Vdekja tragjike e Betina Ymerit: 4 vite burg për shtytësin e vetëvrasjes
Shkruan: Fetie Gashi
Një jetë e re plot shpresa dhe ëndrra u shua tragjikisht. Betina Ymeri, një vajzë vetëm 19 vjeçare, u gjet pa shenja jete në banesën e të fejuarit të saj më 8 shtator 2022.
Vdekja e saj tronditi jo vetëm familjen, por edhe gjithë shoqërinë. Me iniciativë të prindërve të viktimës, më 16 shtator 2022, u mbajt një protestë para Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për t’u bërë thirrje institucioneve përkatëse që rastin ta trajtojnë me prioritet.
Pas kësaj, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 6 mars 2023, ngriti aktakuzë kundër të pandehurit Leotrim Shala, i cili ngarkohej se, nga 30 dhjetori 2021 deri më 8 shtator 2022, në fshatin Vinarc i Poshtëm në Mitrovicë, përmes sjelljeve dhe veprimeve të tij, e kishte nxitur tani të ndjerën Betina Ymeri të kryente vetëvrasje. Me këto veprime, Leotrim Shala akuzohej për kryerjen e veprës penale “Shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje”, sipas nenit 177, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në gjykimin e parë, i akuzuari Leotrim Shala, më 4 dhjetor 2023, u lirua nga akuza pasi nuk u vërtetua se kishte kryer veprën penale që i vihej në barrë. Por, kundër këtij aktgjykimi, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Pas shqyrtimit të ankesës, më 8 gusht 2024, Apeli anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu çështjen për rigjykim.
Ndërsa, më 21 janar 2025, Gjykata Themelore në Mitrovicë shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Leotrim Shala, duke e dënuar me 4 vjet burgim për shtytje në vetëvrasje Betina Ymerin. Sipas aktgjykimit, i akuzuari u shpall fajtor për veprën penale “Shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” dhe iu shqiptua dënimi prej 4 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se RrGK e ka mirëpritur vendimin e gjykatës dhe e konsideron atë një hap të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe parandalimin e veprimeve të ngjashme.
“Vendimi i gjykatës për dënimin e Leotrim Shalës është një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë. Ne e mirëpresim këtë vendim dhe e konsiderojmë të domosdoshëm që gjykatat të aplikojnë dënime meritore në raste të tilla, në mënyrë që të garantohet mbrojtja e të drejtave të viktimave dhe të parandalohet përsëritja e veprimeve të ngjashme. Vendimi është marrë në përputhje me dispozitat ligjore dhe kjo është e rëndësishme për të siguruar sundimin e ligjit,” tha ajo.
Megjithatë, Berisha shpreh shqetësimin se dënimi prej 4 viteve burgim, ndonëse i ligjshëm, mund të ngjallë shqetësime për proporcionalitetin e dënimit me pasojat tragjike që ka shkaktuar.
“Dënimi prej 4 viteve burgim, ndonëse në përputhje me ligjin, ngre pikëpyetje për proporcionalitetin me pasojat tragjike. Shumë mund ta konsiderojnë të pamjaftueshëm për të pasqyruar ndikimin e rëndë në familje dhe shoqëri. Një rishikim i politikave ndëshkuese mund të ndihmojë në përforcimin e mesazhit të zero tolerancës ndaj dhunës dhe presionit psikologjik,” shprehet Berisha.
Ligjet që mbrojnë viktimat e dhunës psikologjike dhe emocionale në Kosovë janë në përputhje me normat ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Stambollit. Megjithatë, vështirësitë në zbatimin e këtyre ligjeve vazhdojnë të jenë një sfidë e madhe.
“Ligjet ekzistuese në Kosovë përmbajnë dispozita për mbrojtjen nga dhuna dhe presioni emocional, përfshirë kriminalizimin e dhunës psikologjike në kuadër të dhunës në familje. Këto ligje janë gjithashtu në përputhje me Konventën e Stambollit. Megjithatë, zbatimi efektiv mbetet një sfidë. Për të garantuar mbrojtje të plotë dhe efikase për viktimat, është thelbësore të përmirësohet trajnimi i personelit dhe të krijohen mekanizma mbështetës adekuatë,” u shpreh ajo.
Sipas Berishës, shoqëria duhet të bëjë një angazhim të plotë për të promovuar mbështetje për viktimat dhe për të ndërgjegjësuar për ndikimet e dhunës psikologjike. Për këtë, janë të nevojshme edukimi dhe krijimi i mekanizmave mbrojtës.
“Shoqëria duhet të promovojë një kulturë mbështetjeje dhe mirëkuptimi për viktimat e dhunës psikologjike. Për këtë qëllim, edukimi i komunitetit mbi ndikimet e dhunës psikologjike, ndërgjegjësimi përmes fushatave, dhe fuqizimi i mekanizmave mbrojtës janë hapa thelbësorë. Këto masa mund të kontribuojnë në ndihmën konkrete për viktimat dhe ndryshimin sistematik të qëndrimeve ndaj dhunës,” tha ajo.
Në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga viti 2020 janë raportuar 9,285 raste të dhunës në familje ndaj grave. Ndërsa, që nga viti 2010, në Kosovë janë regjistruar 58 viktima femra të vrara. Në shumicën e rasteve, autorët e këtyre vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, ndërsa pas tyre baballarët dhe djemtë.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.