Lajmet

U mbajt takimi “Përtej titujve: gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”


4027-title

U mbajt takimi me gazetarë dhe ekspertë shëndetësorë, në kuadër të projektit “Përtej titujve: gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, i cili po zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS).

Takimi u hap me fjalë mirëseardhëse nga Jahë Gecaj, u.d. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Lia Tavadze nga IHS, si dhe Jehona Hulaj nga Bordi i AGK-së, ndërsa diskutimi u moderua nga Linda Baleta, eksperte e lartë për avokim dhe komunikim në IHS.

Në vijim, u zhvillua një diskutim mbi nevojën për raportim më të thelluar dhe më të kuptueshëm për publikun mbi sëmundjet kronike jongjitëse në Kosovë.

Drejtoresha Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, prezantoi konceptin e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve dhe ekspertëve të shëndetit publik, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të storieve që shkojnë përtej titujve dhe sjellin informacion të saktë, të qartë dhe me ndikim për qytetarët.

Në kuadër të takimit, u bë edhe prezantimi i pjesëmarrësve, si dhe u zhvillua një sesion pune për identifikimin e temave kryesore që do të trajtohen nga ekipet gazetar–ekspert gjatë implementimit të projektit.

Gjithashtu, u formalizua krijimi i ekipeve bashkëpunuese ndërmjet gazetarëve dhe ekspertëve të institucioneve shëndetësore, të cilat do të punojnë së bashku në prodhimin e përmbajtjes mediale mbi sëmundjet kronike jongjitëse.

Ky projekt synon të forcojë cilësinë e raportimit në shëndetësi, të rrisë bashkëpunimin ndërmjet mediave dhe profesionistëve të shëndetit publik, si dhe të kontribuojë në rritjen e vetëdijes dhe informimit të qytetarëve në Kosovë.

AGK dhe IHS do të vazhdojnë aktivitetet e përbashkëta në muajt në vijim, duke zhvilluar punëtori tematike, intervista, podcast dhe një publikim të dedikuar për sëmundjet kronike jongjitëse.

Post Gallery

Share this Post: