U mbajt trajnimi dy ditor për shëndetin mendor dhe qëndrueshmërinë e gazetarëve
Pjesë e fjalimeve hapëse ishin Pascale Roussy nga OSBE, Getoarbë Mulliqi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Bind Skeja nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), të cilët theksuan rëndësinë e adresimit të shëndetit mendor në gazetari, sfidat e shumta me të cilat përballen gazetarët gjatë ushtrimit të profesionit, si dhe nevojën për krijimin e mekanizmave mbështetës dhe shërbimeve të qasshme psikologjike.
Gjatë sesioneve të mbajtura nga Bind Skeja dhe Gresa Miftari, pjesëmarrësit patën mundësinë të trajtojnë në thellësi temat që lidhen me mirëqenien emocionale në gazetari, përfshirë identifikimin e stresorëve të përditshëm si presioni i afateve, ekspozimi ndaj traumës dhe ngacmimi online. U diskutua gjithashtu për ndikimin psikologjik të raportimit të temave të ndjeshme, si dhe për rëndësinë e raportimit etik dhe të përgjegjshëm.
Në ditën e dytë, fokusi ishte në teknikat praktike për menaxhimin e stresit, ankthit dhe rraskapitjes nga puna, ku pjesëmarrësit u angazhuan në ushtrime konkrete si teknikat e frymëmarrjes, metodat e tokëzimit dhe strategjitë e vetëkujdesit. Trajnimi u përmbyll me punë në grupe dhe diskutime, ku u hartuan rekomandime konkrete për përmirësimin e mirëqenies së gazetarëve dhe për zhvillimin e një Udhëzuesi Praktik për Shëndetin Mendor në gazetari.











