju njoftojmë se këto lëndë trajtohen me prioritet dhe nuk ka vonesa në zgjidhjen e këtyrë lëndëve pasi që janë të ndjeshme dhe kanë prioritetin maksimal nga gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Gjilan. Një prej shkaqeve (për vonesa në trajtimin e rasteve të dhunës) mund të jenë kur palët nuk i përgjigjen ftesave të gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: