Gratë, kujtesa dhe mediat: Mësimet nga Kosova për Ukrainën
Programi “Gratë, kujtesa dhe mediat: Mësimet nga Kosova për Ukrainën”, përfshiu vizita që u fokusuan në drejtësinë tranzicionale, trashëgiminë e luftës në Kosovë dhe rëndësinë e dokumentimit dhe ruajtjes së kujtesës kolektive.
Dita nisi me një vizitë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT - Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims), ku Selvi Izeti i njoftoi pjesëmarrësit me punën e organizatës në mbështetjen e të mbijetuarve të torturës dhe personave që kanë përjetuar trauma. Gjatë takimit u diskutua për sfidat me të cilat përballen të mbijetuarit, mbështetjen që u ofrohet dhe rëndësinë e rehabilitimit, dinjitetit dhe qasjes në drejtësi.
Në Reporting House, Jeta Xharra i njoftoi pjesëmarrësit me historitë e dokumentuara dhe të prezantuara përmes ekspozitës. Përmes fotografive, materialeve vizuale, dëshmive dhe dokumenteve historike, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen më nga afër me përvojat e njerëzve në Kosovë gjatë luftës dhe historitë njerëzore që qëndrojnë pas tyre. Vizita theksoi rëndësinë e dokumentimit të këtyre përvojave dhe ruajtjes së tyre për gjeneratat e ardhshme.
Vizitat përfunduan me një vizitë në Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë (Humanitarian Law Center Kosovo), ku pjesëmarrësit u pritën nga Bekim Blakaj dhe Berta Hoçia. Diskutimi u përqendrua në dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, trajtimin e së kaluarës dhe rëndësinë e së vërtetës dhe llogaridhënies. Pjesëmarrësit vizituan edhe ekspozitën “Na ishte një herë e mos qoftë kurrë”, e cila rikujton rëndësinë e kujtesës dhe të angazhimit për të mos lejuar që ngjarje të tilla të përsëriten kurrë më.
Programi JiR Kosovo është pjesë e Zërave të Ukrainës, një projekt i zbatuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe i financuar nga Iniciativa Hannah Arendt.











