Zëri që nuk u dëgjua kurrë – Gratë rome asnjëherë nuk u zgjodhën deputete të Kuvendit të Kosovës
Gazetare: Mihane Hoxha
Që nga legjislatura e parë e Kuvendit të Kosovës e deri më tani komuniteti rom nuk është përfaqësuar asnjëherë nga një grua rome. Pra, ulëset e rezervuara për pakicat apo komunitetet janë respektuar por që gratë rome nuk kanë pas fatin e bashkë partiakëve të tyre (burrave rom), të jenë pjesë e Parlamentit të Kosovës.
Aktivizmi i grave rome, shpresë për komunitetin
E artikuluar në ide dhe me qëllime të qarta për të ardhmen, e reja nga komuniteti Rom, Shyrete Hoxhaj, e fillon bisedën duke treguar për vullnetin dhe dëshirën e madhe që ka për të luftuar dhunën në baza gjinore brenda komuniteit që i përket, posaçërisht në politikë, dhe në pozitat Udhëheqëse.
“Unë si aktiviste e komunitetit Rom, e shoh tejet shqetësuese që nuk ka përfaqësim në sferën e politikës nga ana e grave të komunitetit Rom. Kjo, më bëri që të vijoj studimet në Shkenca Politike dhe Diplomaci, me synimin që në një të ardhme të afërt të jem në ulëset e Kuvendit të Kosovës për të dhënë kontribut për komunitetin tim, sidomos të jem zëri i grave rome”, shprehet Hoxhaj.
Tutje, thekson se brenda komunitetit nuk ka hapësirë të mjaftueshme për gratë në politikë dhe jo gjithherë burrat janë mbështetës që gratë të jenë përfaqësuese. Sakaq, aktivistja Hoxhaj, kërkon që të mos paragjykohen gratë rome.
“Duke mos i shikuar vajzat rome si vajza të cilat nuk kanë synime për t’u ngritur në mënyrë akademike, pra duke ngritur stereotipa që vajzat rome nuk edukohen dhe shikojnë vetëm martesën në moshë të hershme”, shton ajo.
Gratë rome të diskriminuara brenda komunitetit, jo vetëm në (mos) përfshirjen politike
Albina Thaçi nga Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, ka thënë se diskriminimi gjinor vazhdon të mbetet fenomen shumë i përhapur në komunitetin Rom.
“Gratë rome kanë rol të ndarë nga burrat dhe djemtë rom. Pozita e tyre shoqërore nuk shihet përtej rolit të tyre në përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe punëve të shtëpisë. Në anën tjetër, burrat dhe djemtë kanë pozitë dominuese dhe privilegjuese. Kjo reflektohet edhe në angazhimin politik dhe social, gratë janë të nën - përfaqësuara për shkak se mungon edhe vullneti politik për t’i mbështetur gratë në politikë por edhe për shkak se gratë rome ndihen të pafuqishme karshi kolegëve të tyre”, ka thënë ndër të tjerash ajo.
Thaçi tutje, ka potencuar që gratë dhe vajzat rome nuk kanë përkrahjen nga familjet e tyre për të vazhduar shkollimin dhe kjo përkthehet në mungesë të përgatitjes akademike dhe rrjedhimisht profesionale të grave dhe vajzave për tu angazhuar në politikë.
“Edhe në rastet kur vajzat përkrahen për zhvillim akademik, fushat që ato zgjedhin (kryesisht me rekomandim të prindërve) janë kryesisht fusha si edukimi dhe infermieria. Ndërsa, interesi për t’u përfshirë në sferën politike është jashtëzakonisht i vogël sepse politika perceptohet më shumë si ‘çështje e burrave’", ka shtuar ajo.
Por, për të dalë nga kjo situatë, Thaçi thekson se nevojitet ende shumë punë dhe angazhim.
“Sensibilizimi dhe ngritja e vetëdijes mbi rolet gjinore dhe rëndësinë e përfshirjes së gruas në jetën politike dhe sociale është opsioni adekuat për t’iu qasur këtij problemi. Ne, si organizatë jemi duke punuar në drejtim të ngritjes së kapaciteteve dhe motivimin e vajzave të reja për rëndësinë e përfshirjes së tyre në sferën politike. Ne, shpresojmë që puna jonë me gratë dhe vajzat e reja të reflektojë me praninë e të paktën një gruaje në ulëset e Kuvendit të Kosovës”, ka përfunduar Thaçi.
Gruaja rome në ulësen e Kuvendit, do të sillte progres për komunitetin
Për deputetin e Kuvendit të Kosovës, i cili vjen nga partia Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Erxhan Galushin, përfaqësimi i komunitetit rom në Kuvendin e Kosovës është një sfidë tjetër e këtij komuniteti.
“Komuniteti Rom, në fakt ka qenë i sfiduar me përfaqësimin e personave intelektual në kuvendin e Kosovës. Por, mendoj që tani kjo gjendje ka ndryshuar, sidomos me arsimimin e të rinjve të këtij komuniteti, në veçanti të vajzave dhe grave të këtij komuniteti. Një gjë duhet ditur se Mendimi patriarkal në mesin e një etnie apo grupi me status të vështirë socio - ekonomik dominon shumë herë më shumë se sa te etnitë apo grupet tjera.Prandaj, mund të jetë edhe një element tjetër në stagnimin e mendimit të qenurit të përfaqësuar nga një grua rome në Kuvendin e Kosovës”.
Deputeti Galushi, është zotuar që do të jetë mbështetës i grave rome për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. “Një ditë edhe një grua rome mund të jetë përfaqësuese e komunitetit rom në Kuvendin e Kosovës. Mendoj, që do të ishte një progres në aspektin e përgjithshëm shoqëror të këtij komuniteti”.
Trajnimet për ngritjen e kapaciteteve profesionale - rruga e vetme që gruaja rome të bëhet lidere
Në prononcimin e saj, Shpresa Agushi, nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës, ka treguar se, edhe pse është rritur përqindja e përfshirjes së grave në partië, ato nuk janë në pozita udhëheqëse. Pra, sipas Agushit, gruaja mund të jetë në çfarëdo numri tjetër rendor nga numri tre, por nuk është në udhëheqësinë apo në numrin fillestar të një partie.
“Mos të harrojmë se ende janë diskriminimet gjinore pa marrë parasysh se ne themi nuk janë sikur më parë, është e vërtetë se nuk janë si më parë, por ende ndikon që burrat anojnë që të jenë ata lider udhëheqës duke e parë vetën më të ngritur, më të aftë. Në anën tjetër ka ndikuar edhe ndoshta situata e pasluftës ku gratë u mbyllën nëpër shtëpi dhe duhej kohë që ato të dilnin nga shtëpia, ta fillonin aktivitetin e tyre, por edhe ishte mungesa e kapaciteteve të grave në përfshirjen politike”.
Tutje, Agushi, ka treguar që me organizatën e tyre kanë aplikuar me projekte përmes së cilave do të kontribuonin në ngritjen profesionale të grave rome në politikë, por jo gjithmonë kanë gjetur mbështetjen e donatorëve. Madje, ajo thekson se vetëm duke punuar me gratë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe duke jetuar me këto komunitete i kuptojmë më shumë kërkesat dhe nevojat që duhen të bëhen që pozita e grave e këtyre komuniteteve të ndryshojë dhe të ketë sa më shumë të drejtën e saj me barazinë gjinore.
“Te donatorët ndërkombëtar që kemi aplikuar, projektet kanë pas qëllimin e ngritjes së kapaciteteve të grave që të jenë udhëheqëse në partitë politike, por në të njëjtën kohë të jenë edhe pjesë e vëzhgimit gjatë votimeve që bëheshin gjatë zgjedhjeve komunale dhe atyre parlamentare epse kemi pas më pak të përfshirë gjininë femërore si vëzhguese, nuk u përkrahen këto projekte të organizatës tonë. Mirëpo, ende ka nevojë të punohet dhe të ngritët zëri që të ketë përfshirje në parti, po ashtu edhe në pozitat tjera që kërkohet”.
Agushi ndër të tjerash pohon që ka lëvizje pozitive në partitë politike ku vërehen ndryshimet krahasuar me vitet paraprake, me pjesëmarrjen aktive të grave, por kjo nuk e ka ndryshuar ende pozicionin që gruaja rome të jetë lidere e partisë.
“Mund ta ceki njëra grua e cila është mjaft aktive në politikë Gjyzele Shaljani është pjesë e Partisë, por nuk ka arritur që të jetë ende në numrin numri më të lartë apo në udhëheqësi”.
Për të tejkaluar këtë sfidë, Agushi vlerëson që me mbështetjen e donatorëve dhe institucioneve duke punuar së bashku kontribuohet në ngritjen e kapaciteteve të grave, po ashtu duke punuar me burrat në parti për përfshirjen e grave në pozitat vendimmarrëse, udhëheqëse të partive kërkohet punë në afate më të gjata.
“Nuk do të thotë që të jetë një projekt një mujor, tremujor apo katër mujor, por të punohet me afat më të gjatë në ngritjen e kapaciteteve dhe vetëdijesimit që edhe gratë mund të jenë pjesë e udhëheqëse e partisë, pjesë e parlamenti, avokimi në komunitete, të punohet me vet komunitetin, të ngritën kapacitetet e grave në përfaqësim politik dhe t'iu jepet përkrahja kur të jenë zgjedhjet. Sepse, ne kemi pas edhe projekte ku kemi kërkuar që të ndihmojmë edhe në kampanja për mbledhjen e votave sepse ishte shumë më rëndësi për ne që të kemi gra në parlament. Pra, janë çështje të shumta që do të ishin shumë të rëndësishme që të jetë një grua pjesë e Parlamentit apo lidere e partisë politike”.
Tutje Agushi ka kërkuar që të bëhet presion te gjinia mashkullore që të ketë edhe gra në pozita vendimmarrëse e udhëheqëse. “Ky, presion duhet të bëhet përmes avokimit ndoshta edhe te votat duhet me ndiku ne si organizata të grave jo vetëm ta rritim përqindjen e kuotës por të avokojmë që të ketë gra në parti si udhëheqëse, kjo do të kishte pas ndikim shumë më shumë që të kemi gra në parlament”, ka përfunduar Agushi.
Përfshirja e barabartë gjinore në jetën politike, përmes mekanizmave shtetëror
Mungesën e grave rome në Kuvendin e Kosovës e ka cilësuar situatë shqetësuese avokati Arbër Jashari, ku ka kërkuar që institucionet e shtetit të hartojnë politika përmes së cilave do t’iu mundësohej qasje më e lehtë në politikë dhe pozita vendimmarrëse.
“Është tepër shqetësues fakti që Kuvendi i Kosovës, në 24 vjet të ekzistimit të tij, nuk ka pasur kurrë një deputete rome, në radhët e veta. Kjo mbase ka ndodhur si shkak i mungesës se emancipimit të gruas nga radhët e këtij komuniteti, por edhe përkrahjes jo të duhur nga ana e mekanizmave të shtetit. Shteti duhet të bëjë me shumë në hartimin dhe implementimin e politikave, që i mundësojnë grave, në komunitet pakicë, fuqizim dhe mundësi të barabarta me burrat, në garën politike”, ka theksuar Jashari.
Përfaqësimi i pesëdhjetë për qindëshit (50%) i secilës gjini, sfidë për institucionet e vendit
Në prononcimin e tyre nga Institucioni i Avokatit të Popullit, kanë bërë të ditur se, Avokati i Popullit i ka kushtuar vëmendje çështjes në lidhje me zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në fuqi, neni 6, paragrafi 8, i cili përcakton se "Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse", e që duhet zbatuar fillimisht nga të gjitha partitë politike në listat e kandidatëve për zgjedhje të përgjithshme në Kosovë.
“Ajo që ndodh tani, partitë politike zbatojnë vetëm kuotën prej së paku 30% të kandidatëve femra në listat zgjedhore, sipas Nenit 28 i Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, që përcakton se ''Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë'', thuhet në përgjigjen e tyre.
Avokati i Popullit e vlerëson se kjo dispozitë ligjore përmes përcaktimit të kuotës (së paku 30%), për listat e kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, mbetet kontestuese për faktin se e cenon barazinë para ligjit dhe në rastin konkret paraqet diskriminim të tërthortë.
Përcaktimi i kuotës (së paku 30%) për secilën gjini, në dukje nuk paraqet trajtim të pabarabartë në mes meshkujve dhe femrave, megjithatë në praktikë nuk ka pasur raste kur subjektet politike i kanë dërguar për certifikim listat e kandidatëve me 50% gra dhe 50% burra.
“Përkitazi me çështjen në fjalë, Avokati i Popullit, më 16 janar 2024 i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 28 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, Avokati i Popullit në vitin 2019 kishte parashtruar padi kundër KQZ në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen në fjalë, përkitazi me shkeljen e të drejtës në trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes”, ka treguar Avokati i Popullit.
Derisa afrohet data e zgjedhjeve, gra si Shyretja ende ëndërrojnë që në legjislaturën e re të hyjnë në portën e madhe të Kuvendit.
"Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit "Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore". Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian."