Lajmet

U mbajt takimi me gratë gazetare për përforcimin e raportimit etik mbi dhunën me bazë gjinore


4026-title

Ky takim shërbeu si një pikë kontakti për gazetaret dhe redaksitë, duke prezantuar rregulloren e re për raportimin përgjegjës mbi dhunën gjinore, si dhe mekanizmat mbështetës që do të jenë në dispozicion për gazetarët që mbulojnë raste të tilla.

Gjatë takimit, pjesëmarrëset diskutuan mbi sfidat dhe dilemat praktike që hasin në terren, përfshirë përdorimin e gjuhës së përshtatshme përmes raportimit mediatik. Gazetaret ndanë përvojat e tyre konkrete dhe diskutuan mbi rastet kur raportimi etik ka bërë ndryshimin në mbrojtjen e viktimave dhe promovimin e një qasjeje të përgjegjshme.

Pas diskutimeve, pjesëmarrësit dhanë komente dhe sugjerime konkrete për Rregulloren Brendshme për Parandalimin dhe Trajtimin e Diskriminimit Gjinor, Ngacmimit Seksual, Bullizmit dhe Sjelljeve të Papranueshme në Vendin e Punës, të cilat do të mblidhen dhe do të ndahen më pas edhe me redaksitë për komente dhe përmirësime të mëtejshme.

Ky proces synon të krijojë një standard të përbashkët etik në raportimin mbi dhunën gjinore dhe të forcojë bashkëpunimin mes gazetareve dhe redaksive.

Takimi gjithashtu shënoi fillimin e krijimit të pikave kontakti mediatike dhe prezantimin e mekanizmit të mentorimit, që do të ofrojë mbështetje praktike dhe këshilla profesionale për gazetarët gjatë raportimit mbi raste të dhunës gjinore. Kjo iniciativë synon të përforcojë kapacitetet profesionale të gazetareve dhe të përmirësojë cilësinë dhe etikën e raportimit në Kosovë.

Ky aktivitet është pjesë e projektit të UN Women, “Adresimi i ndikimit të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve për të tejkaluar stigmën dhe për të folur hapur”, i mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: