Vesti

Deputeti Basha synon disiplinimin e AGK-së dhe RTK-së nga shteti


3363-title

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka vazhduar edhe këtë fundjavë me gjuhën nxitëse si ndaj AGK-së, ashtu edhe ndaj RTK-së.

Në reagimin e ri pas intimidimit që bëri ndaj gazetares së RTK-së, Basha, e tregon hapur tendencën për të kontrolluar përmbajtjen editoriale të Transmetuesit Publik, duke ndërhyrë në atë se çka konsiderohet prioritet për t’u trajtuar dhe për t’u raportuar. Ngjashëm vepron edhe me AGK-në, kur provon të tregojë se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet të sillet e të veprojë.

AGK-ja, e ka për mision primar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve, dhe reagon kur këto të drejta e liri, cenohen e shkelen. Teksa, lidhur me shkeljet e mundshme të Kodit të Etikës, çdo qytetar i Republikës së Kosovës, duke përfshirë deputetët, mund t‘i drejtojnë ato tek organi vetërregullues KMShK për mediet online, dhe tek KPM për televizione dhe radio.

AGK-ja, e fton sërish z.Basha që të përmbahet nga seria e sulmeve, si ndaj AGK-së, ashtu edhe ndaj medieve, duke e përfshirë Transmetuesin Publik, RTK.

Aludimi i serishëm i z. Basha se si AGK ashtu edhe RTK u shërbejnë interesave të presidentit serb, Aleksandar Vuciq, është krejtësisht i pabazuar e i papranueshëm, por mbi të gjitha shumë i rrezikshëm. Gjuha e tillë, e vazhdueshme sikur kjo e z.Basha dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet, kanë kontribuar që Kosova të bie kaq shumë në nivelin e respektimit të lirisë së medies, sikurse e ka konstatuar raporti i fundit i Reporterëve pa Kufij.

Share this Post: