Vërejtet dhe rekomandimet e Forumit për Integritetin e Informacionit në dëgjimin e parë publik për Projektligjin e KPM-së
Në dëgjimin e parë publik për Projektligjin për KPM-në, që po mbahet sot në Kuvendin e Kosovës, Forumi për Integritetin e Informacionit ka paraqitur vërejtet dhe rekomandimet kryesore për përmbajtejn e tij, që lidhen me qëllimin e ligjit, rregullimin e medieve online, pronësinë, përkufizimet dhe përpjekjet për të krijuar hapësirë për parti politike dhe bashkësi fetare të hapin mediet e tyre. Kjo është letra e plotë:
Përmes kësaj letre po ju drejtohemi në cilësinë e anëtarëve të Forumit për Integritet të Informacionit[1] për të ofruar komentet dhe rekomandimet tona për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).
Fillimisht mirëpresim iniciativën e Zyrës së Kryeministrit për të adresuar kërkesën e kahmotshme të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë për të transpozuar Direktivën e BE-së për Shërbimet Mediale Audiovizuale (AVMS). Mirëpresim faktin që projektligji adreson çështje të rëndësishme si çështjen e parimit të pranimit dhe ritransmetimit, rregullimin e programeve të formatit “shfaqje reale televizive”, mbrojtjen e të miturve dhe publikut nga përmbajtja e dëmshme, vendosjen e disa kritereve fillestare për rritjen e transaprencës së pronësisë së mediave dhe parasheh fondin për pluralizmin medial. Gjithashtu e vlerësojmë iniciativën për të organizuar dëgjim publik rreth projekligjit. Komentet dhe rekomandimet tona kanë të bëjnë me qëllimin, përkufizimet, përbërjen e KPM-së, pronësinë dhe koncentrimin e mediave dhe promovimin e pluralizmit medial përmes mbështetjes financiare dhe çështje të tjera.
-
Qëllimi i ligjit
Këshilli i Europës ka ofruar ekspertizë të draftligjit për KPM-në dhe rekomandimet tona për ndryshimet në qëllime bazohen në këtë ekspertizë. Ne rekomandojmë komisionin që përgjatë draftimit të projektligjit të marrin parasysh në detaje analizën e ofruar e cila reflekton standarted më të mira të shteteve anëtare të Këshillit të Europës.
-
Lejimi i partive politike dhe bashkësive fetare që të hapin televizione
Ne jemi shumë të shqetësuar që proektligji aktual nuk e përmban nenin që ua pamundësonte partive politike, bashkësive fetare dhe individëve që mbajnë poste të larta në parti të hapin radio dhe televizione. Ne inkurajojmë fuqishëm komisionin që të rikthejnë këtë kufizim në ligj. Poashtu kërkojmë nga deputetët të mos lejojnë leje të përkohshme të transmetimit (neni 25), koncept ky që nuk ka ekzistuar deri më tani, sepse ka rrezik të keqpërdoret sidomos gjatë viteve zgjedhore nga të gjitha partitë politike.
-
Përkufzimet
Ndryshimi kryesor sa i përket përkufizimeve ka të bëjë me përfshirjen e mediave online që publikojnë audio dhe video. Direktiva AVMS parasheh rregullimin e platformave që ofrojnë audio dhe video mirëpo njëkohësisht parasheh që shtetet anëtare duhet të inkurajojnë përdorimin e bashkë-rregullimit dhe duhet të nxisin vetërregullimin e mediave (neni 4a) dhe të sigurojnë pavarësinë e rregullatorit të mediave.
Ne propozojmë që institucionet e Kosovës të punojnë në drejtim të fuqizimisht të rolit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe pavarësisë dhe profesionalizmit së KPM-së dhe pasi të arritet progres bindës të rishikohet projektligji për KPM-në me qëllimin e rregullimit të mediave online që publikojnë video dhe audio.
-
Pronësia
Ne kërkojmë nga deputetët që të shfrytëzojnë momentin që nenin për pronësinë e mediave dhe koncetrimin – të përfshirë në këtë projektligj – ta zhvillojnë dhe zgjerojnë në një kapitull të veçantë për të kënaqur në tërësi kërkesat e Direktivës AVMS dhe Direktivës në ardhje European Media Freedom Act. Në veçanti, projektligji duhet të adresojë transparencën e pronësisë të ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale, të definojë nivelet e koncentrimit të pronësisë së tyre (të ulët, të mesëm dhe të lartë) dhe të adresojë aspektet që ndërlidhen me pozitën dominante në tregun medial.
-
Përbërja e KPM-së
Fillimisht, ne jemi të shqetësuar që neni i cili ka garantuar përzgjedhjen e grave në përbërje të Komisionit është larguar në tërësi. Për pasojë ekziston rreziku që KPM të ketë në përbërje vetëm burra. Ne rekomandojmë që përbërja, mandatet, përzgjedhja e kryetarit dhe arsyet e shkarkimit të Komisionit të mbesin të njëjta siç janë të parapara me ligjin aktual. Poashtu, projektligji parasheh që bordi i ankesave që aktulisht është trup i veçantë që zgjedhet nga Kuvendi, të shndërrohet në një këshill të ankesave përbërja e të cilit caktohet nga Komisioni. Një gjë e tillë është problematike pasi që ky këshill do të trajtojë ankesat e vetë anëtarëve të Komisionit që do t’i përzgjedhin.
Si përfundim, ne sqarojmë që projektligji që ofrohet bashkë me këtë dokument ofron sugjerime konkrete për secilin nen. Ne mbesim të përkushtuar që të bëhemi pjesë të procesit dhe të ofrojmë ekspertizën tonë.
Me respekt,
Forumi për Integritet të Informacionit
Të nënshkruarit:
Flutura Kusari, Aktiviste
Ardita Zejnullahu, Drejtore Ekzekutive, AMPEK
Naile Dema, Anetare e Bordit, AGK
Rezarta Delibashzade-Krasniqi, Drejtore Ekzekutive, D4D
Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit, AGK
Shkelzen Osmani, Drejtor Ekzekutiv, ADS/Hibrid
Brikenda Rexhepi, Kryeredaktore, Koha
Saranda Ramaj, Gazetare
Gentiana Begolli - Pustina, Gazetare
Bardhi Bakija, Drejtor Ekzekutiv dhe Redaktor, S’bunker
Imer Mushkolaj, Gazetar
Albert Krasniqi, Drejtor i Programit, Dplus
Miodrag Milicevic, Drejtor Ekzekutiv, Aktiv
Dren Gërguri, Ligjërues
Të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet për Projektligjin, mund t’i gjeni në dokumentin në vegëzën e mëposhtme.
[1] Forumi për Integritetin e Informacionit u themelua si një mekanizëm joformal me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në dhjetor 2021, për të lehtësuar dialogun e brendshëm midis aktorëve kyç për zgjidhjet e mundshme për problemet e ambientit medial dhe të informacionit në Kosovë. Publikimet dhe reagimet e Forumit për Integritetin e Informacionit, nuk reflektojnë me doemos pikëpamjet dhe pozicionet e NDI-së dhe USAID-it.