Lajmet

U MBAJT TRAJNIMI DY-DITOR “ZËRAT NË KUJDESIN SHËNDETËSOR – MEDIA NXIT DISKUTIMIN PËR ANGAZHIMIN E PACIENTËVE”


3690-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Projektin Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS Project), me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), organizoi një trajnim dy-ditor i cili i dedikohet rolit të medias në raportimin dhe avokimin për kujdesin shëndetësor, me fokus të veçantë në angazhimin e pacientëve në procesin shëndetësor.

Ky trajnim mblodhi 20 gazetare nga media të ndryshme në Kosovë për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë që kanë në raportimin mbi shëndetësinë, duke përfshirë aspektet psikologjike, ligjore dhe teknikat e rrëfimtit në këtë fushë.

Pas hapjes së trajnimit dhe fjalës përshëndetëse, Profesori Aliriza Arënliu prezantoi faktorët psikologjikë që ndikojnë në mënyrën se si gazetarët raportojnë mbi shëndetësinë dhe si mund të kontribuojnë në një angazhim më të madh të pacientëve në vendimmarrjen shëndetësore.

Një diskutim i rëndësishëm u mbajt mbi kornizat ligjore që udhëheqin të drejtat e pacientëve dhe politikat shëndetësore në Kosovë, me një prezantim nga Mark Kaqinari, Zyrtar i Lartë Ligjor në Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë. Pjesëmarrëset patën mundësinë të diskutojnë mbi të drejtat e pacientëve dhe detyrimet e institucioneve shëndetësore për të siguruar transparencë dhe qasje të barabartë në shërbime.

Dita e dytë filloi me një reflektim mbi temat e diskutuara dhe mendimet e pjesëmarrësve mbi sesionet e mëparshme. Në vijim, Alma Demiraj nga Lidhja e Gazetarëve të Shëndetësisë në Shqipëri mbajti një prezantim mbi roli e medias në avokimin shëndetësor dhe ndikimin e rrëfimit gazetaresk në politikat publike në këtë fushë.

Dr. Faik Hoti, Specialist i Shëndetit Publik në IKSHP, prezantoi rëndësinë e një qasjeje të përqendruar te pacienti në kujdesin shëndetësor, duke theksuar se përfshirja aktive e pacientëve ndikon në përmirësimin e shëndetit publik dhe cilësinë e shërbimeve.

Në përmbyllje të trajnimit, pjesëmarrëset shkëmbyen mendime mbi hapat e ardhshëm, rëndësinë e ndarjes së përvojave dhe ndërtimit të një rrjeti të fuqishëm për raportimin mbi shëndetësinë.

AGK dhe IHS mbeten të përkushtuara që nëpërmjet këtyre bashkëpunimeve të mbështesin gazetarët në ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale dhe në promovimin e një raportimi të përgjegjshëm dhe të bazuar në standardet më të larta profesionale.

Share this Post: